EmailFacebookKontakt

Oshënar Jeronimi (15 qershor)

Mësuesi i Kishës, Sofron Euseb Jeronimi (= me emër të hirshëm), u lind në vitin 347 në Dalmacinë latine (Jugosllavia e sotme), prej prindërve të krishterë të pasur. Duke pasur shpirt talenti, u edukua në Romë për Retorikë, Filologji dhe Filozofi Greke e Latine. Në moshën 18-vjeçare u pagëzua nga Papa Shën Liberi (27 gusht), por më pas bënte një jetë të çrregullt… Por, vitin tjetër ai ndryshoi, kur nisi të merrej në Francë me preokupimet e tij theologjike.

Në vitin 373 udhëtoi, duke kaluar nga Greqia dhe Azia e Vogël, për në Antioki të Sirisë, ku mësoi interpretimin e Shkrimit. Pasi u shërua nga një sëmundje e rëndë, mësoi hebraishten, ndërsa paralelisht punonte për të jetuar. Në Antioki (v. 376) u dorëzua, pa dëshirën e tij, prezviter, por, nga përulësia asnjëherë nuk kreu detyrat e priftit dhe rronte si një murg i thjeshtë! Në vitin 378 ose 379 shkoi në Konstandinopojë për të mësuar për dy vjet pranë Shën Grigor Theologut (25 janar) dhe këtu u lidh edhe me Shën Grigorin e Nisës (10 janar).

Për shkak të problemeve kishtare shkoi në Romë (v. 382) ku u njoh me Shën Epifanin e Qipros (12 maj), udhëhoqi shpirtërisht një shoqëri virgjëreshash fisnike dhe punoi si këshilltar i Papa Damasit, pasardhës i të cilit do të bëhej në fron, nëse nuk do të reagonin disa klerikë të ligj… Mësoi për pak kohë në Aleksandri pranë Didimit të Verbër. Më pas shkoi në Nitria të Egjiptit dhe, së fundi, në Betlehem (v.386), ku krijoi dy manastire: Manastirin e burrave e drejtonte vetë, kurse atë të femrave e drejtonte patricja romake Paola, që ishte një grua e ve, e ëma e virgjëreshës Efstokia.

Jeronim fjeti në vitin 420 dhe lipsani i tij u transferua në shekullin e 14-të në kishën Santa Maria Maxhore të Romës. La një volum të madh shkrimesh historike, kundërshtimesh ndaj herezive etj., dogmatike, si dhe letra, omeli, përkthime të theologëve të Lindjes, të çmuara për Perëndimin dhe, kryesisht, përkthimin latinisht të Shkrimit të Shenjtë, Vulgatën, që mënjanoi përkthimin më të vjetër, Italën. Shkroi gjithashtu edhe “Për [135] burra të shquar [të Kishës]”.

At Justini