Intervistë e Kryepiskopit të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, Prof. Dr. Anastasit, dhënë gazetës “Dita Informacion”.
Në opinionin shqiptar fenomeni “fajde” është bërë mjaft problematik. Duke parë se tani ky problem po i shqetëson të gjithë, ju si shpreheni për të?
Nuk jam specialist për çështjet ekonomike. Por, mendoj se nuk është rastësi që sistemi i huadhënies së lartë dhe interesave të larta, që u shfaq kohët e fundit në Shqipëri nuk është zhvilluar dhe nuk është pranuar në vendet shoqërisht dhe ekonomikisht të zhvilluara. Ekzistojnë ligje ekonomike në tregun e lirë, dhe veçanërisht në lëvizjen e parasë, që janë në fuqi në mbarë botën. Dhe, kur diku ato shkelen, krijohen viktima. Mjerisht, si rregull viktima bëhen më të dobëtit dhe të painformuarit, ndaj të cilëve, natyrisht, duhet treguar simpati dhe përkrahje. Në ekonominë e lirë moderne, që ka aq parametra komplekse, institucioni i provuar dhe i pranuar është ai bankar, i cili funksionon me transparencë mbi bazën e rregullave të njohura brenda kuadrit të caktuar legjislativ, duke pasur si qëllim final vlerësimin e kursimeve të shtetasve, zhvillimin pozitiv të jetës ekonomike dhe të produktivitetit të një vendi.
Cili është roli i Kishës Orthodhokse tek dhënia ose marrja e parave me hua?
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, e cila tërë këto vite po zhvillon, pa bujë, një vepër kolosale shoqërore dhe ndërtimore, në të gjithë vendin, i është shmangur çdo depozitimi ose transaksioni me firmat në fjalë.
A ka ndodhur një fenomen i tillë në Greqi dhe a ka ndikuar Kisha në këtë situatë?
Nuk mbaj mend të jetë vënë re ndonjë fenomen i tillë.
A e përmban Bibla diçka të tillë? Cili është predikimi që bëhet për këtë çështje në kishat tona orthodhokse?
Kisha stigmatizon fajdenë, domethënë dhënien e huasë duke kërkuar interes të tepruar; por, nga ana tjetër, këshillon përdorimin produktiv të talenteve dhe mundësive të ndryshme me veprimtari dhe punë krijuese. Në parabolën e njohur të tallanteve, që paraqet Ungjillor Mattheu (kap. 25, vargjet 14-30), dënohet shërbëtori, të cilit i zoti i besoi një tallant dhe ai e la të pashfrytëzuar. “Pra, duhej, i tha, të vije paratë e tua tek bankierët dhe unë kur të kthehesha do t’i merrja bashkë me kamatat”. Një parabolë të ngjashme paraqet edhe Ungjillor Llukai (kap. 19, vargjet 11-27).
Predikimi në Kishën Orthodhokse thekson prerë dhe me ngulm detyrën e së vërtetës, të ndershmërisë, të zellit për punë, konsekuencës, dashurisë së painteres dhe dënon çdo formë të shfrytëzimit, të dezinformimit dhe padrejtësisë. Por, nuk imponon përzgjedhje konkrete. Ofron kritere shpirtërore në bazë të vlerave të përjetshme të Ungjillit dhe kërkon që besimtari me hirin e Perëndisë të zhvillojë një ndërgjegje të lirë dhe të ndriçuar.
Kisha e re e Shën Gjergjit në Fier – maketi
Në foto: Kjo do të jetë pamja përfundimtare e Kishës katedrale të Shën Gjergjit.