EmailFacebookKontakt

Faktorët e rrezikut të arteriosklerozës koronare

Mjeku pranë jush

FAKTORET E RREZIKUT TE ARTERIOSKLEROZES KORONARE

ARTERIOSKLEROZA KORONARE është sot shkaku kryesor i sëmundjeve të zemrës. Ajo përbën shkakun e parë të vdekjeve në vendet e zhvilluara. Përveç vdekshmërisë së lartë, ajo u shkakton të sëmurëve vuajtje fizike dhe morale dhe një pamundësi për punë, relativisht të rëndë dhe të zgjatur. Studime të gjera klinike dhe epidemiologjike të kryera në të gjithë botën kanë bërë të mundur të përcaktohen një numër faktorësh, që favorizojnë ose shpërthejnë sëmundjen dhe që janë emërtuar si “faktorë rreziku”. Pikërisht, njohja, zbulimi dhe mënjanimi apo mjekimi i tyre, qëndron në bazë të strategjisë së luftës kundër sëmundjes koronare, për parandalimin e saj.

Po përshkruajmë disa nga faktorët kryesorë të rrezikut:

1. MOSHA. Eshtë faktor kryesor i arteriosklerozës. Shpeshtësia e shfaqjeve klinike të arteriosklerozës koronare rritet mjaft me kalimin e moshës. Më shpesh ajo ndeshet nga mosha 45 deri në 65 vjeç. Studime të ndryshme kanë treguar se lezionet anatomike të sëmundjes koronare fillojnë shumë herët, në dekadën e dytë ose të tretë të jetës, ndërsa manifestimet klinike, më shpesh shfaqen mbas moshës 45 vjeç.

2. SEKSI. Mbizotërimi i arteriosklerozës koronare te meshkujt është mjaft i dukshëm. Kështu, statistika të ndryshme japin raporte meshkuj-femra nga 3:1 deri në 7:1. Për moshat deri 40 vjeç, ky raport është shumë më i madh, 10:1, por me rritjen e moshës fillon të pakësohet, kurse rreth moshës 70 vjeç ky raport bëhet, pothuaj i barabartë. Për këtë dukuri i jepet rol veprimit të hormoneve femërore gjatë periudhës së aktivitetit gjenital.

3. TURBULLIMET E METABOLIZMIT TE YNDYRNAVE. Në çrregullimet e metabolizmit të yndyrnave dhe në gjenezën e arteriosklerozës luajnë rol yndyrnat e marra në ushqim. Në popullsitë, të cilat përdorin ushqime të pasura me yndyrna, janë gjetur kolesterolemi të larta. Duhet shënuar, se yndyrnat e ngopura (në përgjithësi me origjinë shtazore) janë të dëmshme kurse yndyrnat e pangopura (në përgjithësi me origjinë bimore) nuk e kanë këtë veprim të dëmshëm. Aktualisht i kushtohet rëndësi lipoproteinave (HDL dhe LDL), që transportojnë kolesterolin e serumit të gjakut. Eshtë përcaktuar se lipoproteinat me densitet të ulët (LDL) kanë rol aterogjen. Disa hiperlipidemi ndikohen shumë nga kufizimi në ushqim i alkoolit, i sheqernave dhe i yndyrnave, duke dhënë vetëm yndyrna të desaturuara (vaj misri, margarinë etj.).

4. DIABETI I SHEQERIT. Të dhënat epidemiologjike tregojnë se sëmundja koronare është 2-3 herë më e shpeshtë dhe shfaqet relativisht më herët te diabetikët, se sa te jo diabetikët. Kjo është më e shprehur në seksin femër. Tek diabetikët vdekshmëria nga infarkti i miokardit është dy herë më e lartë, se sa te jo diabetikët.

5. HIPERTENSIONI ARTERIAL. Studime të ndryshme tregojnë se arterioskleroza koronare është më e shpeshtë në personat me hipertension. Luan rol si rritja e presionit sistolik, ashtu dhe e atij diastolik. Hipertensioni arterial favorizon shfaqjen e të gjitha ndërlikimeve ishemike, jo vetëm koronare, por edhe aksidentet vaskulare trunore, si dhe prekjen e arterieve të anësive të poshtme. Rritja e presionit në brendi të enës së gjakut shton penetrimin e yndyrnave aterogjene nëpër cipën e brendshme të arteries.

6. DUHANI. Përdorimi i duhanit është fenomen social i rëndësishëm i shekullit të XX, i cili, ndër të tjera, ndikon edhe në rritjen e sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë nga sëmundjet e zemrës dhe të enëve të gjakut. Studime të shumta arrijnë në të njëjtin përfundim, se konsumi i madh dhe i vazhdueshëm i duhanit pakëson shpresën për një jetë të gjatë. Kështu, për ata që pijnë mbi 6 cigare në ditë me thithje të tymit, rreziku i sëmundjes koronare është dyfish, kurse për ata me mbi 20 cigare është trefish. Edhe vdekshmëria shtohet mjaft te duhanpirësit. Ajo është më e rritur tek ata, që e thithin tymin, sesa tek ata që nuk e thithin. Konsumi i madh i duhanit shton, gjithashtu, mundësinë e njëjë vdekjeje të papritur. Nga ana tjetër, studime të shumta tregojnë, se vërehet një ulje e vdekshmërisë në personat, që kanë lënë duhanin. Kështu, pakësimi i vdekshmërisë është i dukshëm në vitin e parë, pas ndalimit të duhanit, ndërsa në fund të 10 vjetëve niveli i vdekshmërisë së atyre që pinin duhan ishte i afërt me atë të atyre, që nuk kanë përdorur duhan.

Veprimi i dëmshëm i duhanit realizohet nëpërmjet dy faktorëve: nikotinës dhe monoksidit të karbonit. Monoksidi i karbonit pakëson sasinë e oksigjenit të përdorshëm nga miokardi, kurse nikotina shton punën e zemrës. Të dy shpejtojnë formimin e trombit dhe favorizojnë zhvillimin e arteriosklerozës. Në tërësi mund të vlerësohet se pirja e duhanit është faktor rreziku i rëndësishëm i arteriosklerozës.

7. FAKTORET PSIKOEMOCIONALE. Arterioskleroza është më e shpeshtë në profesionet intelektuale, sesa në ato me punë dore, në qytete, më shumë sesa në fshatra, në vendet e industrializuara, më shumë sesa në vendet më pak të zhvilluara. Ndikojnë, pra, mikrostreset e përsëritura në jetën e përditshme.

8. OBEZITETI. Eshtë treguar se ekziston një lidhje midis gradës së obezitetit (dhjamosjes) dhe rrezikut kardiovaskular. Ky rrezik shtohet në mënyrë proporcionale me rritjen në peshë dhe bëhet më i dukshëm, kur rritjes në peshë i shtohen dhe faktorët e tjerë të rrezikut.

9. FAKTORET FAMILJARE. Eshtë vënë re prej kohësh, se në disa familje ka një shpeshtësi më të madhe të sëmundjes ishemike të zemrës (angina pectoris, infarkt i miokardit) dhe raste me vdekje të papritur. Megjithatë, përgjegjësia e trashëgimisë, si faktor rreziku, është e dyshimtë dhe duhet të merret me rezervë.

10. JETA SEDENTARE. Personat, që bëjnë jetë sedentare, pa shumë lëvizje, kanë një shpeshtësi më të lartë për të zhvilluar infarkt miokardi. Kështu, rezulton se ushtrimi fizik është i dobishëm në luftë kundër zhvillimit të arteriosklerozës.

Ekzistojnë dhe faktorë të tjerë të rrezikut, por me ndikim më të vogël. Duhet përmendur, se faktorët e rrezikut më shpesh ndodhen të kombinuar, gjë që shton rrezikun për zhvillimin e sëmundjes.

Nga të gjitha sa u shpjeguan më lart, kuptohet roli i propagandës shëndetësore me popullsinë, e cila duhet të njihet me faktorët e rrezikut të arteriosklerozës, në mënyrë që të ndërgjegjësohet për luftimin e tyre, pasi kështu mund të arrihet një sukses i vërtetë në luftën kundër kësaj sëmundjeje shumë të përhapur dhe të rrezikshme për jetën e njeriut. Shpjegimet duhet të bëhen të vazhdueshme, duke dhënë shembuj konkretë, për të treguar efikasitetin e luftës kundër këtyre faktorëve. Kështu, duhet vepruar në mjaft raste, të cilët i nënshtrohen kontrollit periodik në institucionet mjekësore, ndërmjet të cilave bën pjesë dhe klinika “Shën Lluka” e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

Prof. Dr. Anesti KONDILI