EmailFacebookKontakt

Kisha Orthodhokse – trup i gjallë krijues me kontribut të çmuar në shoqërinë shqiptare

Në 5-vjetorin e fronëzimit…

Mbarë populli orthodhoks i Shqipërisë përsërit njëzëri shprehjen ungjillore:

«I BEKUAR ESHTE AI QE VJEN NE EMRIN E ZOTIT»

dhe ju uron suksese të mëtejshme në misionin Tuaj të Shenjtë.

Kisha Orthodhokse – trup i gjallë krijues me kontribut të çmuar në shoqërinë shqiptare

Kremtimet e mëdha japin rast për bilance. Por, është e vështirë që të përfshish në pak rreshta arritjet e KOASH në këta 7 vjet të ringritjes nga gërmadhat. Edhe më vështirë është të përmbledhësh në një ngushtësi rreshtash kontributin e jashtëzakonshëm dhe të pazëvendësueshëm të Kryepiskopit, Fortlumturisë së Tij Anastasit, në këtë ngjallje të vërtetë nga terri i ateizmit, kontribut që e ka vënë Kishën tonë si të barabartë krah gjithë Kishave të tjera Orthodhokse të botës.

Kështu, brenda mundësive u krijua struktura administrative e Kryepiskopatës dhe e tri Mitropolive të tjera. U organizuan afro 400 enori nëpër qytete dhe fshatra. U zhvillua me ritme të shpejta veprimtaria liturgjike, arsimore dhe katekizmi. U bënë përpjekje për rimarrjen e pronave kishtare të shtetëzuara. U ngritën nga themelet 67 kisha të reja dhe 15 paraklise, u restauruan 63 kisha të vjetra me vlera historike-monumentale dhe u meremetuan mbi 90. Gjithashtu, u ngritën disa qendra të reja të rëndësishme kishtare, si: Kompleksi i Shkollës Theologjike-Hieratike (2.700 m2) pranë Manastirit të Shën Vlashit në Durrës, Qendra Administrative në Tiranë, kompleksi kishtar në Kavajë, qendra orthodhokse shpirtërore në Sarandë etj., ndërsa në Gjirokastër u ble një kompleks i tërë traditional me tri ndërtesa (mbi 2.000 m2), i cili do të përdoret si Mitropoli dhe qendër orthodhokse e kulturës.

Që në vitin e parë, vëmendja u përqëndrua tek përgatitja e klerikëve të rinj. Nga brezi i vjetër i tyre kishin mbijetuar vetëm 16 dhe ata në moshë të kaluar. Në shkurt të vitit 1992 nisi funksionimi i Shkollës Theologjike-Hieratike, trevjeçare, fillimisht në një hotel dhe tani po vazhdon në kompleksin që u përmend më lart. Në të pranohen ata që kanë mbaruar shkollën e mesme, të cilëve u jepet bursë e plotë. Por është në rritje edhe numri i a tyre që kanë mbaruar universitetin. Gjithsej, deri tani janë dorëzuar 81 klerikë.

Në shumë qytete veprojnë Shoqatat e Intelektualëve, të Grave dhe të Rinisë Orthodhokse, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm katekitik e shoqëror. Gjithashtu, janë siguruar edhe dy mjedise të posaçme për kampingje, sidhe, atyku ka pasur mundësi, janë organizuar kopshte të fëmijëve.

Kisha ka shtypshkronjën e saj dhe një shtab përkthyesish punon për përgatitjen dhe botimin e librave: liturgjike, katekike dhe shpirtërore orthodhokse. Kanë qarkulluar tashmë mbi 25 libra, veç ribotimit të Dhjatës së Re në shqip e greqisht, nga viti 1992 botohet gazeta mujore “Ngjallja”. Që nga viti 1992 KOASH, është anëtare e organizmave të mëdha ndërkombëtare kishtare, si Këshilli Botëror i Kishave dhe Koferenca Europiane e Kishave.

Një sektor i posaçëm, “Dhiakonia Agapi” (Shërbimi i Dashurisë) koordinon veprimtaritë sociale të Kishës sonë. Gjithë këto vite, mijëra ton materiale të emergjencës: ushqime, veshje, ilaçe etj., u janë dhënë jo vetëm orthodhoksëve, por dhe shumë të tjerëve që kishin nevojë, pavarësisht nga përkatësitë fetare. Gjithashtu, shumë të sëmurëve u janë krijuar lehtësi për t’u shëruar nëpër institucione spitalore.

Nga viti 1995 funksionon në Tiranë Poliklinika e Kishës sonë, e cila shpejt do të hyjë në godinën e re moderne që po ngrihet. Qendra të tilla shëndetësore po hapen në Korçë, Kavajë, Gjirokastër dhe qytete të tjera. Në krahinat malore të Shpatit e të Korçës janë përuruar programe të zhvillimit rural si: ujësjellës, për edukimin shëndetësor dhe ekonomi shtëpiake. Programe të tilla janë hartuar edhe për zona të tjera. Me punën e gjerë ndërtuese, Kisha kontribuon në zhvillimin ekonomik në një mënyrë të heshtur, duke u ofruar punë firmave vendase dhe qindra punëtorëve.

Për të gjitha këto, KOASH njihet sot, brenda edhe jashtë vendit, si një trup i gjallë krijues me një kontribut të çmuar në shoqërinë shqiptare.