Mjeku pranë jush
Cefalea ose dhimbja e kokës
Dhimbja e kokës është ndër ankesat më të shpeshta, që e detyron të sëmurin të konsultohet në Neurologji. Zor se mund të gjesh ndonjë njeri që gjatë jetës së tij të mos ketë provuar, qoftë edhe një herë të vetme, dhimbje koke. Është e shumëllojshme; mund të jetë shtrënguese, rrahëse, shpuese, që shoqërohet shpesh me të vjella, të përziera, marrje mendsh, prishje të ekuilibrit, turbullirë të pamjes, rëndim të dorës ose të këmbës etj. Ka shumë të sëmurë që veç të tjerave nuk durojnë dot zhurmën dhe dritën. Dhimbja e kokës prek të gjitha moshat. Edhe kohëzgjatja e saj është e ndryshme.
Shpesh herë ajo prek vetëm gjysmën e kokës, herë e lokalizuar në pjesën e përparme, afër syrit dhe herë në pjesën e prapme, e shoqëruar edhe me dhimbje të qafes.
Koka është shumë e pajisur me mbaresa nervore dhe enë gjaku. Në ngacmimet dhe reagimet e këtyre elementëve duhet kërkuar shkaku i dhimbjes së saj.
Në këtë shkrim të shkurtër do të përmendim disa sëmundje, në të cilat dhimbja e kokës është shenja kryesore e tyre.
Dhimbja e kokës dhe Hipertensioni Arterial. Kjo shpesh është e lidhur me një gjendje ankthi e shkaktuar nga zbulimi i hipertensionit. Ajo lokalizohet në pjesën e prapme të kokës dhe shfaqet sidomos në mëngjes dhe theksohet gjatë ditës. Nëqoftëse hipertensioni është i lartë, dhimbja e kokës shoqërohet edhe me të përziera, turbullirë të pamjes dhe ndonjëherë edhe me çrregullime të të folurit. Me normalizimin e tensionit shkon drejt pakësimit edhe dhimbja e kokës.
Dhimbja e kokës nga rritja e presionit në brendësi të kokës. Kjo shfaqet në gjysmën e dytë të natës ose ndaj të gdhirë. Shoqërohet me të vjella të forta, prishje të ekuilibrit, çrregullim të pamjes dhe shenja të tjera.
Të gjitha dhimbjet e kokës, që nuk qetësohen me mjekimin e zakonshëm (madje mund të theksohen me kalimin e kohës) dhe që vihen re tek një i sëmurë, i cili zakonisht nuk ka pasur dhimbje të tilla, duhet të na bëjnë të mendojmë për një rritje të presionit në brendësi të kokës. I sëmuri në këtë rast dërgohet për të bërë egzaminime paraklinike.
Dhimbja e kokës në sindromet meningeale (meningjitet ose hemoragjitë e cipave të trurit). Është që në fillim shumë e fortë dhe me vendosje të menjëhershme ose të shpejtë, që përhapet në të gjithë kokën. Është e vazhdueshme dhe rëndohet nga zhurma, nga drita si dhe nga lëvizja më e vogël. Ajo shoqërohet me dhimbje të qafës, të shpinës, si dhe me të vjella të forta. Të sëmurët mund të kenë temperaturë të lartë dhe ngrirje të qafës. I sëmuri duhet të shtrohet sa më parë në spital dhe t’i bëhet sa më shpejt punksioni lumbar, egzaminimit që do t’i japë mjekut të dhëna të rëndësishme për origjinën e dhimbjes së kokës. Kur kemi të bëjmë me hemoragji të cipave të trurit, një egzaminim i rëndësishëm është arteriografia cerebrale.
Migrena është një dhimbje koke rrahëse (pulsuese), që manifestohet me kriza të përsëritura, të cilat shpesh prekin gjysmën e kokës dhe zgjasin deri në 48 orë. Krizat shoqërohen, pothuajse përherë, më të përziera ose të vjella. Ato shpesh paraprihen nga disa simptoma, si: anoreksi, lodhje, gjendje euforie, labilitet emocional, ngandonjëherë oreks i madh.
Krizat e migrenës fillojnë në adoleshencë dhe te të rinjtë. Në intervalin ndërmjet krizave nuk kemi dhimbje të kokës. Mund të kemi disa pjestarë në familje me migrenë. Femrat preken më shpesh. Nga migrena vuajnë 10 deri në 20% e njerëzve. Me kalimin e moshës krizat e migrenës rrallohen. Kështu thuhet se “migrena plaket me moshën”.
Në disa raste, kriza shoqërohet me shenja, si paralizë e dorës ose e këmbës, çrregullim i të folurit etj., që si rregull paraprijnë dhimbjen e kokës. Këto shenja janë kalimtare. Në rast se ato persistojnë duhet kërkuar një dëmtim i trurit.
Ndër faktorët që shpërthejnë krizën e migrenës mund të përmendim: tensionet nervore, lodhjen fizike, ndryshimet e motit, urinë, alkolin, disa lloje ushqimesh, pagjumësinë, alergjitë e ndryshme, periodat te gratë, migrena e fundit të javës etj.
Mjekimi i migrenës është individual. Kemi mjekim të krizës dhe kur ajo është e shpeshtë (p.sh. 2 kriza në javë) kemi mjekimin mbajtës.
Cefaletë psikogjene janë të shpeshta. Lokalizimi i tyre është shpesh mbrapa kokës dhe përshkruhen si ndjesi nga më të ndryshmet në sipërfaqen e saj, si të “padurueshme”, në një kohë që pak e pengojnë jetën socio-profesionale të sëmurit. Shpesh kemi të bëjmë me të sëmurë ku dominon gjendja e ankthit, e depresionit. Egzaminimi neurologjik dhe egzaminimet e tjera janë normale. Janë rezistente ndaj mjekimit.
Sinuzitet kronike shoqërohen me dhimbje koke në ballë, rreth syrit ose në nofullën e sipërme, që theksohet kur i sëmuri e përkul kokën përpara. Shpeshherë të sëmurët kanë hundët e bllokuara. Një radiografi e sinuseve përcakton diagnozën.
Disa anomali okulare, si miopia, hipermetropia, glaokoma shpjegojnë disa dhimbje koke, që vihen re sidomos në mbrëmje ose shkaktohen nga sforcimi i madh gjatë leximit. Në këto raste i sëmuri duhet të drejtohet tek mjeku okulist.
Dhimbjet e kokës nga spondiloartroza cervikale. Nuk janë aq të shpeshta sa mendohet. Këto janë me lokalizim mbrapa kokës dhe përhapen në qafë, duke u shoqëruar me një kontrakturë të muskujve të saj. Ato rëndohen ose mund të provokohen nga disa lëvizje të kokës. Janë dhimbje të vazhdueshme, më të theksuara në mëngjes dhe qetësohen disi në mbrëmje, por pa u shuar plotësisht. Si shkak i tyre mund të jenë një spondiloartrozë e qafes, një pozicion i detyruar i kokës etj. Dhimbja shtohet kur prekim ose shtypim lehtë muskujt e qafës. Në to duhet evituar masazhi i qafës, si dhe vendosja e borsave të ngrohta ose të ftohta.
Dhimbjet vaskulare të fytyrës janë rrotull syve, gjithmonë në të njëjtën anë. Ato vijnë në formën e krizave që zgjasin nga disa minuta në disa orë, përsëriten shumë herë brenda ditës, shoqërohen me skuqje dhe lotim të syrit, zvogëlim të tij në anën e dhimbjes, rrjedhje të hundëve etj.
Preken më tepër meshkujt e rinj, të cilët thonë se edhe babai i tyre ka pasur të njëjtën dhimbje.
Dr. Sokrat Xhaxha