Në Kishën Orthodhokse java e fundit e jetës së Krishtit quhet Java e Pësimit. Në emërtimin popullor është quajtur Java e Madhe. Çdo ditë emërtohet në librat e shërbesave si “e Madhe dhe e Shenjtë” dhe ka shërbesa të veçanta, të cilat kryhen në të gjitha kishat. Jeta tokësore pushon për çdo besnik, kur ata “shkojnë me Zotin në Jeruzalem” (Mëngjesorja e të Hënës së Madhe).
Çdo ditë e Javës së Madhe ka temën e veçantë të saj. Tema e së Hënës është ajo e drurit të fikut, që s’kishte fruta, por vetëm gjethe dhe për këtë u dënua me tharje. Të Martën, theksi është në vigjilencën e virgjëreshave të ditura, të cilat, në dallim nga motrat e tyre të marra, ishin gati kur Zoti erdhi tek ato. Të Mërkurën, fokusi është në pendimin e gruas mëkatare. Në këtë ditë theksohet shumë krahasimi ndërmjet gruas së përdalë, që shpëtoi me anë të pendimit dhe Judës, që ishte një nga apostujt e zgjedhur, por që humbi nga pabesia dhe cmira.
Në këto tri ditë këndohet Ungjilli gjatë Orëve dhe në Mbrëmësoret, kur shërbehet Mesha e Dhuratave të Parashenjtëruara. Këndimet nga Dhiata e Vjetër janë prej Eksodit, Jobit dhe Profetëve. Ungjilli është kënduar, gjithashtu në Shërbesat e Mëngjesit, të cilat quhen tradicionalisht shërbesat e “Dhëndërit”, sepse tema e përgjithshme e secilës ditë është fundi i botës dhe gjyqi i Krishtit. Shërbesa e Dhëndërit kryhet natën.
Ja tek vjen dhëndëri në mes të natës; dhe lum ai shërbëtor, të cilin do e gjejë vigjilues dhe mjerë ai shërbëtor, të cilin do e gjejë pa kujdes. Prandaj, o shpirti im ki mendjen, se mos të rëndojë gjumi dhe jepesh në vdekje jashtë Mbretërisë; por zgjohu dhe thirr me zë të madh: I Shenjtë, i Shenjtë, i Shenjtë je Ti, o Perëndi, me lutjet e Hyjlindëses mëshirë ki për ne (Tropari i Tre Ditëve të Para).
Gjatë tri ditëve të para të Javës së Madhe, Kisha rekomandon që të këndohen të Katër Ungjijtë në Orët, deri në pikën ku fillon tregimi i pësimit të Krishtit. Meqenëse, kjo zakonisht s’është e mundur të bëhet në kishat e enorive, atëherë duhet të bëhet një përpjekje, që të paktën një nga Ungjijtë të këndohet i gjithë, para së Enjtes së Madhe, deri në pjesën ku fillon pësimi, veças ose bashkërisht.
E Enjtja e Madhe
E Enjtja e Madhe i kushtohet Darkës Mistike, që Krishti kremtoi me dymbëdhjetë apostujt e tij. Tema kryesore e ditës është Darka vetë, në të cilën Krishti porositi, që Pashka e Dhiatës së Re të hahej në kujtim të Tij, të trupit të Tij që thyhet dhe gjakut të Tij, që derdhet për ndjesën e mëkateve. Gjithashtu, në shërbesat e kësaj dite kujtohet tradhëtia e Judës dhe larja e këmbëve të nxënësve.
Ungjilli në Meshën Hyjnore përbëhet nga një kombinim i të gjithë tregimeve të ungjillorëve për të njëjtën ngjarje. Himnet dhe leximet e ditës i referohen të njëjtit mister qëndror.
Kur nxënësit me lavdi, në lanjëtoren e darkës po ndriçoheshin, Juda i pabesë dhe tradhëtar, nga argjendashja u errësua nga lakmia dhe tek gjyqtarët e paligjshëm, të dorëzon Ty Gjykatësin e Drejtë. Ti që lakmon argjend shiko, se ky njeri prej lakmisë vari veten; largohu nga shpirti i pangopur, që guxoi të tilla gjëra kundër Mësuesit. O Zot gjithmonë i mirë, lavdi më ty! (Përlëshorja).
Mesha Hyjnore e Shën Vasilit të Enjten e Madhe, kryhet bashkë me Shërbesën e Mbrëmjes. Ungjilli i gjatë i Darkës Mistike këndohet mbas leximeve nga Eksodi, Jobi dhe Isaia dhe letrës së parë të Apostullit Pavël drejtuar Korinthianëve (Kapitulli 11).
Kremtimi liturgjik i Darkës së Zotit të Enjten e Madhe nuk është thjesht një përkujtim vjetor i “themelimit” të misterit të Kungatës së Shenjtë. Ngjarja e Darkës së Pashkës nuk ishte thjesht veprimi i fundit i Zotit për “të themeluar” misterin qëndror të besës së krishterë, para pësimit dhe vdekjes së tij. Por, përkundrazi, i gjithë misioni i Krishtit dhe, para së gjithash, vetë qëllimi i krijimit të botës, është që krijesat e dashura të Perëndisë, bërë sipas shembëlltyrës dhe ngjashmërisë së Tij hyjnore, të mund të jenë përjetësisht në Kungimin më intim me Të, të ulur në tryezë me Të, duke ngrënë dhe duke pirë në mbretërinë e Tij pambarim.
Kështu, Krishti, Biri i Perëndisë, flet tek apostujt e tij gjatë darkës dhe tek të gjithë njerëzit që dëgjojnë fjalët e tij dhe besojnë në Të dhe në Atin, që e dërgoi Atë:
Ju jeni ata, që qëndruat me Mua në sprovat e Mia. Dhe unë ju caktoj mbretërinë, ashtu si ma ka caktuar mua Ati Im, që ju të hani e të pini në tryezën Time, në mbretërinë Time… (Lluka 22: 28-30).
Prandaj, është e vërtetë të thuhet në një kuptim real, që trupi i thyer dhe gjaku i derdhur, për të cilat foli Krishti në Darken e tij të fundit me nxënësit, nuk ishte thjesht një parabërje dhe një parashikim për atë që do të vinte; por ajo që do të vinte – kryqi, varri, Ngjallja në ditën e tretë, ngjitja në qiell ndodhën pikërisht, që njerëzit të mund të bekoheshin nga Perëndia, që të jenë në Kungim të Shenjtë me Të përgjithmonë, duke ngrënë dhe pirë në tryezën mistike të mbretërisë së tij, që nuk do të ketë mbarim.
E Premtja e Zezë
Shërbesa e Mëngjesit e të Premtes së Zezë, kryhet në përgjithësi të enjten në darkë. Tipari kryesor i kësaj shërbese është këndimi i dymbëdhjetë pjesëve nga Ungjijtë. Të gjitha ato tregojnë pësimin e Krishtit. Këndimi i parë është nga Ungjilli sipas Joanit 13:31-18:1. Ky është fjala e gjatë e Krishtit me nxënësit, që përfundon me të ashtuquajturën lutje kryepriftërore. Ungjilli i fundit tregon vulosjen e varrit dhe vendosjen e rojeve (Matheu 27:62-66). Të dymbëdhjetë këndimet e Ungjijve të pësimit të Krishtit janë vendosur ndërmjet pjesëve të ndryshme të shërbesës. E tërë himnologjia është e lidhur me vuajtjet e Shpëtimtarit dhe huazon shumë nga ungjijtë, nga shkrimet profetike dhe psalmet. Lumurimet e Zotit këndohen mbas Ungjillit të gjashtë dhe i jepet një theksim i veçantë shpëtimit të kusarit, i cili e njohu Mbretërinë e Krishtit.
Të Premten e Zezë nuk ka Meshë hyjnore për të njëjtat arsye që ndalojnë kremtimin e eukaristisë në ditët agjërimore të Kreshmës.
Ngjallja e Llazarit
Në javën që paraprin Javën e Madhe, të Premten në mbrëmje është vigjilja e kremtimit të Ngjalljes së Llazarit, ku përfundojnë formalisht “dyzetë ditët e mëdha shpëtimtare” të Kreshmës së Madhe.
E nesërmja, e Shtuna e Llazarit, është një kremtim paskal. Është hera e vetme në tërë vitin kishtar, që shërbesa e Ngjalljes së të Dielës kremtohet në një ditë tjetër. Në Meshën e të Shtunës së Llazarit, Kisha lavdëron Krishtin si “Ngjallja dhe Jeta”, i Cili me anë të ngjalljes së Llazarit ka konfirmuar, madje edhe përpara pësimit dhe vdekjes së tij, ngjalljen e përgjithshme të njerëzimit.
O Krisht Perëndia Ynë, kur ngjallët Llazarin prej së vdekurish, përpara Pësimit Tënd, tregove Ngjalljen e Përgjithshme. Prandaj, edhe ne porsi fëmijët që mbanin palma e lule në duar, shenja të fitores dhe triumfit, po të thërrasim: “O Mundës i Vdekjes, Hosana më të lartat! I bekuar është ai që vjen në emrin e Zotit. (Përlëshorja e Festës)
Për shkak të ngjalljes së Llazarit prej së vdekurish, Krishti u përshëndet nga populli si Mesia i shumëpritur, Mbreti i Izraelit. Kështu, në përmbushjen e profecive të Dhiatës së Vjetër, ai hyri në Jeruzalem, Qyteti i Mbretit, hipur mbi pulishtin e një gomari (Zaharia 9:9; Joani 12:12).