Mbërritëm tashmë në Kreshmën e Madhe të bekuar para Pashkës. Ajo, si edhe kreshma e çdo të mërkure dhe të premteje, janë kreshmat më të vjetra.
Kreshma është sanksionuar qysh në fillim të Shkrimit të Shenjtë, qysh në fillim të botës. Perëndia kur krijoi njeriun dhe e vendosi në Parajsë, i dha porosinë, që të mos hante nga fruti i një peme konkrete (Gjen. 2, 16-17). Shkelja e porosisë solli dëbimin nga Parajsa.
Për kreshmën bëhet fjalë në shumë vende të Shkrimit të Shenjtë. Edhe Krishti ynë foli për të (Matt. 6, 16-18), por, edhe vetë kreshmoi (Matt. 4, 2). Më konkretisht, tha, se nxënësit e Tij do të kreshmonin kur Ai do të rrëmbehej lart dhe njerëzit e Tij do ta humbisnin (Matt. 9, 15). Edhe ne tani kreshmojmë, sepse në të vërtetë mëkatet tona e ngjitën Atë mbi Kryq dhe i shkaktuan vdekjen.
Atëhere, me rënien e parë në mëkat, trupi mbizotëroi mbi shpirtin, njeriu hëngri pa u menduar frutin e ndaluar dhe u dënua me dëbim nga Parajsa. Për rikthimin duhet rruga e kundërt: Shpirti të mbizotërojë ndaj trupit dhe dëshirave të tij. Kreshma ndihmon në zbutjen dhe pastrimin e pasioneve trupore. Pikërisht me kalitjen e trupit lartësohet shpirti.
Kjo është diçka si peshore: Sa më shumë kujdesesh dhe lartëson trupin, aq më shumë degradohet shpirti, ndërsa sa më shumë përulet trupi, aq më shumë lartësohet shpirti. Por, kjo duhet të kryhet në mënyrë simetrike, sepse kur trupi dobësohet jashtë mase, edhe shpirti nuk ka fuqi. Kreshma nuk është qëllim në vetvete, por mjet. Ajo e ndihmon shumë lutjen, ndërsa të dyja sëbashku luftojnë djallin, siç tha Zoti (Mark. 9, 29). Një stomak i fryrë nga ushqimi i tepërt, një mendje e trullosur nga alkooli i shumtë, nuk lejojnë që të veprojë lutja. Përkundrazi, kreshma krijon një klimë lutjeje. Gjithashtu, me paratë që kursehen gjatë kreshmës, krijohet mundësia për më shumë lëmoshë.
Kjo e fundit hyn në anët shpirtërore më të përgjithshme të kreshmës. Një tropar i këtyre ditëve thotë: “Kreshmë e vërtetë është: distancimi nga të ligat, përmbajta e gjuhës, largimi i zemërimit, ndarja nga dëshirat, nga përgojimet, nga gënjeshtra dhe shkelja e betimit…”. Gojarti i Hirshëm pyet: “Ç’dobi ka kur, vërtet qëndrojmë larg pulave dhe peshqve, por kafshojmë dhe hamë vëllezërit?”.
Le të vijmë tani në anën praktike të kreshmëve. Kjo kreshmë, së bashku me kreshmën e 15 gushtit, janë tepër të rrepta. Hamë vaj dhe pimë verë vetëm të shtunave dhe të dielave. Ditët e tjera hamë gjellë pa vaj. Për më tepër, kur ka kreshme pa vaj, rregullisht hamë një herë në ditë, vonë në mesditë. Duhet të sqarojmë se ati shpirtëror cakton kreshmën e secilit, duke marrë parasysh faktorë të ndryshëm, si p.sh në se është mirë me shëndet ose jo etj. Përmendim sa për njohje, se shumë murgjër në manastire, por edhe laikë shpresëtarë, mbajnë “treditëshin”, domethënë nga e Diela e të Lidhurit të Djathit në mbrëmje deri të mërkurën, në meshën e parë të parashenjtëruar, nuk hanë absolutisht asgjë, madje nuk pinë as ujë! Në raste shumë të rralla bëhet “pesëditësh”, d.mth. kungohen të mërkurën mbasdite, të premten, të shtunën (e Shën Theodhorëve), dhe atëhere fillojnë të hanë!!.
Gjithashtu, gjatë gjithë vitit, çdo të mërkurë dhe të premte nuk hahet vaj (edhe verë), përveç se kur dita e kreshmës përkon me kujtimin e ndonjë shenjti të madh.
Gjatë kreshmës së Apostujve të Shenjtë (që fillon të hënën pas të dielës së Gjithë Shenjtorëve dhe mbaron më 29 qershor, të kremten e Shën Petrit dhe Shën Pavlit) nuk hahet mish ose bulmet, por vetëm peshk (dhe natyrisht vaj). Po kështu, edhe në kreshmën e Krishtlindjeve, është e mundur të hamë peshk deri më 17 dhjetor.
Kreshma të rrepta njëditore janë: vigjilja e Epifanisë së Zotit (5 janar), Prerja e kokës së Shën Joan Pararendësi (29 gusht), Ngritja e Kryqit të Nderuar (14 shtator).
Pra, kreshmë të mbarë! Kreshma e drejtë sjell “bollëk të mirash”, siç psal një tropar tjetër, dhe na thekson Pashkën. Nëse do të kreshmojmë drejt, trupërisht dhe shpirtërisht, do ta kuptojmë Pashkën dhe gëzimin e saj. Pra, Kreshmë të mbarë!
J.