Të mësojmë lutjet tona
Psalmi 33
I Davidit, kur ndryshoi fytyrën e tij përballë Ahimelekut, e liroi atë dhe iku.
Do ta bekoj Zotin në çdo kohë, lavdërimi i tij do të jetë gjithmonë në gojën time.
Me Zotin do të mburret shpirti im; të butet le ta dëgjojnë dhe le të gëzohen.
Me mua bashkë madhëroni Zotin, dhe së bashku lart ta ngrëmë emrin e tij.
Kërkova Zotin dhe më dëgjoi, dhe më çliroi nga gjithë hidhërimet e mia.
Ejani tek ai dhe ndriçohuni dhe fytyrat tuaja mos u turpërofshin.
Ky i varferi thirri, dhe Zoti e dëgjoi dhe prej gjithë shtrëngimeve të tij e shpëtoi.
Engjëlli i Zotit, rreth atyre që i tremben vë ushtrinë, dhe ata do t’ i çlirojë.
Provoni dhe shikoni se Zoti është i mirë; lum njeriu që beson në të.
Kini frikë Zotin, gjithë ju shenjtorët e tij, se asgjë nuk u mungon atyre që frikën ia kanë.
Të pasurit u varfëruan dhe patën uri; por atyre që kërkojnë Zotin asgjë e mirë nuk do t’ u mungojë.
Ejani, o bij, dëgjomëni, frikën e Zotit do t’ju mësoj.
Kush është ai njeri që jetë do, dhe dëshiron të shohë ditë të mira?
Ruaje gjuhën tënde nga e keqja dhe buzët e tua që të mos thonë të liga.
Largohu nga e keqja dhe bëj mirë; paqen kërko, dhe atë ndiq.
Sytë e Zotit janë mbi të drejtët dhe veshët e tij e tij dëgjojnë lutjen e tyre.
Dhe fytyra e Zotit është kundër atyre që bëjnë të këqia për ta shfarosur kujtimin e tyre nga toka.
Të drejtët thirrën dhe Zoti i dëgjoi dhe i çliroi nga gjithë shtrëngesat e tyre.
Zoti është pranë atyre që kanë zemrën të thyer, dhe shpëton ata me shpirt të përulur.
Të shumta janë mundimet e të drejtëve, por Zoti do t’ i shpëtojë nga të gjitha.
Zoti do të ruajë gjithë eshtrat e tyre, asnjë prej të cilave nuk do të thyhet.
Vdekja e mëkatarëve është e ligë, dhe ata që urrejnë të drejtin do të dënohen.
Zoti do të shpëtojë shpirtrat e shërbëtorëve të vet, dhe gjithë ata që tek ai shpresojnë s’ do të dënohen.
Lavdi Atit… Tani… Aliluia.