EmailFacebookKontakt

Duke shprehur dashurinë sakrifikuese të Perëndisë – “DIACONIA AGAPES” (SHERBIMI I DASHURISE)

ka një program prej 630500 dollarësh për ’97-n

E mbështetur nga Këshilli Botëror i Kishave dhe disa partnerë ekumenikë, DIACONIA AGAPES, zyra e Kryepiskopatës së Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, për projektet zhvilluese dhe ndihmën sociale, do të realizojë më shumë se 630500 dollarë ndihma gjatë vitit 1997, nëpërmjet programeve të saj në të gjithë Shqipërinë. Në stafin e zyrës shërbejnë 6 persona.

Duke shprehur në këtë shërbim dashurinë sakrifikuese të Perëndisë për të gjithë njerëzimin, pa dallim race ose besimi, DIACONIA AGAPES punon me njerëzit, veçanërisht me të varfërit dhe me ata që nuk kanë përkrahje, për të rritur shpresën, besimin, vetinisiativën dhe duke ndihmuar në zgjidhjen e nevojave të tyre kritike.

Gjatë 1997, projektet e DIACONIA AGAPES do të përfshijnë: përkujdesjet ditore në Durrës, Kavajë, Korçë dhe Tiranë; programin bujqësor dhe të zhvillimit, si dhe programin e projekteve të ujit, në zonën malore të Shpatit të Elbasanit dhe zonën malore të Korçës; Klinikën Shën Lluka në Tiranë; projekte kovaçane në Burishtë dhe Vërlen; programin e zhvillimit dhe shëndetësisë për gratë në zonat rurale; programet shëndetësore në Kavajë dhe Korçë, një klinikë dentare, farmaci, qendër e shpërndarjes së plehrave kimike, zdrukthtari, pikë karburanti dhe punishte për përpunimin e perimeve në Zavalinë; asistencë për organizatën joqeveritare të jetimëve, qendër rinore në Tiranë; seminar trainimi 9-mujor për mësueset e përkujdesjeve ditore, në Tiranë; 18 projekte uji; program kombëtar për rininë; program i gjuhës angleze në Tiranë; 11 projekte traktorësh; qendër rinore në Korçë; asistencë për shoqatën e grave të paafta; 5 kontrata për qarkullim bujqësor brenda së njëjtës tokë; programi i përpunimit të letrës; projekti i dyqanit për pjekje dhe bluarje kafeje; 10 kontrata për blegtori dhe ndërtimin e Seminarit Orthodhoks në Durrës.

Sponsorët ekumenikë që mbështesin financiarisht DIACONIA AGAPES përfshijnë: HEKS-in e Zvicrës; DanChurchAid të Danimarkës; Diakonisches Werk të Shtutgardit; ICCO të Hollandës; Christian Aid të Anglisë, si dhe Europa Desk të Hollandës.