NGJALLJA
Nr. 4 (55) Viti VI i botimit MAJ 1997 Çmimi 10 lekë
PASHKE 1997
PASHKA: FRYMEZIM DHE FUQI PAJTIMI
+ Anastasi
Kryepiskop i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë
Klerit dhe besimtarëve shpresëtarë Orthodhoksë,
Bij të shtrenjtë më Zotin,
“Edhe të gjitha janë prej Perëndisë që na pajtoi me veten e tij me anë të Krishtit edhe na dha shërbesën e pajtimit” (II Korint. 5:18).
A.
Në periudhën kritike që po kalon Shqipëria ka nevojë të ngutshme për miqësim dhe pajtim thelbësor. E kremtja e Pashkës zbulon me një mënyrë unikale se ku themelohet në thelb miqësimi, si realizohet pajtimi midis Perëndisë dhe njeriut. “Edhe të gjitha janë prej Perëndisë, që na pajtoi me Veten e Tij me anë të Jisu Krishtit”. Interesi personal, konfliktet, anarkia, luftrat e përgjakshme, trazirat, lidhen me rebelimin e njeriut kundër Perëndisë. Mizoria njerëzore nuk merr fund vetvetiu. Vetë Perëndia erdhi që të na nxjerrë nga ky qorrsokak. Ai bashkohet në jetën tonë dhe ngre përgjegjësinë e mëkateve tona. Pranon vdekjen mbi Kryq për hir të mbarë njerëzimit. Me këtë përulësi të skajshme të dashurisë flijuese të Kryqit dhe me triumfin e Ngjalljes shkatërrohet pushteti i mendjemadhësisë e i urrejtjes dhe marrëdhëniet midis Perëndisë dhe njerëzve rivendosen.
Kjo ndërhyrje hyjnore përbën ngjarjen parësore dhe përcaktuese. Por për të qënë e efektshme në nivelin personal dhe shoqëror, duhet të pranohet lirshëm nga njeriu me anën e besimit. Prandaj Kisha predikon pandërprerë veprimin e dashurisë së Perëndisë dhe fton njerëzimin t’i përgjigjet asaj; “ju lutemi për Krishtin, pajtohuni me Perëndinë” (II Korint. 5:20).
Pajtimi, i cili u realizua me anën e Kryqit dhe të Ngjalljes, shtrihet në marrëdhëniet e njerëzimit me tërë botën shpirtërore dhe materiale, me të cilën jemi të ndërlidhur. Krishti i pajtoi “të gjitha”, “ato që janë mbi tokë” dhe “ato që janë në qiejt” (Kol. 1:20). Eshtë fjala për një pajtim mbarëbotëror. Me Ngjalljen “çdo gjë” ringjallet dhe bëhet e re. Një krijesë e re fillon, e cila ka në qendër të saj dashurinë e Perëndisë. Kush bashkohet me Krishtin merr pjesë në këtë krijesë të re. “Kur dikush është i bashkuar me Krishtin, ai është krijesë e re; të vjetrat shkuan, ja tek u bënë të gjitha të reja” (II Korint. 5:17). Bota rikrijohet brenda dritës së tërëndritshme të Pashkës.
Misioni dhe përgjegjësia e Kishës, e cila e zgjat në kohë veprën e Krishtit, është që të jetë faktor miqësimi dhe paqeje brenda shoqërisë njerëzore, në rajonin konkret ku ndodhet dhe në mbarë rrugën e Historisë. Të shpallë pa frikë dhe lirisht, pa qëllime përfitimi, të vërtetën e Ungjillit, t’u japë zë atyre që e kanë humbur nga frika, të mbrojë të pambrojturit, të luftojë përherë për paqen dhe drejtësinë e Perëndisë, të kryejë “shërbesën e pajtimit”. Dhe të lutet papushim dhe dhoksologjikisht: “O Zot, që durove kryq dhe mposhte vdekjen dhe u ngjalle së vdekurish, paqesonaje jetën, si i Vetmi i tërëfuqishëm”.
B.
Brenda trazirave dhe pështjellimit të muajve të fundit në Shqipëri, fuqi të ndryshme të errëta janë çliruar, duke shkaktuar shkatërrime të pabesueshme. Pajtimi është nevojë urgjente, ekzistenciale dhe shoqërore. Por ky pajtim nuk do të realizohet me imponimin e vullnetit të njërit apo të tjetrit grup. Duhet frymëzim dhe fuqi, që burojnë nga shtresat më të thella të përvojës fetare.
Ndërsa kremtojmë Pashkën, Kisha kujton kuptimin e saj parësor: “pajtohuni me Perëndinë, sepse për hirin tonë bëri faj Atë që nuk e njohu fajin, që ne të bëhemi drejtësia e Perëndisë me anë të tij” (II Korint. 5:21). Rivendosni marrëdhëniet me Perëndinë e gjallë, të cilin na e zbuloi Jisu Krishti. Në kushtet e sotme kjo për ne do të thotë: Mjaft kemi kërkuar të ndërtojmë lumturinë tonë larg Tij. Eshtë koha që të çlirohemi nga ideologjitë e vjetra apo nga idhujt e rinj, perënditë e fantazisë sonë, pangopësia, pasionet e ndryshme, të cilat na çorientojnë dhe na robërojnë. Eshtë koha që të mënjanojmë dëshirat tona egoiste, pikëpamjet mbi të drejtën dhe të padrejtën, sipas leverdisë personale, që përbuzin të vërtetën dhe drejtësinë e Perëndisë.
Në këtë rrugë të dëshiruar drejt miqësimit ekziston sot një pengesë teper serioze. Lehtë, të gjithë thonë “na vjen keq” ose “marrim pjesë në dhimbjen” për ngjarje tragjike. Por rrallë kërkojnë falje, madje edhe kur është më se e dukshme se disa kanë njëfarë përgjegjësie. Por pa ndjenjën e fajit dhe pa kërkuar falje, nuk realizohet korrigjim thelbësor.
Por, pavarësisht nga qëndrimet e të tjerëve, të gjithë ne sa besojmë duhet të lëvizim me mënyrën që na tregon Pashka: Me dhënien e vullnetshme e me dëshirë të faljes. Të gjithë sa gëzojmë dhuratën e pajtimit dhe ndjejmë se bëjmë pjesë tek mëkatarët, të cilët u miqësuan me Perëndinë me iniciativën e Tij, duhet të marrim edhe ne iniciativën për t’u miqësuar me ata që na kanë bërë padrejtësi. “E themi, vëllezër, dhe të gjithë sa na urrejnë, le t’i falim të gjitha ditën e Ngjalljes”.
Së fundi, të gjithë sa kemi pranuar “logjikën e Kryqit dhe të Ngjalljes”, kemi për detyrë të marrim përsipër në mënyrë të ndërgjegjshme “shërbesën e pajtimit”, të bëhemi “ndërmjetësues të Krishtit”. Të theksojmë në të gjitha drejtimet: Jo kultivimit të urrejtjes; jo dezinformimit; jo më me pasionet e vjetra. Kufijtë midis së mirës dhe së keqes nuk ndodhen midis njerëzve, midis grupeve shoqërore, midis popujve. Ato ndodhen brenda zemrës të secilit. Dhe është e nevojshme që drita e Ngjalljes të hyjë gjithnjë e më thellë në skutat më të fshehta të ndërgjegjes dhe të mendimit tonë.
Pra, Pashkë të mbarë, vëllezër. Le të ngazëllohemi për pajtimin që na fali Zoti i Kryqëzuar dhe i Ngjallur. Le t’i lutemi Atij që t’i falë sa më shpejt Shqipërisë qetësinë dhe pajtimin, për të ecur në një epokë të re të stabilitetit politik, lirisë, drejtësisë shoqërore e zhvillimit shpirtëror. Le të gëzojmë përgjegjësinë tonë për të qenë edhe ne ndërmjetës të Perëndisë së dashurisë, në një botë që tronditet nga përçarjet dhe armiqësitë. Le të pohojmë me entuziazëm Ungjillin e pajtimit, që Ai na e besoi. Të gjithë sa duam të kremtojmë Ngjalljen e Krishtit në mënyrë thelbësore, ftohemi të bëhemi faktorë miqësimi në rrethin tonë të ngushtë dhe më gjerë, duke marrë frymëzim dhe fuqi nga e kremtja kryesore e pajtimit mbarëbotëror, Pashka. Krishti u Ngjall!
Me përqafim Paskal dashurie,
Kryepiskopi i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë
+ Anastasi
Tiranë, Pashkë 1997
Megjithë ndryshimin e orarit, të detyruar nga momentet e vështira, mijëra besimtarë morën pjesë në Shërbesën e Ngjalljes.