EmailFacebookKontakt

Nga vepra e Shën Joan Gojartit (Krisostomit) për zemërimin / Triumfi i Kishës

Nga vepra e Shën Joan Gojartit (Krisostomit)
për zemërimin

Si do të mundim, pra, t’a zbutim inatin dhe zemërimin tonë?

Po të hedhim një sy në mëkatet tona dhe po të mendohemi, se sa përgjegjësi të madhe kemi kundrejt Perëndisë;

po të marrim parasysh, se me zemërim nuk e dëmtojmë armikun, po veten tonë;

po të sjellim ndër mend, se duke u zemëruar kënaqim djallin; djallin, armikun tonë të madh, për hirin e të cilit dhe për shkak të të cilit po i bëjmë keq vëllait tonë;

Pra, po t’i mendojmë këto, do të mundim ta zbutim e ta zhdukim krejt zemërimin.

Dëshiron, o vëlla, të jesh armik e hakmarrës? Të jesh armik, por i djallit, e jo i vëllait tënd! Zoti na armatosi me zemërim, që ta përdorim si shpatë e ta ngulim jo në trupin e vëllezërve tanë, po në atë të djallit…

Dhe shpatën e ngulim në trupin e djallit vetëm atëherë kur do të tregojmë dashuri e butësi kundrejt vëllezërve, kur do të sillemi në mes tonë me paqe e me urtësi. Le të shkojnë prapa diellit të hollat, lavdia dhe nderimet që na bëjnë bota; për mua vëllai është gjëja më e vlefshme se çdo gjë tjetër në këtë botë.

* * * * * *

Triumfi i Kishës

Kështu pra, ata e ngritën me shumë mundime e më shumë therrori ndërtesën madhështore të Kishës, që po shtrihet tani në tërë anët e botës. Në pak kohë u shumëzuan këto ndërtesa aq shumë, sa që habitet njeriu dhe mbetet me gojë hapur, kur mendon se këto u ndërtuan midis ndjekjesh, ndalimesh e pengimesh të mëdha. Fillo të ndërtosh jo shumë ndërtesa, po një vetëm; në qoftë se do të gjendesh përpara pengimesh, është e sigurtë se nuk do të mundesh ta mbarosh godinën. Pse vallë? Se ndalimet që të shfaqen përpara nuk të lenë as materialin e duhur ta mbledhësh, as gurët e gëlqere t’i përgatitësh e t’i ngjitësh si duhet. Dhe mos harro, se Apostujt ndërtuan Kishat jo me gurë e me gëlqere, por me anën e shpirtit dhe të vullnetit, gjë kjo që është shumë më e vështirë.

Me vërtetë, është më e lehtë të ndërtosh një mur e një godinë me gurë, se sa të ndërtosh e të kthesh një shpirt e ta bësh këtë të heqë dorë nga tërë veset e pasionet, në të cilët dergjej prej shekujsh të tërë, ta shtrëngosh të ndjekë rrugën e së vërtetës dhe të së mirës. Është një mrekulli e vërtetë kjo, do të thuash, vëlla i dashur. Vërtet mrekulli e madhe është kjo punë, që bënë disa njerëz të ulët, pa dituri, pa lavdi e pa fuqi, duke patur si armë vetëm ndihmën e përkrahjen e Atij që tha: “Mbi këtë shkëmb do të ndërtoj Kishën, dhe portat e Ferrit nuk do ta mundin dot.” Numëro sa tiranë u ngritën kundër kishës, sa ndjekje u bënë që atëherë, dhe do të besosh, se me të vërtet fuqia e Zotit ka qenë ajo, që e ngriti këtë ndërtesë kolosale të kishës.