I pari ndër të katër profetët “e mëdhenj”. Libri i tij tepër i njohur dhe i zgjeruar (prej 66 kapitujsh) në Dhiatën e Vjetër, i pasur në thellësi kuptimi dhe në formë, me bukuri letrare, e dëshmon autorin si të mençur dhe të fuqishëm shpirtërisht, poet të lavdëruar dhe orator me shkëlqim mbarëbotëror. Madje, orator të thelbit të gjërave dhe jo vetëm të shprehjes së jashtme të tyre. Protestantët pretendojnë, por pa bazë, se vepra tepër e famshme nuk i takon e tëra Isaisë (=Perëndia shpëton), megjithëse tradita e lashtë hebraike dhe ajo kristiane ia dedikojnë pa diskutim atij.
Rridhte nga një familje mbretërore, ose të paktën aristokrate dhe u lind rreth vitit 770 para Krishtit. Jetoi në Jerusalem, ku u martua dhe u bë me dy djem. U thirr (rreth v. 738) në funksionin profetik me anën e një vizioni të papërsëritshëm mahnitës të Zotit mbi fron dhe të altarit qiellor (një thëngjill nga i cili i pastroi profetit mëkatet, sapo ia preku një engjëll në buzë, kap. 6). Ai veproi për rreth pesëdhjetë vjet në fushën fetare, shoqërore, shtetërore, duke predikuar ose duke shkruar, duke kërcënuar ose duke këshilluar, duke ngushëlluar ose duke parashikuar në një periudhë tepër kritike, pasi Izraeli adhuronte idhujt, ndërsa asirianët kërcënonin ekzistencën e tij.
Luftoi për rikthimin e fesë së pastër judaike dhe foli për dënimin e bashkatdhetarëve të tij të larguar nga Perëndia, por dhe për shpëtimin e tyre dhe të botës në Mbretërinë e Mesisë. Përshkroi aq qartë lindjen prej Virgjëreshës (7, 14), veprën dhe Pësimin e Krishtit të flijuar si dele dhe shpëtimin tonë (kap. 53), sa që u quajt “Profeti me zë të fortë”, “Profeti ungjillor”, “Ungjillori i pestë”! Gjithnjë është besuar se ai u pre me sharrë nga mbreti Manasia, sepse u bëri kritikë të ashpër fajeve të tij ose sepse u konsiderua se bëri blasfemi ndaj Moisiut. Në sinaksaret thuhet, se kur profeti kishte etje burimi i Siloamit nxori ujë me urdhër të Perëndisë.
At Justini