Gjithë jetën në shërbim të Kishës
Më 11 shkurt fjeti at Sotir Boçi, i cili shërbente në Krutje të Lushnjës. At Sotiri u lind më 4 prill 1925, në Krutjen e sipërme, nga prindër shpresëtarë. U rrit në një mjedis me tradita në besimin e vërtetë tek Zoti Jisu Krisht. Në fund të viteve 50, me hirin e Perëndisë dhe kërkesën e besimtarëve bashkëfshatarë, at Sotiri u hirotonis në dhiak dhe një ditë më vonë në prift. Me ndalimin e lirisë së besimit, at Sotiri nuk pushoi së luturi Perëndinë, që të bënte të mundur rihapjen e Kishave, që ai të rikthehej për të kryer Misteret e Shenjta.
Ardhja e demokracisë dhe lejimi i besimit e gjeti at Sotirin në moshë të kaluar. Kjo nuk e pengoi atë, që të shërbente jo vetëm në Kishën e Krutjes, por edhe në Kishat e tjera, në të gjithë zonën, deri ditën që ndërroi jetë. I paharruar qoftë kujtimi i tij. Zoti ia prehtë shpirtin në gjirin e Tij.
Dhiak Harallamb Lhtpo