EmailFacebookKontakt

Siguri vetëm tek Perëndia

Shkodër

Siguri vetëm tek Perëndia

Kremtimi i Pësimit dhe Ngjalljes së Zotit tonë Jisu Krisht solli këtë vit, si asnjëherë tjetër, besimtarë në kishën e qytetit të Shkodrës. Madje, në këto çaste tepër dramatike që kalon vendi, kishte njerëz që mbase e kaluan për herë të parë pragun e Shtëpisë së Zotit. Njerëz, që më shumë se kurrë, kanë nevojë sot për qetësi, siguri, të cilat arrijmë t’i gjejmë vetëm tek besimi. Në Shkodër ndikoi mjaft për këtë afrim edhe kontributi tepër i madh e vendimtar i komuniteteve fetare, në shmangien e tensioneve tepër të rënda dhe me pasoja të paparashikueshme të krijuara.

Nga kremtimet, që u zhvilluan si asnjëherë gjatë gjithë Javës së Madhe, duhet veçuar tradita e veçantë e bekimit në Kishë, të Enjten e Madhe, të vezëve të Pashkës. Të dielën në mëngjes Shërbesa e Ngjalljes u bë në sheshin para Kishës, i cili ishte mbushur plot e përplot.

Në pritjen e rastit erdhën për të uruar Komunitetin Orthodhoks të Shkodrës të gjithë përfqësuesit fetarë të qytetit, të gjithë partitë e shoqatat politike, të gjithë autoritetet kryesore etj., të cilët, duke çukitur vezët e Pashkës me besimtarët orthodhoksë dhe at Aleksandër Petanin, shprehën besim në një të ardhme më të mirë dhe në bashkëjetesën në harmoni të të tre besimeve.

Korresp. i Ngjalljes