Me të vërtetë bekim i madh dhe shpresë njëherësh ka qenë drita e çdo llambadhe, që Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë Imzot Anastasi, ka ndezur nëpër enoritë dhe kishat e shumta e Mitropolisë së Gjirokastrës. Sigurisht, gëzim më i madh për besimtarët orthodhoksë të këtyre trevave kanë qenë vizitat e shpeshta të Kryepiskopit. Takime, predikime dhe këshilla prej ati shpirtëror, për të përcjellë kudo mesazhin e madh të “Ngjalljes së Krishtit”, për të bindur “punëtorët e lutjes” për ringritjen nga themelet të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, për të vërtetuar edhe njëherë, se besimi ynë është besimi tek triumfi i së vërtetës.
Pesë vite të bekuara! Pesë vite që ndofta për historinë janë pak, por për besimtarët orthodhoksë të Mitropolisë së Gjirokastrës, ishin vite të një pune të madhe për ringjalljen e shpresës. Një vepër, e cila që në fillimet e saj ndeshi me vështirësitë, që do të dëshpëronin këdo por që u bë e lehtë, sepse lutja e tij u dëgjua fuqishëm nga Perëndia, sepse vizioni i tij përfshinte çdo hollësi, sepse dashuria e tij nuk përjashtonte asnjë, sepse hiri hyjnor e kishte përgatitur me kohë atë, të ngrinte kryqin e ngjalljes së bashku me popullin e vuajtur të Shqipërisë.
Dhe vepra, që çdo ditë rritet nën vëzhgimin e kujdesshëm e të përditshëm të Kryepiskopit është sigurisht e vështirë të përshkruhet në pak rreshta. Të paharruara do të mbeten kohët e para, kur Kryepeskopit i duhej të mësonte nga qyteti në qytet dhe nga fshati në fshat miqtë e tij më të dashur, fëmijët, si të bënin kryqin. Në të njëjtën kohë t’u bënte mësime intensive më të rriturve, që do të merrnin përsipër epitropitë, si të riorganizonin enoritë, të cilëve u mungonte gjithshka..
Kryepiskppi ato kohë takonte klerikët e mbetur e të stërmunduar dhe ndante me ta dhimbjen e Tij për shkatërrimet; njëkohësisht dhe përsëriste thirrjen për të grumbulluar njerëzit e rinj dhe të përgjegjshëm që do hirotoniseshin, për t’i shërbyer popullit të dhe kishës së Krishtit.
Sot, enoritë u ringritën dhe funksionojnë, pothuajse në të gjitha fshatrat dhe qytetet ku banojnë orthodhoksë. Puna hierapostolike u thellua me grupet e katekizmit, të cilat shpeshherë bëhen dhe nga vëllezër që vijnë nga Greqia. Misteret e shenjta mbushin gjithnjë e më dendur kishat tona.
Për këto zona Kryepiskopi ka hirotonisur 16 klerikë të rinj, ecurinë e të cilëve e ndjek me syrin e prindit. Dhe ndërsa në vitet 1993-1994 shkelte kudo, për të gjetur vendin e përshtatshëm për ndërtimin e kishave, për të vendosur gurin e themelit, në vitin 1996 edhe në Delvinë do të përuronte Kishën e parë, ndërkohë që dhjetra të tjera presin të njëjtën gjë. Përkulja e Tij lutëse në Tryezën e Shenjtë është tepër prekëse; shprehje mirënjohëse në emër të gjithë besimtarëve të Shqipërisë për Hirin e Perëndisë, që të vazhdojë kjo vepër e bukur dhe kjo rreze ngjalljeje shpirtërore, shoqërore dhe ekonomike.
Janë mbi 18 kisha të reja të mëdha dhe të vogla, të ndërtuara nga themelet në të gjitha zonat e Mitropolisë në Gjirokastër, në 21 janë bërë ndërhyrje serioze rikonstruktive kurse në mbi 20 të tjera janë bërë riparime të lehta. Ndërkaq, Kryepiskopi ka blerë dhe konstruktuar godinën e re të Mitropolisë në Gjirokastër dhe një godinë analoge, si Qendër Shpirtërore dhe Sociale Orthodhokse, po kështu dhe në Sarandë.
Të pandërprera kanë qenë përpjekjet e tij, sikundër edhe në gjithë vendin edhe në Gjirokastër për rifitimin e pasurisë kishtare.
Vizitat e Kryepiskopit Anastas në Gjirokastër, Sarandë, Himarë dhe Përmet kurrë nuk ishin të kufizuara në karakterin liturgjik. Ato fillonin në kishat e shenjta për të vazhduar më tej në takime me intelektualët, me studentët, me arsimtarët, me të rinjtë. Ligjërata dhe bisedime, për t’u treguar njerëzve Rrugën e Vërtetë, për t’i bërë krenarë për besimin Orthodhoks, për t’i bërë misionarë në të vërtetën me Krishtin, rrezatues të mirësisë.
Veçanërisht e ngrohtë është përkujdesja e Kryepiskopit Anastas për ata individë dhe grupe njerëzish që tranzicioni i gjeti krejt të pambrojtur. Janë me mijëra familjet nëpër fshatra dhe qytete, të cilat qysh ditët e para të krizës morën ndihmat humanitare që u grumbulluan pas thirrjes së tij. Sistemi i shpërndarjes që organizoi, shumë shpejt mbërriti në Përmet, Gjirokastër, Sarandë dhe Delvinë, ndonëse vështirësite nëpër rrugë janë të njohura nga të gjithë. Ilaçet dhe ushqimet që mbritën, së pari në spitalet e Sarandës dhe Gjirokastrës, si dhe në jetimore dhe shtëpitë e pleqve, e që vazhdojnë ende, janë dhuratë e Kryepiskopit Anastas, për të bërë më të lehtë dhimbjen e njerëzve të vuajtur.
Për të bërë më konkret besimin e tij, dhe shpresën e madhe, se Perëndia nuk do ta na lërë vetëm edhe në këto momente të vështira, në fillimet e Prillit, ai ishte në Gjirokastër për të themeluar kishë të re në Kakavie, për të bekuar fillimet e punimeve në Qendrën Shpirtërore, për të hirotonisur një prift të ri…
Hierarkut të dashurisë, të shpresës, të sakrificës e të ngjalljes, edhe besimtarët e Mitropolisë së Gjirokastrës, i dërgojnë urime të ngrohta “Për shumë vjet të denja”, në shërbim të Perëndisë!”
Orfea Beci
Mitropolia e Gjirokastrës