EmailFacebookKontakt

Akte vandalizmi dhe plaçkitjeje në objektet kishtare

Vërtet, asnjë prej kishave orthodhokse nuk u plaçkit apo u dëmtua. Por, sidoqoftë, edhe Kisha jonë pësoi një sërë dëmtimesh. Kështu, në Mitropolinë e Gjirokastrës u vodhën një sasi lekësh nga persona me maska, të cilët hynë në ndëtesën e Mitropolisë në mes të natës, duke lidhur priftin e duke vjedhur ato para, që qenë caktuar për të ndërtuar një kishë.

Mitropolia e Vlorës është dhunuar nga disa persona, të cilët vazhdojnë të qëndrojnë aty me familjet e tyre.

Në Prrenjas janë vjedhur të gjitha materialet ndërtimore, me një vlerë të përafërt rreth 2 milionë lekë.

Në Mitropolinë e Sarandës njerëz me maska hynë brenda për të rrëmbyer të holla, por pasi nuk gjetën gjë u larguan.

Kopshti i fëmijëve në Korçë u vodh i gjithi.

Kampingu i Skrofotinës pranë Vlorës u plaçkit i gjithi, duke përfshirë edhe paisjet e kuzhinës, shtretërit e mbulesat, dyert e dritaret. Kisha e Shën Parashqevisë, që ndodhet jo më larg se 50 m nga kampingu, nuk u prek.

Në Lundër, afër Tiranës, ku gjendej një magazinë e Kishës ndihmash humanitare, u krye një plaçkitje masive e të gjitha magazinave, që ndodhen në këtë vend, ku gjendeshin ndihmat humanitare të shoqatave ndërkombëtare e kombëtare.

Mjaft incidente të tjera janë parandaluar, falë Hirit të Perëndisë dhe mbrojtjes që u është ofruar pronave kishtare nga vetë besimtarët. Kështu, disa grupe njerëzish u përpoqën që të plaçkisnin Manastirin e Ardenicës, i cili është thesari i Orthodhoksisë në Shqipëri. Objektivi i tyre ishte që të grabisnin ikonostasin e famshëm me të gjitha ikonat, të cilat kanë një vlerë të madhe kishtare, artistike dhe historike. Plani i tyre dështoi, pasi fshatarët besimtarë, qenë gjithashtu të armatosur dhe ua prenë rrugën për në Manastir me anën e një tanku. E njëjta gjë u përsërit në Shën Vlash, ku besimtarët e armatosur të fshatit, mbrojtën dhe mbrojnë Seminarin Hieratiko Theologjik.

Në Korçë, at Jani Trebicka mbrojti Muzeun Mesjetar, që edhe sot e kësaj dite “mbrohet nga shteti”. Të gjithë policët e kishin lënë detyrën e tyre dhe rrjedhimisht të gjitha institucionet në Korçë, përfshirë edhe Muzeu, ku gjenden disa mijëra ikona të herëshme, ishin pa mbrojtje. At Jani i armatosur me autoritetin priftëror, e ndaloi grupin e grabitësve, duke shmangur kështu një vjedhje me përmasa kolosale. Falë këtij autoriteti, ai madje arriti që të bindte disa prej grabitësve për ta ruajtur Muzeun nga mundësi të tjera grabitjeje.