– Kryepiskopi Anastas merr pjesë dhe kontribuon në mbledhjet e zhvilluara në Përfaqësinë e ngritur në Bashki për kapërcimin e krizës të paprecedent që goditi Tiranën dhe gjithë vendin. –
Me iniciativën e bashkisë së Tiranës, përfaqësues të partive politike që bëjnë pjesë në Këshillin Bashkiak të Tiranës, përfaqësues të komuniteteve fetare, të Shoqatës “Tirana” dhe të Shoqatës së të Përndjekurve Politikë, u mblodhën në mjediset e Bashkisë së Tiranës, më 13 mars 1997, për të analizuar me përgjegjësi të plotë situatën precipituese në Tiranë dhe në të gjithë vendin.
Edhe pse i zhvilluar në kushte të jashtëzakonshme, kur nga jashtë Bashkisë të shtënat e armëve vinin pareshtur, madje dhe nga poshtë godinës së saj, takimi rezultoi tepër frytdhënës dhe influencoi pozitivisht në gjendjen e rendit në qytet dhe në rreth, duke favorizuar normalizimin e saj në ditët që pasuan.
U arrit të konkludohej në një deklaratë të përbashkët, në të cilën u bëhej thirrje qytetarëve të Tiranës, prindërve, intelektualëve dhe të gjithë popullit shqiptar, për pjekuri dhe urtësi, orientim drejt të mirës, normales dhe paqes shoqërore, si dhe për mbështetje fuqiplotë dhe pa rezerva të Qeverisë së re të Pajtimit Kombëtar, si një Qeveri e të gjithë popullit.
Aktive në këtë takim ishte pjesëmarrja e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, Prof. Dr. Anastasit, i cili, sikurse u konstatua edhe nga të pranishmit, ofroi mendime e sugjerime të goditura dhe dobiprurëse, në lidhje me kapërcimin e situatës tejet të rënduar në vend dhe dhimbjes, që shtohej dita – ditës.
Një takim i ngjashëm konsultues u zhvillua edhe të nesërmen, 14 mars, ku Kryepiskopi ishte i vetmi i pranishëm ndër përfaqësuesit e ftuar të komuniteteve fetare.
Korresp. i “Ngjalljes”