“Të ecim duke i mbajtur sytë tek Jisui” (Hebrenjtë 12:1,2)
Që prej disa muajsh edhe në qytetin e Tepelenës është çelur shkolla e katekizmit. Aty vijnë fëmijë që mësojnë me dëshirë për besimin orthodhoks. Mësimet i zhvillonim në kishëzën e thjeshtë provizore, që para shtatë – tetë muajsh u dogj e u shkatërrua nga persona të paidentifikuar, me synime të mbrapshta antiorthodhokse, por që u rregullua dhe u pajis përsëri.
Dhe tani, së fundi, në valën satanike të prishjeve e shkatërrimeve që po ndodhin si kudo në Shqipëri edhe në qytetin e Tepelenës nuk shpëtoi dot as kishëza jonë, ku mblidheshin fëmijët për katekizëm. Sërish u gris Ungjilli i Shenjtë, u copëtua Kryqi i Lavdishëm, u thyen ikonat, u vodhën tavolinat, stolat, karriget etj.
Shikojmë këtë kaos, gati apokaliptik, ku është zhytur Shqipëria dhe zemra na trishtohet. Mbi të gjitha është prishur njeriu. Atë e ka pushtuar smira, grindja e lakmia. Kudo njerëz të egërsuar, me armët e vdekjes në duar që luftojnë me qiellin e me tokën, që djegin shkolla e universitete, institucione e kadastra, që hapin burgje e banka, që lakmojnë e grumbullojnë pasuri sikur do të rrojnë njëqind jetë.
“Nuk do të kesh Perëndi tjetër përveç meje” – na urdhëron Zoti nëpërmjet Shkrimeve të Shenjta. (Eksodi 20:3)
Por, shqiptarët nuk e dëgjojnë këtë zë hyjnor. Ata bënë për zot një idhull të rrezikshëm, paranë. Paraja dhe pasuria janë idhujt më të këqij, që nuk të lënë të hysh në mbretërinë e Perëndisë, por të fusin në mbretërinë e errësirës e të kaosit, të gjakut e të shkatërimit, të zjarrit e të vdekjes. Largimi nga Perëndia është shkaku i gjithë të këqijave.
Shqiptari nuk ka qenë kështu. Ne kemi pasur mirësinë që Perëndia na e solli krishtërimin qysh në kohën apostolike.
“Prej Jeruzalemit e përqark dhe gjer në Iliri kam kryer shërbimin e ungjillit të Krishtit” – u shkruan apostull Pavli Romakëve (15:19).
Pra, populli ynë e njihte Zotin Krisht, Ungjillin, jetën dhe veprën e tij të mrekullueshme qysh në fillimet e krishtërimit, atëherë kur, siç thotë Kryebariu ynë shpirtëror, “shumë popuj të tjerë të Evropës ishin akoma nomadë.”
Po, kush e pruri të keqen në tokën tonë? Dy janë armiqtë që “e mbollën egjrën nëpër arën me grurë”: (Mattheu 13:25): pushtuesi shekullor (që doli nga fundi i Azisë) dhe regjimi ateist që kaluam. Ata na prishën fenë dhe atdhenë. Ata na larguan nga udha e vërtetë dhe jeta e Zotit Krisht. Përparim dhe pasuri shpirtërore kanë vetëm ata që ecin duke i mbajtur sytë tek Zoti Jisu. Për sa kohë që shikimi e humbet atë, këmbët të çojnë drejt errësirës, kaosit dhe çoroditjes.
Lumturinë nuk mund ta sjellin as fama, as karriera politike, as edhe pasuria. Vetëm ai që e gjen lumturinë tek Zoti Jisu, ka gjetur një thesar të madh e të pashtershëm.
Ne, besimtarët e krishterë, jemi krenarë që Kisha jonë Orthodhokse e në mënyrë të veçantë Kryeepiskopi ynë i nderuar, Fortlumturia e tij, Imzot Anastas, kanë punuar e po punojnë pa u lodhur për normalizimin e gjendjes në Shqipëri. Kisha jonë është faktor paqeje dhe stabiliteti. Veprimtaria e gjerë e Kryepiskopit Anastas, liturgjitë e kryera, lutjet, mesazhet, takimet me popullin dhe me personalitetet e vendit e ato ndërkombëtare, prezenca e Tij engjëllore kudo ku e thërret zëri nevojtar i vendit tonë që lëngon, kanë rrezatuar e transmetuar kudo mirësi, dashuri, paqe e stabilitet dhe kanë ndikuar që gjendja të vijë duke u përmirësuar.
Ne do të shpëtojmë një herë e mirë nga kaosi, vetëm po të kemi besim te Perëndia, te Ungjilli i Shenjtë i Zotit Krisht dhe po të zbatojmë në jetë mësimet e tij hyjnore. Vetëm atëherë Zoti do të na e largojë të keqen dhe “vajtimin tonë do ta kthejë në bare” (Psalmi 30:11).
Llukan Sfavro, Tepelenë