EmailFacebookKontakt

Apostulli Varnava (11 qershor)

Nga shenjtorët e muajit
Apostulli Varnava (11 qershor)

Një nga shtatëdhjetë Apostujt. E paraqesin kryesisht kapitujt 4 dhe 11 – 15 të Veprave të Apostujve. Hierapostulli i dëgjuar i Antiokisë dhe, rrjedhimisht, udhëheqës i të krishterëve të atjeshëm, ishte një hebre levit nga Qiproja, “një njeri i mirë dhe plot me Shpirt të Shenjtë e besë” (Vepr. 11, 24). Ishte tepër human, kishte shitur arën e tij dhe paratë i hodhi në arkën e përbashkët të Kishës. Nga Iosi, që quhej fillimisht, mori emrin Varnava (=bir predikimi dhe ngushëllimi), madje udhëhoqi Pavlin (29 qershor) në fillimet e kthimit të tij në besimin e krishterë. Me porosi hyjnore u zgjodh dhe u dërgua, së bashku me Pavlin, në Qipro e në Azinë e Vogël – udhëtimi i parë apostolik (vitet 47 – 48).

Në vitin 49 morën pjesë në Sinodin Apostolik të Jerusalemit, ku çliruan të krishterët nga dispozitat judaike, por më vonë Varnava tërhiqet. Duke programuar një udhëtim të dytë u ftohën me njëri-tjetrin, sepse Pavli nuk deshte tashmë nipin e Varnavës, Shën Markun (30 tetor), sepse i kishte braktisur gjatë udhëtimit të parë. Kështu, Varnava, duke marrë me vete Markun, lundroi drejt Qipros, por të dy Apostujt, nga sa duket, kanë bashkëpunuar përsëri në vitin 56.

Sipas të gjitha gjasave, Varnava veproi më pas në Aleksandri, Romë, ndofta edhe në Milano. Së fundi, izraelitët e Salaminës së Qipros, duke pasur smirë ndaj krijuesit të Kishës së atjeshme, e qëlluan me gurë dhe hodhën lipsanin në zjarr, i cili mbeti i paprekur (11 qershor 57). Kur një heretik, kryepiskopi i Antiokisë, përpiqej të nënshtronte Kishën e Qipros, Apostulli ia zbuloi në vizion varrin e tij episkopit të Salaminës, Anthemit. Dhe vërtet, lipsani i tij i nderuar u gjet (v. 488), duke mbajtur në kraharor Ungjillin pas Mattheut.

At Justini