EmailFacebookKontakt

Të lutem, e Tërëshenjtë Mari

Kur Ty Virgjëreshë përulësisht të lutem,
Pranvera në trup ndjej të më trokasë,
dhe puhiza e lehtë e mosprishjes Tënde,
farë virgjërie, në shpirtin tim mbjell nga lart.

Kur ty Kryezonjë me besim të lutem,
Ëmbëlsi parajse më thith çdo qelizë,
dhe Drita e botës që prej Teje lindi,
zbardh njollën e mëkatit, në shpirtin tim.

Kur Ty e Përmbibekuar të lutem me zjarr,
drejt qiellit sytë e mi të kërkojnë me mall,
Agimin e paqes si pëllumb të bardhë
pres,
nga Ty e kulluar që filtron çdo jetë.

Kur në Ty Hyjlindëse Shpresën mbështes,
si ujvarë e pranuar dhëmbshuria jote rrjedh,
dhe tretet dhimbja e kthehet në jetë
e sythi i dashurisë, për Perëndinë çel.

Ty të lutem, e Tërëshenjta Mari, për ne të lutesh,
Mëkatin e mosbindjes si gjethet e vjeshtës ta largojmë,
me filizin e shenjtërisë në shpirtin tonë të vadisim,
me gjakun Hyjnor të Krishtit Shpëtimtarit tonë.

– R. SH.