Pësimi dhe vdekja e Krishtit në bindjen ndaj Atit, zbulon dashurinë hyjnore të mbibollshme të Perëndisë për krijimin e tij. Sepse kur gjithçka ishte mëkat, mallkim dhe vdekje, Krishti u bë mëkat, mallkim dhe vdekje për ne – ndonëse ai kurrë nuk pushoi së qenuri drejtësia, bekimi dhe jeta e Vetë Perëndisë.
Në këtë thellësi, që më thellë nuk mund të zbulohet apo imagjinohet, Krishti e përuli vetveten “për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë.” Sepse duke qenë Perëndi, ai u bë njeri; dhe duke qenë njeri, ai u bë një shërbëtor; dhe duke qenë një shërbëtor, ai u bë i vdekur dhe jo vetëm i vdekur, por i vdekur në kryq. Nga ulja më e thellë e Perëndisë rrjedh lartësimi i përjetshëm i njeriut. Kjo është doktrina qëndrore e Besimit të Krishterë Orthodhoks, e shprehur në mënyra të ndryshme gjatë historisë së Kishës Orthodhokse. Kjo është doktrina e Shpengimit – sepse ne jemi shpërblyer, d.m.th. “blerë me një çmim”, çmimin e madh të gjakut të Krishtit.
“Kryqëzimi i Krishtit”, Konstandin dhe Athanas Zografi, shek. XVIII (1770). Katedralja e Shumtit Jetëdhënës, Korçë (aktualisht ndodhet në fondin e Muzeut Mesjetar).