EmailFacebookKontakt

Kristina, Martire e Madhe

Nga shenjtorët e muajit

Kristina, Martire e Madhe (24 korrik)

Fëmijë e vetme e gjeneralit idhujtar Urban, u lind e jetoi në qytetin bregdetar të Tirit, në veri të Palestinës, në kohën e Sebirit (v. 193-211). Për shkak të bukurisë së saj u mbyll nga i ati në një kullë luksoze, nga ku, duke vështruar qiellin me yje, filozofonte për Krijesën dhe Krijuesin e saj. Atëhere, me anën e zbulesës hyjnore, besoi tek Krishti dhe nuk u falej më idhujve të saj prej ari, siç e këshillonin prindërit. Për më tepër, një natë ajo i copëtoi ato dhe ua shpërndau të varfërve. Pas kësaj, Urbani dha urdhër dhe e torturuan. E goditën pa mëshirë; e varën dhe i gërvishën mishrat; e vendosën në një rrotë, ku poshtë kishte zjarr, i cili dogji shumë, por jo vajzën; e burgosën pa ushqim dhe ujë, por ndërkohë, e ushqeu dhe e shëroi engjëlli; e hodhën në det, duke i varur gur në trup, por ajo pa Shpëtimtarin që e pagëzoi. Pastaj u ndodh në stere shëndoshë e mirë. I ati e burgosi përsëri për ta ekzekutuar si magjistare, por po atë natë ai dha shpirt me dhimbje. Pasardhësi i tij, pasi nuk i ktheu besimin me lajka, dha urdhër ta rrihnin dhe ta hidhnin në zift të zier, t’i rruanin kokën dhe ta bridhnin rrugëve të zhveshur. Virgjëresha në vend që t’i falej idhullit të Apollonit, urdhëroi dhe u vetshkatërrua dhe si rezultat sundimtari vdiq nga hidhërimi. Në sajë të mrekullive të saj u kthyen 3.000 idhujtarë. Sovrani i ri e hodhi në furrë, por ajo brenda furrës, e paprekur, psallte së bashku me engjëjt; e hodhi tek zvaranikët helmues, por nuk u prek. Madje ngjalli zbutësin e egërsirave, të cilin e kishin kafshuar gjarpërinjt kur i ndërsente kundër saj. Pastaj xhelatët i prenë gjinjtë e në vend të gjakut, i rodhi qumësht. I prenë edhe gjuhën që pohonte Krishtin, të cilën ajo vetë ja hodhi tiranit në sy, i cili u verbua si dënim, siç ja sqaroi ajo, duke i folur qartë edhe pse nuk kishte gjuhë! Së fundi, e shpuan me shtizë në brinjë e në zemër dhe kështu fitoi (24 korrik) kurorën që i kishte parathënë një zë qiellor.