Korçë
Besimi mundi frikën
Megjithëse në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme Java e Madhe e Pashkës në qytetin e Korçës u karakterizua nga një sërë aktivitetesh, ku më të spikatura qenë ato të 3 ditëve të fundit të saj.
Ditën e Enjte në të gjitha kishat e qytetit të Korçës dhe të fshatrave përreth u kujtua Nata mistike përmes leximit të 12 Ungjijve. U kujtua kjo ngjarje, që paralajmëronte sakrificën e Krishtit në emër të njerëzimit, atë që do të ndodhte më pas me të. Kurse dita e të Premtes së Madhe ishte një ditë dyfish e rëndë për besimtarët orthodhoksë të qytetit tonë. Ata përjetuan këtë ditë pësimet e Zotit tonë Jisu Krisht dhe njëkohësisht thashethemenajën, që u përhap mbi gjoja një sulm të personave të armatosur gjatë meshës dhe gjatë daljes së Epitaflt nëpër qytet. Por, ndërkohë asgjë nuk i pengoi banorët e Korçës dhe jo vetëm ata orthodhoksë, por edhe të besimeve të tjera, për të mbushur Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në qendër të qytetit, si dhe Kishat e Burimit jetëdhënës, të Shën Sotirit dhe të Profetit Ilia. Pikërisht nga këto katër kisha, rreth orës 18:00, grupe të mëdha njerëzish me kryqe në duar, të shoqëruar nga një varg autoveturash, u drejtuan në sheshin kryesor të qytetit. Prej këtej, duke thyer ndjenjën e frikës dhe thashethemet ogurzeza, ky grup mijëra vetësh kaloi, si asnjëherë tjetër, përmes dy shëtitoreve kryesore të qytetit. Fytyrat e njerëzve u çelën, zemrat e tyre u ngrohën. Pikat e pakta të shiut u shkrinë një me lotët që rrodhën nga sytë e tyre.
Tepër e veçantë qe ceremonia e të Shtunës. Megjithëse orari i kufizuar nuk lejoi në qytet kryerjen natën të Shërbesës së Ngjalljes së Krishtit, në mjaft fshatra ajo u festua në orën 24:00, si çdo vit. Kështu në fshatrat me popullsi homogjene orthodhokse, si Polena, Çifligu dhe Zvirina ceremonia u drejtua nga priftërinjtë e dioqezës sonë, përkatësisht at Ilia Kotnani, at Kristaq Visi dhe at Pandi Kosta. Ndërkohë në qytetin e Korçës, kur ora shënonte mesnatën, në vend të fishekzjarreve të viteve të kaluara u dëgjuan breshëri armësh, por këtë herë për të shënuar Ngjalljen e Krishtit, fitoren e jetës mbi vdekjen, fitoren e ditës mbi errësirës.
Ditën e dielë, nën rrezet e ngrohta të diellit pranveror në orën 8:00 në Katedralen në qendër të Korçës, banorët e saj uruan ngrohtësisht nga zemra njeritjetrin me fjalët “Krishti u ngjall”, “Me të Vërtet u ngjall”. U përpoqën vezët e kuqe aq tradicionale për orthodhoksinë e Korçës në veçanti, që i ngjeu ato edhe gjatë viteve të ateizmit monstruoz. Prej këtu, njerëzit me qirinj të ndezur u drejtuan për në shtëpitë e tyre. Po këtë ditë u zhvillua mesha në Katedralen e Ngjalles së Krishtit nga Protopresviter dhe Përfaqësues i përgjithshëm Arkiheratik i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, at Joan Trebicka, në Kishën e Burimit Jetëdhënës, nga at Ilia Kotnani dhe në Kishën Arumune të Shën Sotitit në këtë gjuhë nga at Dhimitër Veriga.
Edhe në qytete e fshatra të tjerë të dioqezës sonë mesha e Ngjalljes së Krishtit u kryen nga at Spiro Katundi në Ërsekë, nga at Pandi Plaku në Bilisht e Hoçisht, nga at Pandi Kosta në Maliq etj.
Po këtë ditë, në orën 15:00, në Mitropolinë e Shenjtë të Korçës u bënë vizita dhe u shkëmbyen urime nga dhjetëra banorë të Korçës, nga klerikë të feve katolike, myslimane e bektashiane, nga drejtues të pushtetit lokal, prefekturës, bashkisë, deputetë të Korçës etj.
Vangjel Simaku