– Përzgjedhje nga ligjërata e Kryepiskopit Anastas, mbajtur në forumin me temë: “Duke krijuar një dialog me fetë dhe kulturat”. –
…Ndërsa qëndrimi i krishterë ka qenë në mjaft raste kritik ndaj feve si sisteme dhe njësi organike, ne të krishterët duhet t’i ballafaqojmë me shumë mirëkuptim, respekt dhe dashuri njerëzit, të cilët jetojnë në klimën e feve dhe ideologjive të tjera. Sepse një qenie njerëzore vazhdon të mbartë “ngjashmërinë” e Perëndisë, duke zotëruar si përbërës të qenësishëm të personalitetit të tij/saj njerëzor i mendje, vullnet të lirë, forcë për dashuri dhe prirjen për të kapërcyer vetveten…
…Sot, në “megalopolin gjigand” të quajtur tokë, nën një fermentim të ri kulturor, fetar dhe ideologjik, të jesh në dialog me njerëz të besimeve të tjera, sigurisht paraqet një sfidë të re dhe mund të jetë shumë produktive. Duke jetuar humanizmin e përbashkët dhe dëshirën e zjarrtë për një komunitet botëror paqeje, drejtësie dhe dashurie, çdo njëri dhe çdo traditë duhet të ofrojë më të mirën që ka trashëguar nga e kaluara dhe në dritën e përvojës dhe kritikës së të tjerëve, të rrisë farat më të mira të së vërtetës që zotëron.
Në një perspektivë të tillë, temat e reja që po shfaqen nga revolucioni i sotëm teknologjik, elektronik dhe sfidat e reja që shkundin komunitetin botëror, mund të jenë më konstruktive: për shembull, çështja e paqes dhe drejtësisë në botë, dinjiteti njerëzor, të drejtat e njeriut në përgjithësi, kuptimi i zhvillimit të ekzistencës dhe historisë njerëzore, ambjenti natyror. Edhe pse në vështrim të parë ato duket të jenë “të jashtëm”, një shqyrtim më i thellë prej një perspektive fetare mund të ofrojë një hapje dhe vizion të ri…