Z. Nikolla Simaku, në artikullin e botuar në “Republika”, 21 qershor, “Vllehët: Gjithnjë për kulturë, dije, miqësi dhe demokraci – z. Agim Shehu, mos na mohoni”, i përgjigjet edhe sulmeve ndaj Kishës sonë dhe Kryepiskopit Anastas të bëra nga Shehu në një artikull të 15 majit, të po kësaj gazete:
“Nga goja e tij buron veç mirësi e pafund njerëzore”
…I përbindshëm Rita Marko, Vllah, ngriti rininë dhe prishi kishat e xhamiat. Vepër e përbindshme, i lavdëruar dhe i nxitur nga “Hoxhët” dhe “Shehët”. Thuaji gjërat të plota, jo vetëm sa për të njollosur me këtë fakt vllehet. Këto shkatërrime kurrë nuk mund t’i falë historia, por sidomos vllehët, të cilët dallohen për shumë fetarë, besnikë të orthodhoksisë të krishtere.
Zoti Agim, na lini të qetë në besimin tonë. Orthodhoksët janë ata më të dëmtuarit përsa i përket institucioneve fetare, kjo për arsye se si numër dhe vlerat e artit, humbën dhe u dëmtuan më shumë në kishat orthodhokse. Pra, ky përbindësh vllah, dëmtoi më shumë vllehët nga ka edhe prejardhjen.
Ka një rregull dhe jerarki ndër fetë e ndryshme. Perandoria e besimeve fetare, nuk përcaktohet nga kufijtë shtetërorë administrativë. Kufijtë e tyre mbarojnë aty ku nuk ka më njerëz të atij besimi. Mirë është që Primati i tyre të jetë nga ai vend dhe të dalë nga populli me besimin përkatës, sepse vetë ai e ka më të lehtë, por kur kjo nuk është e mundur, është e drejta e jerarkisë përkatëse kishtare të caktojë këdo, pavarësisht nga kombësia dhe vendi ku ka lindur. Primati ka të bëjë me besimin fetar dhe, e përsëris, besimi fetar nuk ndahet nga kufijtë shtetërorë. Në këtë kuptim, hirësia e tij Anastas është primat i besimit orthodhoks dhe jo “uzurpator” grek. Për orthodhoksinë shqiptare ai ka bërë dhe po bën shumë. Për ne Ai është shenjt. Dëgjojeni njëherë dhe do të bindeni se botkuptimi që ka ai për njeriun, si krijesë të Zotit, nuk ka të bëjë vetëm për ata që janë të të së orthodhokse. Nga goja e tij buron veç mirësi e pafund njerëzore.
Në kishë kushdo është i mirëpritur. Aty nuk flitet kurrë kundër feve të tjera. Këtë frymë e ka futur thellë tek njerëzit pikërisht ai “uzurpator” për të cilin flisni ju në artikullin tuaj…
Nikolla Simaku