EmailFacebookKontakt

Diarea akute tek fëmijët

Mjeku pranë jush
DIAREA AKUTE TEK FËMIJËT
Simptomatologjia dhe mjekimi

Diarea akute zë një vend të rëndësishëm në sëmundshmërinë dhe vdekshmërinë e fëmijëve në dy vitet e para të jetës dhe kryesisht në moshën e latantit (0 – 1 vjeç).

Ç’është diarea akute?
Flasim për diare akute të zakonshme, në ato raste kur kemi një çrregullim të lehtë të tretjes dhe të ushqimit, zakonisht me karakter funksional.

Pse janë më të shpeshta tek fëmijët?
Shpeshtësia më e madhe e këtyre çrregullimeve lidhet me veçoritë anatomo-fiziologjike të organizmit të fëmijës, sidomos me ato të metabolizmit, të aparatit gastro intenstinal dhe të sistemit nervor.

Cilat janë shkaqet kryesore?
Si shkaqe të diaresë janë:
Së pari: Çrregullime nga ushqimi:
– këto raste vihen re kur fëmija merr ushqim më tepër nga sa duhet. Sidomos kjo ndodh me nënat e reja, të cilat i ushqejnë fëmijët më tepër nga sa nxë vetë stomaku i tyre.
– ndodh në fëmijët të cilët ushqehen me qumësht me % të lartë yndyre ose karbohidratesh, që nuk është i përshtatshëm për moshën e tyre.
– në fëmijët që marrin ushqime të papërshtatshme për moshën e tyre.

Së dyti: Nga infeksionet. Infeksionet mund të jenë enterale, të brendshme (kur infeksioni ndodhet në zorrë, i shkaktuar nga shigellat, salmonelat, E-cola, viruset, ECHO, candida, parazitët e ndryshëm).
Infeksionet mund të jenë parenterale, të jashtme (kur fëmija ka një infeksion jashtë zorrës dhe shkaktojnë diare parenterale, si infeksione respiratore, rinofaringite, bronkopneumoni, otite, grip, sëmundje lëkure, pioden etj).

Së treti: Kur kanë lindur me anomali në aparatin tretës, kur kanë çrregullime enzimatike etj.

Së katërti: në diarenë kontribuojnë zakonisht faktorët e moskujdesjes – higjiena e mangët personale, higjiena e dobët në përgatitjen e ushqimit ose në ruajtjen pastër të tij etj.

Simptomat e sëmundjes
Një nënë e kujdesshme, vë re që në fillim si ndryshon te fëmija i saj gjendja e përgjithshme: Fëmija duket i shqetësuar, qan më shpesh, gjumin e bën të çrregullt dhe me ndërprerje, nuk ka oreksin e mëparshëm. Tek fëmija fillojnë të vjellat, që zakonisht janë mbas dhënies së ushqimit. Feçet diareike karakterizohen nga eleminimi i tyre më i shpeshtë, kundrejt rregullit të mëparshëm. Fëmija defekton 8 – 10 herë në 24 orë, konsistenca pakësohet, shtohet përmbajtja në ujë dhe vihen re fije mukose të bardha. Fëmijët kanë temperaturë që mund të variojë nga 37 – 38 gradë. Së bashku me diarenë, tek fëmijët vihet re fryrje e barkut (meteorizëm), skuqje në zonën gluteale.

Si rezultat i të vjellave, diaresë, temperaturës, mungesës së oreksit, humbjes së sasive të konsiderueshme të ujit dhe kripërave, tek fëmijët shfaqet dehidrimi (humbja e lëngjeve).

Pesha e fëmijës së sëmurë me diare akute paraqet ndryshime, që shkojnë nga luhatje të lehta, deri në humbje të ndjeshme. Në diarenë akute humbjet në peshë shkojnë nga 0 – 5 %. Sa më e madhe të jetë humbja në peshë e fëmijës aq më e rëndë bëhet gjendja e tij.

Ç’qëndrim duhet të mbajë nëna?
Nëna, me të vënë re simptomat e mësipërme, konsultohet me mjekun ose punonjësin e shëndetësisë. Dua të theksoj se në momentet e para nga disa nëna, fillimi i diaresë 4-5 herë në ditë, gjykohet gabimisht duke e lidhur atë me daljen e dhëmbëve, duke menduar se janë ftohur pak ose përcaktojnë shkaqe të tjera. Por, kur ka dukuri të tilla ato duhet që në fillim të konsultohen me mjekun.

Si do të trajtohet diarea akute?
Kur fëmija ka diare akute duhet të marrë lëngje nga goja, sasia e të cilave varet nga mosha dhe gjendja e tyre. Rekomandohet që fëmijët të marrin Tresol. Paketa e Tresolit, e cila përmban 3 kripëra: Klorur Natriumin (NaCl), Klorur Kalciumin (KCl), bicarbonat dhe 20 gr. sheqer, tretet në 1 litër ujë, i cili duhet zjerë më parë. Paketa Tresoli ka në të gjitha farmacitë dhe sasia jepet sipas porosisë së mjekut. Gjithashtu, mund të përdoret edhe çaji, uji i zier. Dhënia e Tresolit zëvendëson për një kohë të shkurtër, brenda 4 orësh, sasinë e ujit dhe të kripërave të humbura në rastin e diaresë akute. Efekte të mira ka edhe përdorimi i bananeve, mollëve. Antibiotikët nuk duhet të përdoren në diarenë akute. Kjo lejohet vetëm në rastet kur identifikohen shkaktarët dhe kemi antibiogramë, në diarenë e shoqëruar me mukur e gjak (disenterinë).

Vlerësimi që në fillim nga nënat i shfaqjes së diaresë, konsultim i tyre i menjëhershëm me personelin shëndetësor, ndihmon shumë në shërimin e shpejtë të fëmijës, në mbrojtjen e tij nga format e dehidrimit të rëndë dhe nga komplikacione të tjera, që kërcënojnë jetën e fëmijës.

As. Prof. Eli Foto