Të mësojmë lutjet tona
Psalmi 34
I Davidit.
O Zot, gjykoi ata që bëjnë padrejtësi, luftoi ata që më luftojnë.
Merr mburojën edhe armët dhe në ndihmën time ngrihu.
Nxirre heshtën dhe mbyllua rrugën përndjekësve të mi; thuaji shpirtit tim: Unë jam shpëtimi yt.
U poshtërofshin dhe u turpërofshin ata që kërkojnë shpirtin tim; shpinën kthefshin dhe u turpërofshin ata që për mua të liga mendojnë.
U bëfshin si byk faqe erës dhe engjëlli i Zotit do t’i shtrëngojë ata.
Rruga e tyre u bëftë errësirë edhe tmerr dhe i ndjektë ata engjëlli i Zotit.
Se m’i ngritën fshehtas kurthet e tyre, pa faj për të më prishur; kot e poshtëruan shpirtin tim.
Le t’i ngrihet atij kurth pa e ditur dhe kurthi që ai ngriti atë le ta kapë, dhe le të bjerë vetë në këtë kurth.
Dhe shpirti im u ngazëlloftë në Zotin, dhe për shpëtimin e tij le të kënaqet.
Gjithë eshtrat e mi le të thonë: O Zot, kush është i ngjashëm me ty? Ti që shpëton të varfërin nga dora e më të fortëve se ai, dhe të varferin e nevojtarin nga ata që e grabisin.
Dëshmitarë të paudhë u ngritën kundër meje dhe më pyesnin për gjëra që s’i dija.
Me të këqia më shpaguan në vend të të mirave; dhe shpirtin tim e hidhëruan.
Dhe kur ata ishin në shtrëngim, unë vishesha me thes, mundoja shpirtin tim me agjërim, dhe lutja ime kthehej në gjoksin tim.
Si me një të afërm, si me një vëlla timin sillesha me ta, përulesha si një që mban zi dhe i brengosur.
Kundër meje dëfrenin, e së bashku u mblodhën; u mblodhën kundër meje e më rrahën me kamzhik dhe nuk i kuptoja. U shpërndanë dhe nuk u penduan.
Më ngacmuan, më tallnin me përbuzje, dhëmbët e tyre kërcëllonin kundër meje.
O Zot, deri kur do ta shohësh këtë? Nxirre shpirtin tim nga ligësitë e tyre, të vetmin tim nga luanët.
Do të të lavdëroj në mbledhjen e madhe, do të të himnoj në mes të popullit të shumtë.
Mos u gëzofshin për mua ata që padrejtësisht janë armiqtë e mi, as mos shkelshin syrin ata që më urrejnë pa shkak.
Ndërsa mua më flisnin për paqe, dredhira kurdisnin me zemërim.
Dhe hapën gjerësisht gojën kundër meje, thanë: Të lumtë, të lumtë;