Vazhdon shpërndarja e ndihmave
“Disa ekspertë të ndihmave kanë thënë për gjendjen në vend, se nuk ka edhe aq nevojë për ndihma humanitare, por ne kemi zbuluar të kundërtën. Ka një nevojë mjaft të madhe”, – na thotë Penny Delijani nga SHBA, përgjegjëse e Zyrës “Diaconia Agapes” (Shërbimi i Dashurisë), të Kishës sonë dhe drejtuese e njërit nga projektet e KOASH në mbështetje të familjeve më në nevojë, në bashkëpunim me organizma ndërkombëtare bamirësie. Ndaj, që nga fundi i majit, ka kryer gati çdo ditë shpërndarjen e ndihmave të siguruara. Dhe u fillua atje ku gjendja është më e vështirë, nga Vlora.
Më 26 maj, bersalierët italianë të forcës shumëkombëshe, siguruan transportin e shpërndarjen e një sasie të parë ndihmash për në qytetin që ka përjetuar kaq shumë dhimbje, të cilat ishin parashikuar për një numër familjesh të varfëra. Po sa të varfër ka Vlora? Rreth oborrit të kishës së Shën Todrit u mblodh disafishi i atyre që ishin planifikuar të ndihmoheshin. Dhe çdo gjë nën krismat e armëve…
Shpërndarja vazhdoi më 27, në Fier, Shën Pjetër, Pojan, Gërcalli; 28, në Lushnjë, Biçakaj, Toshkëz, Divjakë; 31 në Gjinar të krahinës së Shpatit, Elbasan; më 2-3 qershor në Durrës; 4 qershor në Tiranë; 5 qershor në Shkodër; 6 qershor në Lezhë…
“Ky projekt i Diaconia Agapes, i realizuar nën drejtimin e drejtpërdrejtë të Kryepiskopit Anastas, është një nga rastet mjaft të pakta, ku organizma joqeveritare shpërndajnë ndihma drejtpërdrejt tek familjet. Ndërkohë, që shumica e agjensive kanë preferuar t’i japin ato në institucione të ndryshme ose t’i shpërndajnë me anën e qeverisë, – vazhdon Penny. – Ne e dimë se dimensionet e programit janë relativisht të vogla (rreth 350 mijë dollarë) dhe ajo që do të japim nuk i plotëson nevojat. Por, me punën tonë po përpiqemi të bindim agjensitë ndërkombëtare, që të shpërndajnë direkt tek nevojtarët”. Dhe, sidomos, stafi i DA është i bindur se realizimi me sukses i këtij projekti do bindë donatorët për efikasitetin e organizimit të strukturave tona shpërndarëse e kështu do të mund të sigurohen fonde të tjera. Në nisje ky staf përbëhej, përveç përgjegjëses edhe nga 5 punonjës të zyrës të DA, por u pa, që, për të realizuar volumin tepër të madh të punës, ishte nevoja e zgjerimit me elementë të tjerë dhe kështu u shtuan edhe 4 punonjës të tjerë të përkohshëm me kualifikimin e nevojshëm. Ndihmesë po jep dhe z. Klaus Steiner nga Gjermania (menaxher i Shoqatës Ndërkombëtare Orthodhokse të Bamirësisë, IOCC), i cili ka fituar një përvojë shumë të madhe për shpërndarjen e ndihmave në Bosnjë, ku ka kontribuar për 4 vjet.
“Nuk është e lehtë të shpërndahen ndihmat – konkludon Penny, – dhe po bëhet çdo ditë dhe më e vështirë, por ne nuk do ta ndalojmë punën. Deri në fund të qershorit do të shpërndajmë gati çdo ditë, në 10 qytetet e projektit.”
I. Dh.
Korresp. i “Ngjalljes”