Të mësojmë lutjet tona
Psalmi XXXI
I Davidit Për dituri.
Lum ata, të cilëve iu falën paudhësitë dhe ata, të cilëve mëkatet iu zbuluan.
Lum ai njeri, të cilit Zoti nuk do t’ia marrë parasysh mëkatin dhe në shpirtin e të cilit nuk ka dinakëri.
Se heshta, eshtrat e mi u vjetëruan nga që thërrisja gjithë ditën.
Se ditë e natë dora jote rëndoi mbi mua, në rrugën e vuajtjeve u ktheva, se gjemb m’u ngul.
Paudhësinë time e njoha dhe nuk e fsheha mëkatin tim. Thashë: “Do t’ia rrëfej paudhësinë time Zotit”; dhe ti e fale pabesinë e zemrës sime.
Çdo i drejtë, për këtë do të falet në kohën e përshtatshme; madje dhe ujërat e shumtë të përmbytjes nuk do t’i afrohen.
Ti je streha ime dhe ngazëllimi im në kohën, që më pushton hidhërimi; shpëtomë nga ata, që më kanë rrethuar.
Do të të bëj të mençëm dhe do të të tregoj rrugën, në të cilën duhet të ecësh; dhe sytë e mi do t’i kem mbi ty.
Mos u bëni si kalë dhe si mushkë, që s’kanë mend; me gojëz e me fre do të frenosh nofullat e tyre, që ty të të mos afrohen.
Të shumtë janë fshikujt për mëkatarin, por atë, që shpreson tek Zoti, përdëllimi do ta rrethojë.
Në Zotin dëfrehuni dhe ngazëllohuni, o të drejtë, dhe mburruni të gjithë ju, o zemërdrejtë.
Lavdi Atit … Tani … Aliluia.