EmailFacebookKontakt

Lutja – Parashijim i lumturisë Hyjnore

Lutja

Parashijim i lumturisë Hyjnore

Çfarë është lutja? Lutja është një dhoksologji, një lavdërim, një falenderim, një rrëfim dhe një ndërmjetim. “Kur u luta u rinova, por kur pushova së luturi u plaka”, ka shkruar një teolog i madh i Krishtërimit të hershëm. Lutja është rruga e rinimit dhe e jetës shpirtërore. Lutje do të thotë të kesh marrëdhënie të gjalla me Perëndinë. Lutja është fuqi, rifreskim dhe gëzim. Nëpërmjet hirit të Perëndisë dhe përpjekjeve tona të disiplinuara, lutja na ngre nga izolimi në një bashkim të dashur dhe të ndërgjegjshëm me Perëndinë, ku çdo gjë jetohet nën një dritë të re. Lutja bëhet një dialog personal me Perëndinë, një frymëmarrje shpirtërore e shpirtit, një parashijim i lumturisë në mbretërinë e perëndisë.

Si duhet të lutet një njeri? Vetëm Shpirti i Shenjtë mund të na udhëheqë të lutemi ashtu siç duhet. Ashtu siç një fëmijë mëson të ecë duke ecur, një njeri mund të mësojë më mirë të lutet, duke besuar në ndihmën e Perëndisë.

Gjithë shpirtin tënd përkushtoje në lutje! Mendo për kuptimin e fjalëve, me të cilat lutesh! Bëje lutjen personale! Ji këmbëngulës në lutje! Mos i hap rrugë pakujdesisë dhe neglizhencës! Forcoje lutjen tënde me një besim të gjallë tek Zoti, me një shpirt falës ndaj të tjerëve dhe me një jetë të vërtetë kristiane!

Kur lutemi thellë brenda zemrave tona, ne rritemi në lutje. Me anë të hirit të Perëndisë ne papritur kapin një pjesë të vogël të mrekullisë së pranisë së Shpirtit të Shenjtë që punon brenda nesh. Në fillim është vetëm një shkëndijë, por më vonë bëhet një flakë, që çliron dhe i jep energji gjithë qenies sonë, me kusht që të mos hidhërojmë Shpirtin e Shenjtë, dhe që, nëse mëkatojmë, të pendohemi menjëherë dhe t’i kërkojmë falje Perëndisë. Të përjetojmë zjarrin e dashurisë së shenjtë të Perëndisë, t’i bëjmë vend brenda nesh për të bërë pastrimin dhe shërimin, si një frymëmarrje e Shpirtit të Shenjtë dhe ta përdorim si dritë dhe fuqi në jetën e përditshme. Këto janë qëllimet dhe frytet e lutjes së vërtetë.

Lutje e Shën Filaretit të Moskës

O Zot, nuk di ç’të kërkoj prej Teje.
Vetëm Ti i njeh nevojat e mia të vërteta.
Ti më do më shumë se sa di të dua.
Ndihmomë të shoh nevojat që mund të jenë të fshehta për mua.
Nuk guxoj të të kërkoj as kryq, as ngushëllim.
Me zemrën hapur, vetëm Ty mund të pres.
Vizitomë dhe ndihmomë me dashurinë tënde të patundur.
Goditmë dhe shëromë; rrëzomë dhe ngrimë.
Në qetësi adhuroj vullnetin Tënd të shenjtë.
Të ofroj veten time si një flijim të gjallë.
Gjithë besimin tim e vendos tek Ti.
Nuk kam dëshirë tjetër veç bërjes së vullnetit Tënd.
Mësomë të lutem. Lutu në mua. Amin.