Shën Polioni ishte këndonjësi i parë i Kishës së Sibalës, në Panoninë Lindore. Ai jetonte kur perandor ishte Diokleciani. Dy vjet pas martirizimit të shën Eusebit, peshkopit të Sibalës, Polioni u denoncua si blasfemues i perëndive dhe perandorëve. Pasi e arrestuan, e dërguan tek qeveritari i Sirmit, Probusi. Atje filloi procesi i zakonshëm kundër të akuzuarve si të krishterë.
Në fillim i kërkuan të mohonte Krishtin dhe të nderonte perënditë pagane. Polioni nuk pranoi, duke u thënë, që asnjë kërcënim apo torturë, nuk mund ta kthente atë nga besa e vërtetë, nga Zoti dhe Shpëtimtari i tij Jisu Krisht. Edhe pasi e torturuan, ai iu përgjigj me trimëri xhelatëve, se askush nuk mund ta detyronte të shkelte porositë e Shpëtimtarit. Kur gjykatësi e pyeti se kush ishin këto porosi, ai u përgjigj, se Krishti na ka mësuar besën në një Perëndi të vërtetë. Dhe që të jetosh sipas kësaj bese, duhet të nderosh pastërtinë, t’u nënshtrohesh urdhërave të drejtë të mbretërve dhe të qeveritarëve, të nderosh prindërit, të duash miqtë dhe të falësh armiqtë, të japësh pasurinë për të varfërit dhe të mos lakmosh gjënë e tjetrit. Gjithashtu, ai shtoi, se ai që do të ruajë këtë besë dhe do të përbuzë vdekjen, do të gëzojë dritën e përjetshme dhe të mirat që nuk mbarojnë kurrë, të cilat janë më të mira dhe më të ëmbla nga të mirat që mbarojnë.
Meqenëse, ai nuk pranoi përsëri t’u flijonte perëndive pagane, qeveritari urdhëroi të torturohej edhe më egërsisht. Dëshmori ilir u përgjigj, që i priste me kënaqësi torturat dhe gëzohej kur shahej e përndiqej për emrin e lavdëruar të Jisu Krishtit. Probusi, qeveritari, i tërbuar nga përgjigjet e martirit, urdhëroi që ai të digjej i gjallë.
E çuan për ta djegur në një vend, që ndodhej rreth një kilometër larg qytetit të Sirmit (pranë Mitrovicës së sotme), ndërkohë që shenjti lavdëronte dhe bekonte Perëndinë, i Cili e kishte parë të denjë, ta thërriste si martir në mbretërinë e qiellit. Në martirogun e shën Jeronimit, thuhet se kjo ndodhi në 28 prill të vitit 304. Në itinerarin e Salsburgut thuhet, se lipsanat e tij të shenjta u transferuan më vonë në Romë, në via Portuensis, në varrezën e Pontianit. Shumë lipsanë të shenjtorëve ilirë u transferuan në Romë, kur Iliria u invadua nga barbarët avarë e sllavë.
Kisha jonë orthodokse e nderon kujtimin e dëshmorit të shenjtë Polion, në 28 prill. Në disa sinaksarë të tjerë bizantinë, ai përkujtohet në 27 prill.