Duke thyer barrierat
Nga At Luka Veroni
Sa shpesh njerëzit ngrenë barriera të cilat i pengojnë ata të vijnë më afër Perëndisë! Pengesa të mëkatit, krenarisë, zakoneve të këqija. Shpesh, ne të krishterët lejojmë që ndonjë prej tyre (apo disa) të na ndalojë të ndajmë me njerëzit e tjerë lajmin e mirë të shpëtimit.
Ndërsa Ungjilli është i mbushur me rrëfime, në të cilat Isui thyen barrierat. Ai nuk lejonte asgjë ta ndalonte nga ndarja e lajmit të mirë të shpëtimit me njerëzit e tjerë.
Isui flet me prostitutën dhe gruan kurorëshkelëse dhe u jep atyre faljen. Isui takon lebrozët e përbuzur dhe u jep shërimin. Isui hyn në shtëpinë e tagrambledhësit të urryer dhe sjell shpëtimin. Isui dëgjon hajdutin që po vdiste dhe i ofron parajsën. Isui ndeshet me romakët, paganët dhe u jep shpresë. Isui takon heretikët e papastër dhe flet me dashuri me ta. Isui kalon përmes tokës së armiqve të tij dhe i bën shokë ata.
Po ne, si ndihemi, në qoftë se takojmë një hajdut, prostitutë ose një armik të urryer? Shumë nga ne mund të gjykojnë njerëz, edhe para se të kenë folur me ta. Dhe, madje, nuk besojmë që shumë njerëz mund të ndryshojnë dhe të bëhen të shenjtë.
Kjo është shumë e ndryshme nga mënyra se si Isui reagonte. Krishti nuk i dënoi për jetën që kishin bërë, por në vend të kësaj, Ai gjithmonë shikonte brenda tyre, për të zgjuar potencialin që ata kanë. Krishti kënaqte të gjithë njerëzit, madje, madje dhe mëkatarët më të këqij, i dhembshur, i duruar dhe me dashuri. Ai kurrë nuk gjykoi një person si pjesë e grupit, por, në vend të kësaj, shfaqte dashuri individuale dhe interesohet për çdo person, si fëmijë i veçantë i Perëndisë. Isui besonte se çdo person, pa marrë parasysh se çfarë mëkatesh ka bërë në jetë, ka potencialin të shpëtohet dhe të bëhet shenjtor.
Lajmi i mirë i Ungjillit është që shpëtimi nuk është pronë private e ndonjërit dhe nuk jepet për pak individë. Në vend të kësaj, shpëtimi është për të gjithë njerëzit, pa marrë parasysh origjinën dhe sjelljet në të kaluarën. Isu Krishti nuk do të lejonte asnjë barrierë ta ndalonte, që t’i ofronte shpresë dhe jetë çdo njeriu.
Ne shikojmë shembullin më të bukur të kësaj, në historinë e gruas samaritane dhe Isuit tek pusi. Me këtë grua mëkatare Isui është gati të thyej disa barriera. E para, ne shikojmë Isuin i cili është judeas, të flasë me një samaritane. Duhet kuptuar, që samaritanët dhe judejtë urrenin njeri-tjetrin. Judejtë mendonin për samaritanët si të papastër, kushërinjtë e korruptuar, të cilët janë bërë heretikë. Ne shikojmë Isuin, judeas, të jetë i gatshëm të flasë i qetë dhe me dashuri me gruan samaritane. Së dyti, ne shohim Isuin, mësuesin, të flasë me një grua. Në Palestinë, 2000 vjet më parë ishte konsideruar me sy të keq ai mësues i cili flet me një grua në publik. Mësuesi judeas, nuk lejohej të takonte madje dhe gruan ose vajzën e tij në publik dhe këtu ne shikojmë Isuin të flasë me këtë grua hapur.
Përfundimisht, ne shikojmë Isuin e pamëkatë të flasë me mëkataren imorale, e cila kishte pesë burra dhe po jetonte me një njeri tjetër, që nuk ishte burri i saj. Kjo grua duhet të ketë qenë konsideruar tmerrësisht me sy të keq dhe përsëri Isui ishte i gatshëm të fliste me atë me durim dhe mëshirë. Të thyejmë barrierat! Isui nuk lejoi asgjë ta ndalonte atë të shtrihej tek shpirtrat e dëshpëruar. Krishti do që të gjithë njerëzit të shpëtohen!
Dhe përsëri le të pyesim veten: si do të veprojmë me njerëzit? A kemi dashuri, mirësjellje, durim, kujdes për mëkatarët, armiqtë, heretikët dhe për ata njerëz, që ne mendojmë se nuk janë të mirë? Krishti pranon secilin prej nesh ta imitojë atë dhe veprat e tij. Duhet ta dini: në qoftë se nuk kemi dashuri për të gjithë njerëzit, pa marrë parasysh sa të këqinj ata janë, nuk jemi të denjë të quhemi ndjekës të Krishtit.
Është e rëndësishme të dimë përfundimin e historisë midis gruas samaritane dhe Isuit. Nga tradita e Kishës, ne dimë që kjo grua mëkatare, pasi takoi Krishtin, ndryshoi rrënjësisht jetën e saj dhe u bë Shën Fotinia e njohur, misionare e madhe dhe martire për Krishtin. Imagjinojeni si, nga kaq mëkatare, imorale, e papastër, heretike u bë një nga shenjtoret më të dashura. Një potencial i tillë, si ai që ekzistonte tek gruaja mëkatare, mund të themi që e ka brenda vetes çdo mëkatar. Është një shpresë për të gjithë njerëzit të bëhen të shenjtë!