EmailFacebookKontakt

Arseni i madh (8 maj)

Nga shenjtorët e muajit

Arseni i madh (8 maj)

U lind në vitin 354 në Rome prej prindërve ofiqarë. U dorëzua dhiak nga papa Damazi, si i virtytshëm dhe i urtë. Këtë e dëshmojnë mësimet dhe ndodhitë e jetës së tij. Më vonë perandori i Perëndimit Gratiani (v. 375-383) e prezantoi tek perandori Theodhosi i Madh (17 janar), i cili kërkonte mësues për bijtë dhe pasardhësit e tij, Arkadin (395 – 408) dhe Honorin (395 – 423). Oshënari u bind, vuri të motrën në një manastir dhe shkoi në Konstandinopojë. Edukonte bijtë e mbretit me rreptësi, sipas porosisë së babait të tyre, i cili e nderonte tej mase, si edhe gjithë oborri, që e quante “at mbretëror”.

Megjithatë, pallati nuk i mbushte shpirtin. Duke u lutur, dëgjoi një zë: “Ik nga njerëzit dhe shpëto”. Kështu që u arratis (v. 395) dhe u bë murg i Skitit, në perëndim të Deltës së lumit Nil. Ushtrohej vetëm, por u bë shumë i njohur dhe tërhoqi masa njerëzish. Me hegjemonin e Aleksandrisë dhe me kryepiskopin e saj Theofilin, kishte bërë këtë bisedë: “Na thuaj, avva, fjalë shpëtimi.
– Do t’ia mbani?
– Po!
– Kudo që të dëgjoni Arsen, të largoheni”!

Ai sillej jo mikpritës dhe nuk i pëlqente takimet, sepse e shkëpusnin nga Zoti. Pra, qortoi një anëtare senati të ardhur nga Roma, e cila në fund sheh dobi dhe kënaqësi. Krejt pa pronë, ai nuk pranoi një trashëgimi, duke thënë se kishte paravdekur. Kreshmonte shumë; flinte vetëm një orë gjatë njëzetekatërorëshit (!); vishej shumë keq dhe punonte qëllimisht aty ku mbante erë të keqe – si kundërpeshë e shijimeve në pallat; lutej në këmbë gjatë gjithë natës. Kishte frikë Perëndie dhe mbante zi (saqë e lumuroi oshënar Pimeni 27 gusht); por sidomos ai tregonte përulësi. Donte gjithnjë të “vendoste parim” virtyti, ai i tërëvirtytshmi! Nxiste veten: “Arsen, lufto për atë për të cilën dole nga bota”. Shkoi më në jug, në Memfidë, për shkak të një invazioni barbar dhe pas një dhjetëvjeçari u vendos në Kanopin bregdetar (v. 442). Fjeti dhe u varros në një vend të fshehtë (rreth vitit 445), sepse kishte kërkuar që trupin t’ia hidhnin në humnerë.