“Të denjë për të marrë pjesë në lumturinë e Tij”
Historinë e mëposhtme ia tregoi Atit të vet Shpirtëror një virgjëreshë e kushtuar Perëndisë dhe ai e shkroi ashtu siç e dëgjoi nga goja e saj, për ta mësuar edhe të tjerët që të përfitojnë shpirtërisht:
Prindërit që më sollën në jetë, ishin tërësisht të ndryshëm në karakter. Babai ishte njeri shumë i mirë, por shumë shëndetlig. Vuante me durim të jashtëzakonshëm dhe askush nuk e dëgjoi ndonjëherë të ankohet për sëmundjen e tij munduese. Fliste rrallë, shumë njerëz e kujtonin memec, nga që i lutej vazhdimisht Perëndisë me mendjen dhe zemrën e tij. Pjesën më të madhe të fitimeve të pronave ua ndante të varfërve.
Nëna, përkundrazi, ishte tip gruaje të dalë. Donte me pathos mirëqenien, argëtimet, stolitë e fustanet e shumta. Harxhonte kaq tepër, sa kishim gjithmonë vështirësi ekonomike. Së pari, kujdesej për veten dhe pastaj për familjen. Për burrin e saj nuk tregonte dashuri dhe me antipatinë e saj të hapur i shtonte vuajtjet.
Kur isha ende vajzë e vogël, babai ndërroi jetë dhe në vdekjen e tij ndodhi diçka që më la përshtypje të tmerrshme: Koha ishte shumë e keqe, erë, shi, vetëtima, sa që ishte e pamundur të dilnim ta varrosnim! Mbajtëm kështu kufomën tre ditë në shtëpi. Përfundimisht, dy burra nga të afërmit tanë u detyruan, me shumë vështirësi, ta çojnë në varreza dhe ta varrosin nxitimthi. I përbuzur edhe në vdekjen e tij babai im i mirë, pasi nuk iu bë as varrim. Disa fqinjë të këqinj, madje, duke parë gjithë atë mjerim, e përgojonin: “Kush e di sa mëkate ka bërë, përderisa nuk lejon Perëndia as të varroset.”
Pas kësaj, nëna ime, pa pengesa tani, mori tatëpjetën morale dhe e shndërroi shtëpinë tonë në vend ferri. Por nuk jetoi gjatë. Vdiq papritur, pasi kishte shpenzuar ndërkohë gjithçka që kishte mbetur nga pasuria e babait. Miqtë e saj, veç, i bënë varrim madhështor. Dhe koha ishte e mrekullueshme…
Unë, që e kisha kaluar tani moshën fëminore, u gjenda e vetmuar në botë, në dilemë të madhe se çfarë rrugë të ndiqja. Mendimet më mundonin.
– Çfarë të zgjedh? Kam përpara meje dy shembuj: atë të nënës dhe atë të babait. Ai ishte i mirë, por fatkeq. Nëse i kishte pëlqyer Perëndisë, përse e mundoi kaq shumë? Nëna ime nuk kishte bërë jetë të moralshme. Por, veçse, pati gjithë të mirat që mund të dëshirojë njeriu, shëndetin, mirëqenien, shumë njohje dhe iku e kënaqur nga bota?…
Sa më shumë që e mendoja dhe krahasoja me mendjen time të vogël, aq më shumë anoja, e mjera, nga jeta e nënës sime. Po, Perëndia njeridashës më përdëlloi dhe më drejtoi në rrugën e drejtë, me këtë mënyrë paradoksale:
Një natë, kur rashë për të fjetur, pashë një ëndërr treguese. Ndjeva papritur të hapet dera e dhomës sime dhe të hyjë brenda një i ri me fytyrë të ndritshme dhe madhështi të pakonceptueshme. Më hodhi një vështrim përshkues, sikur të donte të më hetonte skutat më të fshehta të zemrës sime.
– Ç’farë mendon? – më pyeti me zë jashtëzakonisht të rreptë, por melodioz.
U habita, u tremba dhe m’u pre zëri. Ai këmbëngulte:
– Më trego menjëherë mendimet e tua.
Sa më i rreptë bëhej hetuesi i panjohur, aq më shumë paralizohesha nga frika. Pasi nuk mirrte përgjigje, më tregoi vetë mendimet që aq shumë më mundonin. Rashë atëherë si e pandehur në këmbët e tij dhe i lutesha me dënesë të më falte.
– Ndiqmë nga pas, – më urdhëroi.
Më mori përdore dhe, si rrufe, më solli në një lëndinë plot me dritë dhe bukuri. Nuk do të përpiqem ta përshkruaj, sepse të papërshkrueshmet nuk përshkruhen. Qenie të lumtura shijonin më qetësi ato bukuri qiellore. Midis tyre njoha babain tim. Më pa edhe ai. Erdhi pranë meje. Më mori në prehërin e tij. Sa siguri dhe lumturi ndjeva! Nuk doja të ndahesha më. I lutesha të mos më linte të ikja.
– Tani nuk bëhet kjo që kërkon, – më tha dhe zëri iu bë më serioz. – Nëse do të ndjekësh rrugën time, do t’i përgatisësh vetes qëndrim këtu. Nga dëshira jote varet.
Shoqëruesi im më bëri shenjë t’i shkoja pas përsëri.
– Është e nevojshme, – më tha, të shikosh edhe nënën tënde.
I shkova pas, e trishtuar që më ndau nga lumturia ime. Tani zbrisnim. Zbrisnim gjithmonë edhe më tepër në një vend të papastër, të errët. M’u mor fryma nga ndotja dhe nga frika. Figura monstruoze silleshin rrotull kudo. Shpirtëra të mjera torturoheshin, pa mëshirë, nga flakë të pashueshme. Midis tyre pashë nënën time, të fundosur gjer në grykë në atë që m’u duk si lavë e ndyrë. Thirrjet e saj ishin therrëse, rënkimet të pandërprera, kërcitja e dhëmbëve të saj të therrte në zemër. Duket më njohu, se shpërtheu në vaj të papërmbajtur.
– Mjerë unë e mjera. Ja çfarë fitova për atë pak qejf. Dëshpërim dhe vuajtje pa fund.
Për pak sa nuk mbeta e vdekur nga trishtimi im. Nëna ime fatkeqe u kthye dhe më pa.
– Ki mëshirë për mua, bija ime, për atë që të lindi dhe të rriti, – filloi të thërriste pashpresë.
Ç’të bëja? Zgjata dorën, duke menduar se mund ta ndihmoja atë që më kishte sjellë në jetë. Por, duke prekur lavën, ndjeva një dhimbje kaq të madhe, sa shpërtheva në të bërtitura të forta. Ngrita në këmbë gjithë lagjen. Pas pak shtëpia ime ishte mbushur me njerëz. Më gjetën në pikë të hallit. Shumë prej tyre mendonin se kisha humbur logjikën. Më ishte e pamundur t’u shpjegoja çfarë po më ndodhte. U tregoja plagën e frikshme që më kishte lënë në dorë ajo djegie. Qëndrova në shtrat për një kohë të gjatë, e sëmurë rëndë. Kur me hirin e Perëndisë, u bëra mirë, ndoqa pa hezitim rrugën e babait tim dhe shpresoj në mëshirën e Zotit tim se do të më shpëtojë dhe do të më bëjë të denjë të marr pjesë në lumturinë e Tij.