Për të të pasur ty, gjej një piano, që tingëllon si ylber, një krifë të artë, një pëllumb të kaltër, një çelës të blertë dhe çel thellësitë e nuancta të shpirtit! Më prek hapi yt i ngrohtë dhe të ndiej, kur zbukuron si një petal i kristaltë qerpikun fërgëllyes. Atëherë ti bëhesh pranga dhe liria ime. Je më i mrekullueshmi mik, ti, që shndrit në shndritjen time, ti, që qan në mërzitjen time. Por, gjatë një çasti, më je me të vërtetë perlor…
Kur plagë rrënuese më brejnë shpirtin dhe zinxhirë të rëndë më mundojnë, unë pres, që të rilindësh e të më kredhësh në prehje, ndërsa ti, si për të më ndëshkuar akoma më tepër, vonon! Me gjuhën tonë të flas, të kërkoj, po ti hesht me heshtjen tënde besnike (sepse më kupton gjer në rrëmba dhe me buzët e vetëdijes time, flet). E kur filloj të endem si një lëndim i mjegullt, ti më rrëmben, më çon mes udhësh shkëmbore e më braktis. E vetme, shtangem prej mosndjeshmërisë së palëvizshme të tyre. I prek dhe dridhem. Ngurosur janë aty, pjesëzat ose të tërat e çnjerëzores madje dhe gjurmët e padukshme presin të vrenjtura. Një ditë, dikush, do t’ua gërvishtë ndryshkun e fjetur, por asnjë enigmë shfajësuese, s’do të jetë fosilizuar bashkë me to, veç çmenduria e dhëmbëzuar, që kafshoi dhe vyshku rrënjët e brishta të tyre. Asgjë s’më tmerron më tepër sesa kjo, ndaj për të mos u bërë robinja (si këta të mjerë!) e rrjetës së errët plot thonj armiqësie vërtitem, përplas krahët, zgjoj zërat, të cilët me rrahjet e pulsit ngrihen mbi shkëmbinjtë duke e dërrmuar gurërimin dhe flatroj, fluturoj drejt Atit tim dhe, kur e takoj, shpërthen reaksioni kozmik – loti perlor. E mrekulluar e këpus prej syrit dhe me gishtërinjtë, që dridhen lehtas, ta ofroj…
Ja, pse të kam kaq të shtrenjtë! Se ti je uji i ripagëzimit tim dhe agu i bekimit tim! Je pasuria dhe dhurata ime për Të! Ti je borxhi e shpërblimi im! Je ngazëllimi i përbashkët, kur dora e Atit më ngre!
Ndaj, ji sogjetari im! Përgjomë, përmendmë, kur pranë të më afrohen kurthet e ngurta, që të mund të të kthej atje, nga ku, m’u dhurove!
Tani të kam përsëri mbi gishtërinj. Ti vezullon mes bardhësisë së tyre dhe unë kundroj kurorën tënde të kulluar. Momenti shtegëtar më krijoi ndjesinë, se po mbaja një planet në dorë. Por, të gjithë ata, nuk mund të arripnë çmueshmërinë tënde, o loti im!
Efrosina Noti
korrik 1996