Në Tokën e Shenjtë një episod, që zgjon përmallim
Në Betlehem flitet për një mrekulli: Jisui qan lotë gjaku
Në zemrën e Krishtërimit, në Tokën e Shenjtë, Jisui qan. Qan me lotë gjaku. Më pak se një muaj nga Krishtlindja, ngjarja e jashtëzakonshme po verifikohet në pjesën Orthodhokse të kishës më antike të botës, ku çdo vit mijëra e mijëra pelegrinë vijnë nga çdo cep i globit: në Kishën e Lindjes në Betlehem.
Ikona, që qan është ajo e “Krishtit të përvuajtur”, e cila derdh lotë gjaku në një prej rrëzimeve të tij nën peshën e kryqit, gjatë Rrugës së Kryqëzimit. Eshtë një ikonë antike, një afresk mbresëlënës i shekullit të gjashtë, i pikturuar në një kolonë në sektorin e kishës, që të çon drejt shpellës së Lindjes, ku, sipas traditës, ndodhej grazhdi i kaut dhe kërriçit, në të cilin u lind Krishti.
Besimtarë dhe kuriozë
Ngjarja menjëherë zuri një vend të rëndësishëm në faqet kryesore të gazetave të përditshme izraelite, duke e nxitur edhe më shumë interesin e besimtarëve dhe të kuriozëve. Të gjithë duan të dinë, të kontrollojnë, të shohin me sytë e tyre figurën e Jisut, që qan; por, mbi gjithçka, ata duan t’i luten Krishtit, që qan.
Për të parën herë ngjarja e pabesueshme u verifikua tre muaj më parë. Ishte një grua e vjetër, një pelegrine e ardhur nga Qiproja, e cila e pa e para mrekullinë.
Gruaja po lutej – përpara ikonës së Krishtit. Papritur, ngeli e goditur nga një emocion i pamatë. “Pashë Krishtin, që lëvizi një qepallë”, – tha më vonë, ndërkohë që qante e tronditur nga gëzimi. “Jam plotësisht e sigurtë. Pastaj pashë nga syri i tij i djathtë të zbresë një lot. E pashë mirë, qartë. Zbriti poshtë lehtësisht dhe ndaloi në lartësinë e hundës”.
“Edhe unë e kam parë”
Dëshmitarët e mrekullisë tashmë janë të shumtë: klerikë, besimtarë të thjeshtë, deri dhe persona jo të besimit të krishterë.
Për shembull, Sadika Hamida, një palestineze myslymane, e cila prej vitesh punon si pastruese në Bazilikën e Betlehemit, tregon: “Edhe unë e pashë të qante ikonën e Krishtit. Ishte gjë shumë e bukur dhe mjaft emocionuese. Loti, që i rrodhi nga sytë ishte me ngjyrë të kuqe, të kuqe si gjaku. Madje, ka lënë edhe një gjurmë në këmbët e kolonës”.
Për këtë ngjarje, në Tokën e Shenjtë ndien emocione, kuriozitet. Jisui derdh lotë gjaku pikërisht në vendin, që pa lindjen e Tij: si të mos provosh tronditje, ngashërim. Si të mos ndjesh një rrënqethje? Edhe më mosbesuesit pyesin vetveten, duke i qëndruar larg një gjykimi të shpejtuar.
Përse qan Jisui? Përse derdh lotë gjaku? Përse, pikërisht në prag të Krishtlindjes së Shenjtë? Përse pikërisht kur po mbyllet mijëvjeçari i dytë i periudhës së pas Krishtit?
“Jisui loton, sepse njerëzimi nuk po sillet mirë”, – përpiqet të shpjegojë arqimandriti orthodhoks i Betlehemit. – Eshtë me një rëndësi të madhe, që kjo mrekulli po verifikohet në kishën më të vjetër të botës, një kishë, që ka qëndruar e do të qëndrojë e pandryshuar gjatë viteve, megjithëse ndodhet në një nga territoret e globit, që kanë qenë përherë të sfilitura”.
Përktheu: Erzon Prifti