Në ditën e kremtimit të Shën Vlashit
Atje, qëndron Manastiri si një fron i bardhë, për kureshtjen e atyre që s’e njohin, për befasimin e të posaardhurve, për harlisjen e gëzimit të miqve. Ai qëndron si perlë mes atij sfondi çorientues amorf, për t’u rikujtuar të gjithëve ish-cungimin rrënues ciklopik. Ai qëndron madhështor për të treguar, se pa Hirin e Trinisë së Tërëshenjtë, pa punën plot bekim të Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas, ky vend edhe pse shpirtëror do t’u ngjante afërinave të shterpëta.
Megjithëse fitohtë, kodra-bazamenti i Manastirit u popullua me besimtarë nga Durrësi, Tirana, Kavaja, Lushnja, Fieri, Elbasani e Pogradeci. Çastet në Liturgji kalonin mes lutjeve e blatimeve të Kryepiskopit Anastas e të priftërinjve, që bashkëmeshonin me të. Kori i djemve seminaristë shoqërohej përherë nga zërat e qindra besimtarëve. Mes lutjeve për ndërmjetim drejtuar Shën Vlashit, të cilat ishin jo vetëm për probleme shpirtërore, por edhe të planit fizik, do të dëgjoje shpesh nga besimtarët thirrma falenderimi për Shenjtin. Ishte prekëse kjo, por nëse do të vëzhgoje gjatë Liturgjisë momentet, kur Kryepiskopi Anastas bekonte besimtarët, ata me të njëjtin përkushtim si ndaj Shën Vlashit përkuleshin dhe prisnin bekimin, duke falenderuar. Kur vije re këtë s’ishte e vështirë t’i parafytyroje lutjet e besimtarëve si pëllumba, që për tu ngjitur në qiej njerin krah e merrnin nga ikona e Shën Vlashit dhe krahun tjetër nga personi shumë i dashur i Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas. Kjo është lavdia, të cilën Perëndia fillon ta thurë që gjatë jetës tokësore, ky është lartësimi që ai i bën të zgjedhurit të Tij, se: “Zoti do t’i japë hir dhe lavdi; ai nuk u refuzon asnjë të mirë atyre që ecin drejt!” Psalm 84:11. Dhe kjo ka ndodhur me të gjithë shenjtorët…
Për jetën e Shën Vlashit foli arqimandriti at Joan Pelushi. Më pas, ai falenderoi nxehtësisht Kryepiskopin Anastas për veprën madhështore në mbarë Shqipërinë e sidomos për Manastirin e Shën Vlashit dhe kompleksin e Seminarit Hieratiko-Theologjik, ku përgatiten aradhat e barinjve shpirtërorë. Me Hirin e Perëndisë në këtë kompleks përfunduan 2 stadet e para të punimeve dhe është drejt përfundimit stadi i tretë. Kushtet janë nga më cilësoret dhe studimet vazhdojnë sistematikisht, sepse siç ka thënë Kryepiskopi Anastas: “Një godinë ndërtohet shpejt, por sa kohë duhet për t’u përgatitur një prift?” Kur fjalën e mori Fortlumturia e Tij Prof. Dr. Anastasi, vendin kryesor e zuri lavdërimi dhe falenderimi për Perëndinë, që solli bekimet e Tij në kishën tonë. “Shpresa jonë për të ardhmen është tepër e ndritur!” – tha ai, duke kujtuar më pas Liturgjinë e parë në Shën Vlash pa as edhe një gur prej kishës së vjetër, në kushte tepër të vështira atmosferike e kur për të predikuar, meqë numri i besimtarëve ishte shumë i madh, iu desh të ngjitej mbi një tavolinë. Por një çast, duke vënë re fëmijët e shumtë, të cilët si zogj të vegjël e rrethonin me dashuri, Kryepiskopi porositi prindërit për ta: “Kujdesuni për fëmijët, t’i lidhni me Krishtin e Kishën e Tij, që të mund të jetojnë, si Perëndia do!” Në fund të predikimit Kryepiskopi Anastas tërhoqi vëmendjen në çështjen, se si ne do të ndërtojmë kishën brenda vetes sonë. “Le të bëhet secili një prift, që për altar të ketë vendin e tij të punës e që Liturgjinë e Shenjtë ta vazhdojë edhe jashtë kishës për ta lavdëruar Perëndinë me atë që bëjmë, që themi, me heshtjen tonë dhe mbi të gjitha me atë që jemi!” – këshilloi Kryepiskopi dhe e përfundoi fjalën duke uruar, që të jenë njerëz të dashurisë, faljes, krijues e punëtorë, të ndershëm dhe një shpresë për të gjithë të tjerët.
Erdhi çasti, të cilin besimtarët e prisnin me padurim. Nuk mund të përshkruhet ngazëllimi i tyre kur e takonin, falenderonin dhe e uronin Kryepiskopin Anastas, teksa merrnin naforën dhe bekimin e tij. Mes vargut syri të zinte dhe studentët e Seminarit Theologjik, që dalloheshin nga uniformat e tyre. “Mos harroni, nga ku u nisëm!” Këtë frazë të thënë prej Kryepiskopit ta sillte ndërmend dënduria e djemve seminaristë, paraardhësit e të cilëve studjuan në hotelin e padritë e të paujë, në hotelin e vështirësive e të qerave tepër të larta.
“Mos harroni, nga ku u nisëm!” – 1991. Qiparisat e ca rrënoja dëshmonin, se aty kish qënë dikur Manastiri i shumëpërmendur i Shën Vlashit. 19 nëntor 1994. Një gur i bardhë vendoset në themel, prej një dore’ të bekuar. Zanafilla afrohet kaq shumë. 11 Shkurt 1996. Kremtimi i parë i Shën Vlashit në kishën e freskët, në Manastirin e ri. 11 shkurt ’97 Ai qëndron atje si një Fron i Bardhë. Një dorë e zbukuroi dhe në Të sot u ul Perëndia!
Efrosina Joti
Eluka Patra