EmailFacebookKontakt

Veprimtari të Rinisë Orthodhokse

Pas Liturgjisë Hyjnore të së dielës, 1 Qershor, mjediset e kishës së Shën Prokopit në Tiranë do të mblidhnin të rinj e të reja, anëtarë të Lidhjes Orthodhokse “Bij të Dritës”, dega e Tiranës në një takim përgatitor për zhvillimin e zgjedhjeve të reja të të kryesisë së Lidhjes.

Paraqitja e përmbledhur e veprimtarive dhe e punës, të këshillit ekzistues nga Miron Çako, për periudhën 2-vjeçare, ia la vendin paraqitjes nga Kristina Hanxhari të statutit provizor të Lidhjes “Bij të Dritës”. Me bekimin e Kryepiskopit Anastas, ky statut, pas diskutimeve të shumta me klerikë e juristë, do shërbejë si një dokument udhëzues bazë në veprimtarinë e Lidhjes.

Në paraqitjen e statutit u vu theksi në disa nga artikujt më të rëndësishëm të tij, si në emrin, qëllimin, objektivat dhe strukturën e Lidhjes, strukturën e këshillit rinor, detyrat e çdo anëtari të Lidhjes dhe çdo anëtari të këshillit rinor, si dhe procedurën e votimit.

Gjithashtu, u theksua se ky statut është quajtur provizor, pasi formë të plotë do të marrë në një diskutim që do të bëhet në lidhje me të, në takimin kombëtar të përfaqësuesve nga të gjitha grupet e të rinjve orthodhoksë, kudo në Shqipëri.

Në fund të takimit u bë njohja me 18 kandidatët për këshillin e ri rinor që do të zgjidhej.

Pas një periudhe përgatitore, të rinj, nxënës e studentë, anëtarë të Lidhjes “Bij të Dritës”, u mblodhën të dielën e 8 qershorit në mjediset e Qendrës rinore të Kishës, për të zhvilluar zgjedhjet për këshillin e ri rinor. Pas lutjes për mbarëvajtjen e punës, filloi procesi i votimit, i cili u zhvillua në qetësi të plotë, sipas të gjitha rregullave, me pjesëmarrjen e një numri të madh votuesish. Pas numërimit të përgjithshëm të votave nga komisioni, u shpall lista e 7 anëtarëve të këshillit të sapo zgjedhur. Me votat e të gjithë anëtarëve të këshillit, kryetar i Lidhjes u zgjodh i riu Irine Pandelemoni, aktualisht student në Seminarin Teologjik.

Korresp. i “Ngjalljes”