IZRAEL
Dëmtohen rrënojat historike
Rrënojat e një kishe të Jeruzalemit të epokës Bizantine, u dëmtuan seriozisht gjatë punës për ngritjen e një kolonie të re çifute në pjesën arabe të qytetit. Ky incident është i fundit, në vazhdën e vendimeve për ndërtime të reja hebraike, veprim i cili ndërpreu proçesin e paqes arabo-izraelite.
“Megjithë paralajmërimet e bëra nga përgjegjësit e shërbimeve të monumenteve historike dhe instruksioneve të dhëna përgjegjësve të punimeve, ato u injoruan nga vetë ata, duke lejuar që të kalojnë mjetet e rënda mbi rrënojat e kishës”, – shkruante Reuter’s, sipas fjalëve të një përgjegjësi të monumenteve historike.
Kisha e Kathizmës është një nga ndërtimet më të vjetra bizantine në Palestinë, e ndërtuar në shek. V në rrugën midis Jeruzalemit dhe Betlehenut, për të pritur pelegrinët. Deri tani janë zbuluar nga arkeologët vetëm një pjesë e ndërtimeve, ndërsa pjesa më e madhe është ende nën tokë. E gjithë zona është e rrethuar me një rrjetë metalike, që s’mundi t’i rezistonte buldozerëve të ndërtuesve. Si rrjedhojë, sipas arkeologëve, dyshemetë në mozaik, me disa dizenjo unike, janë dëmtuar tepër. Po kështu, edhe mbetjet murale.
Vetëm 5 vjet më parë ishte arritur të bllokohej projekti i një rruge që do të kalonte mbi kishën.