EmailFacebookKontakt

Psaltiri në gjuhën shqipe

Psaltiri është përkthyer dhe botuar në një shumë se njëmijë gjuhë e dialekte. Që nga fillimi i shekullit të XVIII ai ka patur disa përkthime e botime edhe në gjuhën shqipe.

Nga të dhënat që disponohen deri sot, përkthimi më i vjetër i psaltirit në shqip, në Kishën tonë Orthodhokse, mund të konsiderohet ai i Jeromonakut voskopojar Grigor Konstandinit, nxënës i Akademisë së Voskopojës dhe më vonë (1769) mitropolit i Durrësit, i cili, sipas J. Zavirës, kishte përkthyer shqip krejt Dhiatën e Vjetër, pra edhe Psaltirin.

Një tjetër përkthim i Dhiatës së Vjetër, ku përfshihet dhe psaltiri, është bërë prej Teodor Haxhifilipit nga Elbasani, (1730-1806), i cili njihet me emrin “Dhaskal Todri”, nxënës edhe ky i Akademisë së Voskopojës.

Të dy përkthimet e sipërpërmendura, me që nuk patën fatin të shohin dritën e botimit, u zhdukën.

Në gjysmën e dytë të shekullit XIX, një tjetër vazhdues i traditës së përkthimit të teksteve liturgjike në gjuhën shqipe, Konstandin Kristoforidhi (1830-1895) nga Elbasani, nxënës i Zosimeas të Janinës, përktheu për shoqërinë Biblike Britanike, midis teksteve të tjera nga Shkrimi i Shenjtë, në dialektin jugor, edhe tekstin e psaltirit, i cili u botua prej Shoqërisë në fjalë më 1872 me alfabetin e Stambollit.

Më vonë, nga fillimi i shekullit XX, kemi dhe një tjetër përkthim në gjuhën shqipe të psaltirit, si duket prej A. Sinës, të botuar në Manastir më 1911.

Të dy botimet e përmendura më lartë patën një përhapje mjaft të gjerë në vendin tonë. Edhe sot, madje, gjen tek-tuk nëpër familjet orthodhokse ndonjë kopje të rrallë të tyre, të ruajtur me kujdes shumë të madh, sidomos gjatë regjimit ateist-komunist.

Këto përkthime, sidomos ato të Konstandin Kristoforidhit, kanë vlejtur mjaft, jo vetëm si ushqim shpirtëror për besimtarët tanë, por edhe si bazë për vazhdimin e mëtejshëm të përkthimit të teksteve të tjera liturgjike të Kishës.

Imzot Fan S. Noli, i cili është i pari që është marrë në mënyrë sistematike me përkthimin dhe botimin në gjuhën shqipe të teksteve liturgjike më të domosdoshëm të Kishës, e çmon shumë ndihmën që ka patur nga përkthimet e Konstandin Kristoforidhit. Në parathënien e tekstit “Libri i shërbesave të shenjta…” të përkthyer e të botuar në Amerikë më 1909, thotë, ndër të tjera, “që puna e tij qe një ndihmë dhe themeli për mua”.

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, pas shkatërimit të gjithanshëm që pësoi gjatë regjimit ateist-materialist, në programin për ringritjen dhe riorganizimin e saj në baza kanonike, krahas rindërtimit të kishave dhe përgatitjes së kuadrit kleriko-laik përkatës, ka parashikuar dhe sigurimin e teksteve liturgjike, pa të cilat nuk mund të kryhen shërbesat e ndryshme kishtare. Ndërmjet tyre është punuar edhe për përgatitjen e Psaltirit të profetit dhe mbretit David, i përshtatur në gjuhën aktuale, duke pasur si bazë të dy botimet e përmendura, të Kristoforidhit e të Sinës, dhe sidomos tekstin origjinal të 72-ve, që përdoret si libër liturgjik në Kishën Orthodhokse. Psaltiri, i përgatitur në këtë formë, do të përmbushë, së pari, një nevojë imediate për Kishën tonë si tekst liturgjik dhe nga ana tjetër, do t’iu vihet në dispozicion besimtarëve tanë, çdo familjeje orthodhokse, si një tekst me vlerë të madhe shpirtërore.

Përkthyen dhe përgatitën:
Dh. Beduli, Th. Qendro