EmailFacebookKontakt

Vërtet u ngjall!

Shërbesa tashmë i përket të Dielës së Pashkës. Mbas hyrjes, që është bërë me Ungjill, këndohen pesëmbëdhjetë pjesë prej Dhiatës së Vjetër, të gjitha të lidhura me veprën e Perëndisë të krijimit dhe shpëtimit, vepër e cila është përmbledhur e përmbushur në ardhjen e parashikuar të Mesias. Përveç këndimeve nga Gjeneza, rreth krijimit dhe nga Eksodi, rreth pashkës së Israelitëve në kohën e Moisiut, kemi gjithashtu pjesë prej profecive të Isaisë, Ezekielit, Jeremisë, Danielit, Sofonisë e Jonait; si edhe prej Jisu Naviut dhe Librit të Mbretërve. Këndohen gjithashtu, Kënga e Moisiut dhe e Tre Djemve, që gjendet tek libri i Danielit.

Pas këndimeve nga Dhiata e Vjetër, kremtuesi intonon thirrjen e zakonshme liturgjike për këndimin e Himnit Trishenjtor, por në vend të tij këndohet vargu nga Galatianët: “Sa u pagëzuat më Krishtin me Krishtin u veshët. Aliluia (Galatianët 3: 27).

Si zakonisht, në Meshën Hyjnore bëhet këndimi i Apostullit. Pjesa është po ajo e Pagëzimit në Kishën Orthodhokse (Romanët 6:3-11). Sepse, nëse u bashkuam me Krishtin në një vdekje të ngjashme me të Tijën, do të jemi edhe e ringjalljes së Tij (Romanët 6:5).

Në këtë kohë Dyert e Bukura mbyllen dhe kremtuesit e shërbyesit e altarit i ndërrojnë veshjet e tyre, nga veshjet e errta të pësimit të Krishtit, në ato të ndritshmet të fitores së Tij mbi vdekjen. Gjithashtu, në këtë kohë të gjitha veshjet e mbulesat e Kishës janë ndërruar në ngjyra të ndritshme, si shenjë e fitores së Krishtit mbi mëkatin, djallin dhe vdekjen. Kjo riveshje bëhet gjatë kohës, që këndohen vargjet e psalmit 82: Ngrihu o Perëndi edhe gjykoje dhenë, se Ti do i trashëgosh tërë kombet.

Mbas këndimit solemn të vargjeve të psalmit, tek të cilat shtohen shpesh himnet që e lavdërojnë Krishtin, si Pashka e Re, Flijimi i Gjallë që është therur, Qengji i Perëndisë, që heq mëkatet e botës, kremtonjësit dalin nga altari për të shpallur mbi varrin e Krishtit siharikun e gëzuar të triumfit të tij mbi vdekjen dhe porosinë e tij tek apostujt: “Bëni dishepuj nga të gjithë popujt, duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë dhe duke i mësuar të ruajnë gjithçka, që ju kam porositur juve…” (Matheu 28:1-20). Ky Ungjill këndohet, gjithashtu në Shërbesën e Pagëzimit të Kishës Orthodhokse. Pastaj, Mesha Hyjnore vazhdon me shkëlqimin e shkatërrimit të vdekjes nga Krishti.

Fillimisht, kjo Meshë ishte Mesha Pagëzimore e Pashkës, ku pagëzoheshin të Krishterët. Ajo mbetet edhe sot, si përvoja e përvitshme e çdo të krishteri, e vdekjes dhe e ngjalljes së tij me Zotin.

Por, nëse vdiqëm bashkë me Krishtin, besojmë se dhe do të rrojmë bashkë me Të; duke ditur që Krishti u ngrit prej së vdekurish, nuk vdes më. Dhe vdekja nuk ka pushtet më mbi Atë (Romanët 6:8-9).

Krishti shtrihet i vdekur, por ai është përsëri i gjallë. Ai është në varr, por ai tashmë “me vdekjen vdekjen shkeli dhe të varrosurve iu fali jetën”. Tani, nuk mbetet më gjë për të bërë, përveçse për të jetuar nëpër gjithë mbrëmjen e Sabatit të Bekuar, në të cilin Krishti fle, duke pritur orën e mesnatës, kur Dita e Zotit do të agojë përmbi ne dhe nata plot dritë do të vijë, kur ne do të shpallim bashkë me engjëllin:

“Ai u ngjall, nuk është më këtu; ja vendi ku e vunë” (Marku 16;6).

E Diela e Shenjtë e Pashkës së Madhe

Pak përpara mesnatës, në Sabatin e Bekuar, fillon Vigjilja e Pashkës. Në disa tekste kjo shërbesë quhet Shërbesa e Mesnatës. Gjatë saj Kisha mbahet e ndriçuar shumë pak. Sipas zakonit të vjetër, mbas Kanonit shuhen të gjithë kandilet e Kishës përveç “Kandilit të Pashuar” të altarit. Pastaj fillon Shërbesa e Dritës ose Shërbesa e Ngjalljes. Prifti është në altar. Ai merr Qiriun e Pashkës dhe e ndez në “Kandilin e Pashuar”. Pastaj me të në dorë del tek Dyert e Bukura, duke kënduar: “Ejani e merrni dritë, prej dritës që s’perëndon, edhe lavdëroni Krishtin që u ngjall së vdekurish!”

Në mesnatë fillon procesioni i Pashkës. Populli del nga Kisha, duke kënduar:

Ngjalljen Tënde o Krisht Shpëtimtar, Engjëjt në qiell e hymnojnë; vlerësona edhe ne përmbi dhenë, me zemër të pastër Ty të lavdërojmë.

Ky procesion i të krishterëve gjatë natës së Pashkës, të kujton atë pagëzimor, prej errësirës dhe vdekjes së kësaj bote në dritën dhe jetën e Mbretërisë së Perëndisë, që kryhej në Kishën e vjetër. Ky është procesioni i kalimit të shenjtë, prej vdekjes në jetë, prej tokës në qiell, prej kësaj jete në atë, që të do vijë dhe që është pa mbarim. Pastaj këndohet Ungjilli. Tashmë është zakon që Ungjilli i Ngjalljes të këndohet në një vend të caktuar jashtë Kishës. Nëse kjo nuk është e mundur procesioni kthehet në Kishë dhe Ungjilli këndohet në dyert qëndrore të Narteksit. Në disa Kisha Ungjilli këndohet para dyerve ballore të mbyllura të Kishës. Pasi prifti thotë me zë të lartë “Lavdi Trinisë së Shenjtë së bashkëqenshme… “, këndohet për herë të parë Tropari i Pashkës, së bashku me vargjet e Psalmit 68, me të cilët do të fillojnë të gjitha shërbesat e Kishës gjatë periudhës së Pashkës.

Krishti u ngjall së vdekurish, me vdekje vdekjen shkeli dhe të varrosurve iu fali jetën (Tropari).

Pastaj populli rihyn në Kishë dhe vazhdon shërbesa e Mëngjesores së Pashkës, e cila këndohet e gjitha. Himnet e Kanonit të Ngjalljes së Krishtit, atribuar shën Joan Damaskinit, këndohen me troparin e festës dhe si refrene që përsëriten në mënyrë të vazhdueshme. Kisha është zbukuruar me lule e me drita. Veshjet janë robat e ndritshme të Ngjalljes. Ikona e Pashkës, që qëndron në mes të Kishës tregon Krishtin, duke shkatërruar dyert e Hadhit dhe duke çliruar Adamin e Evën prej robërisë së vdekjes. Ajo është imazhi i Fitores, i “shkeljes së vdekjes me vdekje”. Vazhdon këndimi dhe temjanisja e ikonave dhe popullit, me thirrjen e vazhdueshme të kremtuesit: Krishti u ngjall! Besnikët i përgjigjen: Vërtet u ngjall!

Sot është ditë ngjalljeje, ndriçohu o popull. Pashka e Zotit, Pashka. Se Krishti, Perëndia ynë, na shpuri prej vdekjes në jetë, prej dheut në qiell, duke këhduar këngën e fitores: Krishti u ngjall së vdekurish! (Kënga e parë e Kanonit të Pashkës)

Pas kanonit këndohen vargjet e Pashkës dhe në përfundim të Mëngjesores së Pashkës këndohen Orët e Pashkës. Përgjithësisht, gjatë shërbesave në Pashkë, asgjë nuk është vetëm thjesht lexuar. Çdo gjë këndohet me meloditë e gëzuara të festës.

Në mbarim të Orëve, para Meshës Hyjnore, kremtuesi shpall solemnisht të famshmin Predikim të Pashkës të Shën Joan Gojartit. Ai është një ftesë për të gjithë besnikët, që të harrojnë mëkatet e tyre dhe të vijnë të plotë në festën e Ngjalljes së Krishtit. I kuptuar literalisht, predikimi është një ftesë zyrtare, ofruar të gjithë anëtarëve të Kishës, për të ardhur dhe për të marrë Kungatën e Shenjtë, për të marrë pjesë në Krishtin, Qengjin e Pashkës, tryeza e të cilit është shtruar tani në mes të Kishës. Në disa famulli predikimi zbatohet literalisht dhe të gjithë besnikët marrin dhuratën eukaristike të Darkës së Pashkës.

Mesha Hyjnore e Pashkës fillon menjëherë, duke kënduar përsëri troparin e festës me vargjet e Psalmit 68. Vargje të veçantë nga psalmet formojnë, gjithashtu antifonet e Meshes, me anë të cilave besnikët lavdërojnë shpëtimin e bërë nga Perëndia. Tropari përsëritet vazhdimisht. Në vend të Himnit Trishenjtor thuhet: “Sa u pagëzuat më Krishtin, me Krishtin u veshët”. Si Apostull këndohen nëntë vargjet e para të Librit të Veprave të Apostujve. Si Ungjill janë shtatëmbëdhjetë vargjet e para të Ungjillit të Shën Joanit. Proklamimi i Fjalës së Perëndisë i çon besnikët në fillimin e krijimit dhe lajmëron krijimin dhe rikrijimin e botës prej Perëndisë, me anë të Fjalës së gjallë së Perëndisë, Birit të Tij Jisu Krisht.

Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte me Perëndinë dhe Fjala ishte Perëndi… Të gjitha gjërat u bënë me anë të Tij… Në Atë ishte jeta dhe jeta ishte drita e njerëzve…

Vazhdon Mesha e Shën Joan Gojartit, që kurorëzohet në Kungimin e shenjtë me Qengjin e Pashkës, në banketin e tij në Mbretërinë e Perëndisë. Përsëri e përsëri këndohet tropari i Pashkës, ndërkohë që besnikët kungohen me Atë “që ishte i vdekur dhe është gjallë përsëri” (Zbulesa 2:8).

Në Kishën Orthodhokse festa e Ngjalljes quhet Pashka, fjalë që do të thotë Kalim. Ky është Kalimi i ri i Dhiatës së Re dhe të përjetshme, i parathënë nga profetët e vjetër. Ky është Kalimi përjetshëm nga vdekja tek jeta dhe nga dheu në qiell. Kjo është Dita e Zotit shpallur nga profetët e shenjtë të Perëndisë, “dita që ka bërë Zoti” për gjyqin e Tij mbi të gjithë krijimin, dita e fitores së Tij finale e të përjetshme. Kjo është Dita e Mbretërisë së Perëndisë, dita “që nuk ka natë” sepse “llamba e saj është Qengji” (Zbulesa 21:22-25).

Prandaj, kremtimi i Pashkës në Kishën Orthodhokse, nuk është thjesht një dramatizim historik i ngjarjes së Ngjalljes së Krishtit siç është treguar në Ungjill. Nuk është një paraqitje dramatike e “mëngjesit të parë të Pashkës”. Nuk ka ndonjë “shërbesë të lindjes së diellit” meqenëse Mëngjesorja e Pashkës dhe Mesha Hyjnore kremtohen së bashku në orët e para të ditës së parë së javës, me qëllim që t’i japë njerëzve përvojën e “krijimit të ri” të botës e t’i lejojë ata të hynë mistikërisht në Jerusalemin e ri, i cili shkëlqen përjetësisht me dritën e Krishtit, duke mundur natën e vazhdueshme të të ligut e duke shkatërruar errësirën e kësaj bote mëkatare dhe të vdekshme.

Ndriçohu, ndriçohu, qytet i Ri Jerusalem, se lavdia e Zotit, përmbi ty ka lindur sot. Vallëzo tani dhe gëzohu o Sion dhe ti o Hyjlindëse e pastër dëfrehu në Ngjalljen e Birit tënd.

Ky është një nga himnet kryesore të Pashkës në Kishën Orthodhokse. Ai është frymëzuar nga profecia e Isaisë dhe nga kapitujt e fundit të Zbulesës, sepse është pikërisht Krijimi i Ri, Jerusalemi i Ri, Qyteti Qiellor, Mbretëria e Perëndisë, Dita e Zotit, Dasma e Qengjit me Nusen e tij, që kremtohen e përjetohen në Shpirtin e Shenjtë, gjatë Natës së Shenjtë të Pashkës në Kishën Orthodhokse.

Marrë nga libri “Besimi Orthodhoks”, i Protopresviter Thomas Hopko, përkthyer nga Arqimandrit Joan Pelushi