Tiranë
Pas dhimbjes vjen ngazëllimi
Nëse njerëzit, në këto ditë tragjike, braktisën logjikën dhe e harruan njëri-tjetrin, ishte Dikush që nuk mund të na linte në atë baltëthithëse të tmerrshme. Ndaj, Java e Madhe i dha gjithçkaje oksigjenin bekimit, qetësinë hyjnore, nisjen drejt ringjalljes…
Një tejmbushje me besimtarë e Kishës Katedrale të Ungjillëzimit në Tiranë nisi që të Dielën e Dafinave dhe vijoi në të gjitha Liturgjitë e Shërbesat e Javës. Celebrimi i tyre prej Kryepiskopit Anastas do ta shtonte më tepër bekimin. Si gjithmonë, por edhe më e fortë u ndie dëshira e besimtarëve për të marrë prej dorës së Tij Dafinën, Efqelinë e Shenjtë, Kungimin Hyjnor, Dritën e Ngjalljes… Arsyeve të ekzistencës së saj në këto momente iu shtuan edhe të tjera. Të gjithë e ndjenë një ngazëllim kur gjatë ditëve më të dhimbshme e panë në TV t’u fliste, t’i këshillonte t’u jepte kurajo e mesazh Perëndie, Fortlumturia e Tij Kryepiskopi Tiranës dhe gjithë Shqipërisë Prof. Dr. Anastasi.
Gjendja e jashtëzakonshme nuk e zhvleftësoi Javën e Madhe, përkundrazi i dha ngjyra, kuptime të reja, i dha një tjetër madhështi. Përveç qirinjve, në duar besimtarët mbanin edhe lule, shumë lule. Të Premten e Madhe t’ë dukej se Krishti nuk kryqëzohej atë ditë në Shqipëri (!). Krishti ishte kryqëzuar muaj më parë në Voskopojë. Dhe kur ata që e deshën e qanin, Ai përmes syve të masakruar thoshte: “Mos qani për mua, por për vendin tuaj!”
E megjithatë, pas dhimbjes vjen ngazëllimi. “Vetë Perëndia erdhi që të na nxjerrë nga ky qorrsokak!”- u shpreh Kryepiskopi Anastas gjatë Mesazhit Paskal. Erdhi Ngjallja me Dritën e Saj Hyjnore, erdhi “pajtimi që na fali Zoti i Kryqëzuar e i Ngjallur”.
Ishte kjo, Pashka e jashtëzakonshme, gjatë së cilës besimtarët shpërfillën çdo gjë, për të qenë pranë Perëndisë, për të njomur me vesën e lutjes shpirtrat e zhuritur. E çfarë mund t’i pengonte? Ndoshta edhe shtetasi më ateist i Shqipërisë në ato çaste të plumbta ka ndjerë dëshirën për t’iu lutur Atij. E jo vetëm kaq, por të gjithë, të krishterë ose jo, në momentin e tyre vëzhgues kanë përqasur dhimbjen, vuajtjen, pësimin me Dhimbjet, Vuajtjet dhe Pësimet e Tij; janë ndier më të lehtësuar, pasi ata panë se Ai hapi krahët në Kryq dhe “mori mbi supet e Tij mëkatet dhe sëmundjet tona!”
Efrosina Noti
Shënim: Të dielën mbasdite, në Katedralen e Ungjillëzimit, Kryepiskopi priti vizitat e urimit për Pashkë të Presidentit Berisha, Kryeministrit Fino, të kryetarëve të Komunitetteve Fetare, partive e shoqatave, trupit diplomatik etj.