Rebesh, tufan. Gjithçka është strukur në fole. Vetëm unë, një udhëtar i vonuar mes territ të zi, nuk di, se nga të shkoj. Kudo errësirë e plotë, kudo greminë. Kudo tufani i zi, që s’po mbaron. Po si s’më ndodhet diçka për të ndriçuar sadopak? Eh, sa i marrë, që jam! Edhe nëse do kisha diçka, në këtë kohë nuk ia vlen!
Duke ecur në rrugët e gjata e pambarim të dekadave, dëgjoj një zhurmë të largët, e cila sa vjen dhe afrohet. Në moment, shpresoj, se mund të jetë dikush, që do të më ndihmojë. Të paktën të më strehojë derisa moti të kthejë. Po kush ishte do të thoni ju? E, ku ta di unë i gjori, se çfarë qe ajo zhurmë, se çfarë qe ajo hije, që po më përpinte. Njëherë më bëhej si njeri, njëherë si katërkëmbësh e njëherë si zvarranik, që kërkonte të më hante të gjallë. I tmerruar thosha me vete:
– O Zot, ç’është kështu me mua?
Papritur dëgjoj një zë, që qeshte e tallej me mundimin tim. Zëri më thërriste: “Hajde pas meje dhe do të shpëtosh!” Po, po ky qe “zoti” (megjithëse nuk e shikoja mirë, e ndieja dhe u binda, se ky qe “zoti”). Në të vërtetë ai ishte zoti i territ, i cili për një kohë të gjatë më tërhoqi zvarrë në errësirën e thellë të kohës. Dikur, pashë një rreze, e cila çante dhe ndriçonte errësirën. Dalngadalë koha u kthjellua dhe vura re, se çdo gjë filloi të gjallërohet. Atëherë mora frymë lirisht. Njerëzit filluan punët, që errësira dhe furtuna e kohërave i kishte lënë përgjysmë. Fëmijët me zërat e tyre gazmorë ia ndryshuan pamjen vendit, i cili më parë ishte i zymtë e në agoni. Diku, në hapësirën qiellore fluturonin një tufë pëllumbash të bukur, që gugatnin ëmbël. I mahnitur mundohesha t’i imitoja, kur papritur një prej tyre shkëputet nga turma, më vjen disa herë rrotull dhe më lëshon në prehër një kartë me ngjyrat e ylberit. E hap dhe gjej të shkruara këto fjalë: “Atë, që vjen tek Unë, nuk do ta nxjerr jashtë!” (Joani 6:37)
Kush m’i shkruan dhe këto fjalë? Kush është Ai, që nuk më nxjerr jashtë? Fillova ta kërkoj. Gërmova në një sëndyk, ku gjendej një libër i vjetër e me pluhur nga koha. Por, sapo e marr dhe e fshij, ai fillon të ndriçojë dhe në mendjen time të mjegulluar fillon të hapet një dritare, që më sjell shpresë për jetën. Kaq shumë më tërhoqi ky libër, saqë nuk e kuptova, se jashtë ra muzgu i mbrëmjes. Por, ky muzg ishte krejt ndryshe nga ai i mëparshmi. Ky, qe një muzg plot dritë. Jashtë dëgjohen zërat e miqve të mi. I ftoj dhe bisedojmë së bashku. Njëri prej tyre ma merr librin dhe lexon në kapak: “Libri i Artë”. “Shkrimi i Shenjtë”.
Sa i dashur dhe i vyer ky libër për ne. E kemi kërkuar gjatë, por errësira shumëvjeçare e shtypja e Satanit të zi na ndau prej tij.
Ky Libër i Shenjtë, që përmban fjalën e Perëndisë, mesazhin e jetës sonë, rrëmbehej nga mbreti i ferrit dhe digjej në zjarr. Por, a mund të digjet ky Libër! Ai jetoi në zemrat tona të thara nga etja për pak ujë e për pak dritë jete.
Jorgaq Gjata
student në Seminarin Teologjik