Pandelejmon Shëruesi (27 korrik)
U ushtrua rreth vitit 305 në vendlindjen e tij Nikodhimia, në bregdetin aziatik të Propondidës. Pandeleoni, siç quhej, ishte një mjek i dalluar, fryt i idhujtarit Efstorgi dhe e Shën Evulit (30 mars), që ishte e krishterë nga paraardhësit e saj, por që vdiq herët. Duke “eksperimentuar” ai ngjalli, duke thirrur Zotin, një fëmijë që e kishte pickuar një nëpërkë, kështu që u pagëzua nga Shën Hermolau (26 korrik). Prifti, d.m.th Shën Hermolau, e bëri të përsosur në besim dhe e bindi atë se Jisui shëron më me efikasitet se mjekësia që studionte atëhere. Ndaj, Pandeleoni u lut dhe vërtet ngjalli fëmijën. Më vonë Pandeleoni u bë shkas që të martirizohej Hermolau dhe të fitonte kështu kurorën e pavyshkur të shenjtërisë. Pandeleoni shëroi në mënyrë mrekullibërëse edhe një të verbër të pashërueshëm (kremtohet sot). Pra, u ndriçuan dhe u pagëzuan ish i verbëri dhe Efstorgi, (i cili tashmë ishte ndikuar nga i biri), por kolegët e tij bashkëkombas treguan smirë ndaj shkencëtarit shpresëtar. Shëruesi, pas vdekjes së të atit, ndau pasurinë e vet dhe shëronte falas – prandaj quhet edhe “anargjer” – duke kërkuar vetëm besimin tek Jisui. Mjekët e denoncuan tek perandori Maksimian (v. 286-305). Në gjyq sollën edhe të verbërin, që tashmë ishte i krishterë entuziast, i cili u tall me mbretin, kështu që i prenë kokën. Pandeleoni kërkoi e shëroi para tyre një të paralizuar, gjë që nuk kishin mundur ta bënin kundërshtarët e tij dhe shumë njerëz besuan. Maksimiani më kot u përpoq ta frikësonte shenjtin, të cilin e deshte pa masë. Dhe e urreu! Urdhëroi dhe e torturuan, por Perëndinjeriu, që shfaqej si Hermolau, bënte shpesh që të mos vepronin xhelatët dhe të mos funksiononin veglat e torturës, e shëronte dhe e shpëtonte. Por, tirani i zemëruar nuk tërhiqej. Martirin e madh e gërvishën me thonj hekuri; e dogjën me llambadha; e hodhën në plumb që ziente, në det me gur të lidhur në trup; tek egërsirat; e lidhën në një rrotë të rëndë dhe e lëshuan tatëpjetë. Shpata që do t’i priste më pas kokën, u përkul si qiri dhe ushtarët u tronditën. Por, Pandelejmoni (=shërues i të gjithëve), që kështu e quajti atëherë zëri hyjnor, u thoshte të zbatonin urdhërin, që ai të fitonte kurorën e të ushtruarit. Nga prerja që bëri shpata doli qumësht, ndërsa ulliri i thatë, në të cilin ishjte i lidhur, lulëzoi menjëherë dhe lidhi fryte! Në ikonë paraqitet duke mbajtur një kuti me ilaçe.
At Justini