EmailFacebookKontakt

Dritë mes errësirës së dhunës

Gjirokastër

Dritë mes errësirës së dhunës

– Fortlumturia e Tij Anastasi mes banorëve të rrethit e qytetit të Gjirokastrës, me mesazhin e shpresës për kapërcimin e ditëve të vështira e të hidhura. –

Vizita në rrethet e Jugut, si kudo ku ndodhën shkatërrime e dhunë, të krijon një shtrëngim në zemër. Dhe, për një çast, mendon se njerëzit mund të kenë humbur shpresën. Por, gjithë ata fëmijë që mbushnin kishat, të cilët mblidheshin plot dashuri e gëzim rreth Kryeepiskopit Anastas, gjatë vizitës së Tij në rrethin e Gjirokastrës, nga 11-14 prill, të ngrohin zemrat, të japin besim se e ardhmja nuk mund të cënohet.

Vizita nisi të premten mbasdite në Kishën e Derviçianit, fshatit më të madh të minoritetit, për shërbesën e fundit të Himnit Akathist. Mjes dhjetëra besimtarëve të pranishëm, të binte në sy pjesëmarrja e të vegjëlve, të cilën e përforconte edhe kori shumë i bukur i fëmijëve të fshatit. Edhe aty, si në gjithë vizitat, Fortlumturia e Tij çoi mesazhin “Zoti është me ne” dhe se “Nuk do të na braktisë Perëndia”, pavarësisht nga vështirësitë e momentit.

Të nesërmen, 12 prill, Kryeepiskopi u ndodh mes banorëve të fshatit Kakavijë, për bekimin dhe ajazmën e Kishës së re të Kryeengjëjve. Kisha do të ketë një sipërfaqe prej 180 m2 dhe 12 m lartësi. Në fund, Kryeepiskopi do të rrethohej nga fëmijët e shumtë, që plot besim kërkonin bekimin e Tij.

Më pas, Kryeepiskopi shkoi në fshatin Vrisera, ku po ngrihet kisha e re e Shën Kozmait; në Bodrishtë, ku vizitoi kishën shumë të bukur dyshekullore të Kryeengjëllit Mihail; në Bularat, ku u interesua për mundësinë e ngritjes së një qendre shpirtërore e kulturore për fëmijët dhe të rinjtë etj.

Të dielën, 13 prill, Fortlumturia e Tij, Kryeepiskopi i Tiranës Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasi, kreu Liturgjinë Hyjnore në Kishën Mitropolike të Metamorfozës, në qytetin e Gjirokastrës. Duke theksuar Ungjillin e ditës, Kryeepiskopi Anastas u ndal në mesazhin se “Kush të dojë prej jush të bëhet i parë, do të jetë shërbëtor i të gjithëve” dhe, se, kush i kujton këto fjalë të Zotit tonë Jisu Krisht, arrin të kapërcejë ambicjet e tij, në pranim të provave dhe dhimbjeve të Kryqit; arrin të kapërcejë egoizmin dhe dëshirën për të sunduar mbi të tjerët. Edhe aty, e veçanta mbresëlënëse ishin fëmijët e shumtë që morën pjesë në shërbesë. Në këtë Liturgji Kryeepiskopi Anastas kreu hirotonisjen në prift të Efthimio Xhollos, nga fshati Marefendi, në zonën e Livadhiasë, i cili ka mbaruar Shkollën Teologjike-hieratike të Durrësit.

Mbasditen e së dielës u bë edhe ajazma për bekimin e një ndërtese të blerë kohët e fundit në qytet (rreth 1300 m2), e cila do të kthehet në qendër shpirtërore dhe sociale. Në të do të vendosen klinika shëndetësore, salla e konferencave, kurset e ndryshme të katekizmit, gjuhëve, kompjuterit; kopshti i fëmijëve, biblioteka etj.

Të nesërmen, Kryeepiskopi u largua nga Gjirokastra i përcjellë nga dashuria e ngrohtësia e besimtarëve. Gjatë rrugës, Fortlumturia e Tij u ndal edhe në Kishën e re të Patosit dhe në Manastirin e Ardenicës, i cili kaloi ditë të vështira, por u mbrojt nga banorët e zonës.

Korresp. i “Ngjalljes”