“Pajtimi – Dhuratë e Perëndisë dhe Burim i Jetës së Re”
– Nga 23-29 qershor në Graz, Austri u mbajt Asambleja e Dytë Ekumenike, me temë Pajtimin –
– Mori pjesë një delegacion nga KOASH, i drejtuar nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, Prof. Dr. Anastasi, i cili drejtoi edhe forumin për dialogun mbi fetë dhe kulturat. –
Pas Asamblesë së Parë Ekumenike Europiane mbajtur në Bazel 1989, Kishat e Europës vendosën të mblidhen edhe njëherë në Graz nga data 23 deri në 29 Qershor 1997. Qëllimi ishte të shqyrtohej ajo çfarë ishte arritur dhe gjithashtu të motivohej prej thirrjes së Shën Pavlit: “Ju lutemi për Krishtin, pajtohuni me Perëndinë”.
Kështu në qytetin e Grazit, një qytet me 300000 banorë dhe ku mbizotërojnë gjithë tonalitetet e të gjelbrës, u zhvillua Asambleja e 2-të Ekumenike Europiane, e cila u konsiderua si ngjarja më e rëndësishme ekumenike deri në fundin e këtij mijëvjeçari. Ky eveniment u sponsorizua nga Konferenca Europiane e Kishave (KEK) dhe nga Konferenca e Këshillit Europian të Episkopëve të Kishës Katolike (KKEE). Mbi 150 Kisha Europiane, përkatësisht Orthodhokse, Anglikane, Katolike e Vjetër, Baptiste, Lutheriane, Metodiste, e Pendekostisë dhe e Reformuar me mbi 10000 pjesëmarrës nga të gjitha shtetet e Europës qenë të pranishëm në këtë Asamble, përfshirë këtu 700 delegatë me të drejtën e votës. Të tjerët qenë pjesëmarrës, delegatë përfaqësues, këshilltarë, folës, përkthyes, koordinatorë lokalë, përfaqësues të masmedias, si dhe të rinj që shërbenin vullnetarisht për të lehtësuar punën e Asamblesë.
Nga Kisha e Përgjithshme Orthodhokse, në këtë Asamble pritej prania e tre Primatëve Orthodhoksë: e Patriarkut Vartholome të Kostandinopojës, e Patriarkut Aleks të Rusisë dhe e Kryepiskopit të Shqipërisë Anastasit. Ndërsa vetëm Fortlumturia e Tij Kryepiskopi Anastas mori pjesë në zhvillimin e plotë të Asamblesë deri në fundin e saj. Patriarku Aleks i Moskës qe i pranishëm vetëm ditën e parë ku pati dhe ligjëratën e sesionit plenar hapës të Asamblesë së bashku me Kardinalin Karlo Maria Martini, Kryepiskop i Milanos, ndërsa Patriarku Vartholome nuk erdhi.
Tetë vite kanë kaluar që nga Asamblea e Parë Ekumenike Europiane mbajtur në Bazel në 1989, e para e këtij lloji dhe një parashikim i gëzueshëm i ndryshimeve të rëndësishme që do të ndodhnin në Europë, duke sjellë një përhapje të gjithanëshme të lirisë me fundin e “Luftës së Ftohtë”. Por, sërish ky kontinent vuan tragjedi dhe ndarje. Nevojitet kurajo për një ndryshim themelor. Dhuna ende e pranishme në politikë, në sisteme ekonomike dhe në kulturë, dhimbjet dhe lotët e pafajshëm të aq shumë njerëzve, sfida e vdekjes – qenë këto shqetësimet në zemrat e 700 delegatëve të kishave dhe të mijra pjesëmarrësve gjatë udhës së tyre për në Graz.
Pas sesionit plenar hapës dt. 23 Qershor, ku Patriarku Aleks i Rusisë mbajti fjalën hapëse, u zhvillua ceremonia hapëse e adhurimit, ku i pranishëm qe dhe Presidenti i Austrisë. Më pas, mbrëmje kulturore pasuan në mjaft sheshe të qytetit. Programi i Asamblesë në ditët që pasuan qe tepër i ngjeshur. Ai do të hapej me lutjen ekumenike të mëngjesit për të vazhduar me studimin biblik. Më pas me sesionet plenare, grupet e punës, forumet e dialogut, takimet kombëtare si dhe evenimentet kulturorë që shoqëronin çdo mbrëmje të Asamblesë.
Forumet trajtonin 6 subjekte të ndryshme: “Kërkim për një unitet të dukshëm ndërmjet Kishave”; “Duke krijuar një dialog me fetë dhe kulturat”; “Përkushtim për drejtësi shoqërore, për të kapërcyer mbi të gjitha varfërinë, denigrimin social dhe të tjera forma diskriminimi”; “Krijimi i një sensi më të madh përgjegjësie kundrejt ambjentit, para së gjithash në lidhje me brezat e ardhshëm”; “Duke arritur një marrëdhënie të ekuilibruar me fetë e tjera të botës.”
Fortlumturia e Tij Kryepiskopi Anastas ishte caktuar moderator dhe drejtues i njërit prej forumeve, konkretisht atij me temë: “Duke krijuar një dialog me fetë dhe kulturat”. Kjo u bë mbi bazën e faktit, se Kryepiskopi i Shqipërisë, Prof. Dr. Anastasi për 25 vite ka qenë profesor i fakultetit theologjik të Athinës në lëndën e Historisë së Feve. Ai ka kryer një punë shkencore në këtë fushë dhe ka shkruar disa studime, të cilat trajtojnë studimin e feve të tjera, përmendim këtu librin mbi Islamin dhe gjithashtu njohjen e dialogun, si midis feve të krishtera, ashtu dhe midis feve të tjera jo të krishtera. Të gjitha këto shkrime karakterizohen nga një kërkim shkencor dhe njohje e thellë e zhveshur nga paragjykimet, shquhen nga toleranca si dhe nga vërtetësia që buron prej dijes së Perëndisë. Përveç kësaj ai ka marrë pjesë aktivisht gjatë tre dekadave të fundit në Lëvizjen e Krishterë Ekumenike ku dhe mjaft herë është caktuar drejtues i seancave në konferencat e Këshillit Botëror të Kishave. I gjithë ky bagazh jetësor dhe shpirtëror u pasqyrua në fjalën e tij gjatë drejtimit të forumit, e cila krijoi admirim të veçantë në radhët e dëgjuesve, stimuloi një diskutim konstruktiv duke influencuar ndjeshëm jo vetëm forumin, por dhe grupet e punës në ditët që pasuan. Po kështu, kontributi i tij serioz e konstruktiv në seancat plenare u bë mjaft herë subjekt referimi. Ishte falë kontributit personal të Kryepiskopit Anastas që Kisha Orthodhokse të cilën ai udhëheq arriti të fitojë një prezencë të dukshme serioze e dinjitoze në Konferencën Europiane të Kishave.
Asambleja i mbylli punimet e saj ditën e shtunë dt. 28 Qershor me sesionin plenar përfundimtar, ku u votua për dokumentin e punës si tekst bazë përfundimtar. Një pritje për 700 delegatët e Asamblesë u dha nga Guvernatorja e krahinës së Styrias dhe Kryetari i Bashkisë së Graz-it.
Delegacioni i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë në këtë Asamble përbëhej nga Kryepiskopi Anastas, Artan Kosti sekretar i Kryepiskopatës, dhe Andi Nikolla.
Në Asamble ishte i pranishëm nga Shqipëria dhe një delegacion i Kishës Katolike.
Sikurse u tha në numrin e kaluar të gazetës kjo asamble do të pasohet nga Asambleja e 11-të e KEK me temë të përbashkët, – Pajtimin. Për këtë një delegacion tjetër u dërgua nga KOASH i përbërë nga arkimandrit Joan Pelushi, Garentina Gramo dhe Irine Pandeleimon kryetar i Lidhjes së Rinisë Orthodhokse.
Andi Nikolla
KEK u krijua në Janar 1959 në Nyborg, Danimarkë. Ishte epoka e Luftës së Ftohtë, gjatë së cilës personalitete të ndryshëm drejtues, nga kisha e lindjes dhe e perëndimit kërkonin për një mundësinë e krijimit të një ure të kishave midis blloqeve politikë dhe përmes Perdes së Hekurt. Që atëherë, një nga qëllimet kryesore të KEK ka qënë të ngrejë ura ndërmjet: Kishave dhe të Krishterëve në Lindje e Perëndim, në Veri e Jug; ndërmjet Kishave në minorancë dhe atyre në maxhorancë; ndërmjet laikëve dhe klerikëve, burrave e grave, të rinjve e të moshuarve; midis Kishave dhe institucioneve politikë.