EmailFacebookKontakt

Vështrimi ynë – Çështje që kërkon zgjidhje urgjente

Vështrimi ynë

Çështje që kërkon zgjidhje urgjente

– Vlerat e Kishës së Hyjlindëses Mari në Elbasan në rrezik. –

Në vazhdim të shqetësimit tonë të drejtë për dëmtimin e vlerave të Kishës së “Shën Marisë” në Lagjen Kala, Elbasan, e cila sikurse dihet nga të gjithë ne, është monument kulture i kategorisë së parë, i bashkohet tani edhe Instituti Monumenteve të Kulturës.

Në shkresën e dërguar KOASH me Nr. 48 prot. datë 4.4.1997, ngrihet me të drejtë e forcë shqetësimi i specialistëve të saj, për dëmtimin e vazhdueshëm të vlerave monumentale, nga ndërhyrjet e personave inkompetentë dhe pa përgjegjësi, që e kanë uzurpuar me dhunë e në kundërshtim me ligjin këtë objekt, i cili po dëmtohet dita ditës.

E ndiejmë për detyrë të ritheksojmë, që KOASH i ka bërë dhe do t’i bëjë të gjitha përpjekjet, në përputhje me ligjet e shtetit demokratik, që kjo anomali që u krye në dëm të këtij objekti (i cili siç dihet është pronë e ligjshme e KOASH), është çështje e mbetur për zgjidhje nga organet e pushtetit lokal të Elbasanit, gjë që është edhe detyra e tyre për rikthimin në gjendjen e parë.

Më pas, në bashkëpunim me Institutin e Monumenteve të Kulturës do të shikohet mundësia për fillimin e punimeve të restaurimit dhe ndërtimin, me qëllim që të mos dëmtohen akoma ato vlera të çmuara që kanë mbetur nga ky monument i cili është pasuri e paçmuar e KOASH, si edhe e identitetit të popullit shqipëtar.

Petrika Shalësi