EmailFacebookKontakt

Muzika bizantine në Kishën tonë

Ky material është shkëputur nga “Kurs i shkurtër për muzikën bizantine”, i shkruar nga theologu i Kishës sonë, i ndjeri z. Dhimitër Beduli, në periudhën para Luftës. Në të gjenden të dhëna të pasura për traditat e hershme të kësaj muzike në Shqipëri dhe për interpretuesit më të njohur në vite.

(Vijon nga numri 12-51)

Të tilla talente ka pasur e ka edhe në komunitetet e tjera. Do të përmend më poshtë çka kam mundur të mësoj e të njoh personalisht gjer më sot në këtë drejtim.

Familja Vuçani në Tiranë, midis disa librave të muzikës bizantine që dispononte, kishte dhe një dorëshkrim, i cili, sipas një shënimi të faqes së parë, i përket vitit 1818, kohës kur mitropoliti i Durrësit Hrisanthi kishte kryer në Elbasan, ku e kishte qendrën, studimin e tij për thjeshtimin e muzikës bizantine. Dorëshkrimi përmend si zotërues të parë të tij një ieromonak të quajtur Agathangjel, më vonë prift i Kishës së Shën Prokopit në Tiranë, i cili, siç kuptohet, do të ketë qenë dhe njohës i mirë i muzikës bizantine. Nga familja Vuçani kanë dalë tre këngëtarë e njohës të mirë të muzikës bizantine e të psaltiqisë, ku veçohet Mihal Vuçani, i cili më vonë u bë prift, që ka pasur një zë e një timbër të habitshëm, sa përmendet edhe sot me admirim nga dëgjuesit. Në Tiranë ka edhe njohës të tjerë të muzikës bizantine, si arsimtarët Jorgji Pano e Vlash Dhora, të dy tiranas etj.

Dy këngëtarë dhe ekzekutues të mirë të muzikës bizantine janë edhe në Durrës, në vendlindjen e mjeshtrit të madh të kësaj muzike, Joan Kukuzelit: Tod Ziu dhe Sotir Taçi, të dy durrsakë. Ky i fundit, që është dhe protopsalt i tanishëm i kishës qendrore, e zotëron mirë këtë muzikë, aq sa shpesh kalon në zbukurime të tilla të zërit, që, po të regjistroheshin, do t’i jepnin kësaj muzike një ngjyrë veçanëse, që e kapërcen traditën bizantine.

Zotërues i mirë i psaltiqisë me anë të praktikës është edhe Aleks Pjetri nga Kavaja, protopsalt me ndërprerje në disa kisha të dioqezës së Tiranës dhe organizues i mirë i grupeve korale.

Në Korçë, këngëtarë të mirë të kësaj muzike dhe njohës të teorisë së saj, midis të tjerëve janë z. Andoniadhi, i cili ka vënë me notat e meloditë e kësaj muzike një pjesë të himneve shqip, si p.sh. himnet e Shërbesës së mëngjesit, të quajtura “Eodhina”, dorëshkrimi i të cilave ndodhet në Arkivin e Kryepiskopatës dhe Pandi Progri, protopsalt i Mitropolisë.

Në Pogradec janë dy arsimtarë, të cilët e njohin mirë dhe e praktikojnë muzikën bizantine, të mësuar në shkollë: Fondi Burnazi në Bitolje dhe Jorgji Papajani në Selanik, ku studionin për arsimtarë.

Në Vlorë, gjithashtu janë dy këngëtarë të mirë të kësaj muzike: Lili Proko nga Përmeti, protopsalt në kishën Shën Vlashit, i cili e ka mësuar muzikën pranë një protopsalti të dëgjuar në Neohor të Stambollit dhe Thimi Opingari, vlonjat.

Në Berat kam njohur e dëgjuar vetëm protopsaltin e kishës së Mangalemit, Nas Papapavlin. Nga ky mora vesh se në kishat e Beratit ka pasur e ka mjaft protopsaltë e psaltë të mirë, të cilët e njohin mirë muzikën bizantine. Në të gjitha kishat gjen tekste me këtë muzikë.

Por, dioqeza ku muzika bizantine është mësuar e ushtruar më tepër si muzikë, se sa si psaltiqi, është ajo e Gjirokastrës, e cila ka pasur disa kushte të veçanta, që e favorizonin në këtë drejtim.

Së pari, është dioqeza, që ka më shumë manastire, se çdo tjetër. Në pjesën më të madhe të manastireve, sidomos gjatë shekujve XVIII-XIX ka pasur shkolla, ku detyrimisht mësohej dhe muzika bizantine, sepse qëllimi kryesor i tyre ishte të përgatiteshin psaltër-mësues për arsimin fillor. Shkolla të tilla madje ka pasur dhe në disa qendra e fshatra të mëdha, si në Delvinë, në Dhrovjan e gjetiu. Në manastiret, gjithashtu, kopjoheshin tekstet muzikore, që pastaj shpërndaheshin nëpër kishat e fshatrave përreth.

Së dyti, një pjesë e mirë e krahinave, që e përbëjnë këtë dioqezë, si Lunxhëria, Rrëza, Pogoni, Zagoria e të tjera, lidheshin nëpërmjet kurbetit me Stambollin. Në Stamboll disa nga fshatarët e këtyre krahinave që ishin frekuentues të rregullt të kishës, të dielave e në kohën e lirë, lidheshin pas grupit të protopsaltit të kishës më të afërme, ku mësonin të psalurit, shpesh madje edhe me muzikë. Kur ktheheshin pastaj në fshatrat e tyre, e kishin për nder të psalnin në kishë.

Faktori i tretë, ishin shkollat e mesme të Janinës, Artës, Selanikut, Stambollit e të tjera, ku si lëndë mësimi jepej edhe muzika bizantine. Mjaft djem nga krahinat e Dropullit, Vurgut, Himarës etj., që i kanë ndjekur ato, janë pajisur edhe me njohuri të kësaj muzike, të cilën pastaj e kanë ushtruar nëpër vendet ku emëroheshin.

Këta faktorë, pra, kanë ndikuar, sidomos gjatë periudhës së gjatë të pushtimit osman, që muzika bizantine në dioqezën e Gjirokastrës të njihej e të përdorej në një shkallë më të gjerë, se sa në të tjerat.

Me themelimin, më 1930, të Seminarit orthodhoks kombëtar “Apostull Pavli” dhe sidomos me riorganizimin e tij në vitin arsimor 1934-1935 (u zgjerua gama e lëndëve mësimore, që të arrinte shkallën e një shkolle të mesme), mori një rrugë të rregullt edhe lënda e mësimit dhe e studimit të muzikës bizantine. Kjo u inkuadrua në programin e Seminarit si lëndë e detyrueshme për t’u mësuar dhe sidomos për t’u studiuar, në mënyrë që me kohë të formoheshin kuadro të perspektivës, të cilët të merreshin me shfrytëzimin e thesarit të madh të dorëshkrimeve e të teksteve muzikorë, të lënë nga të parët tanë.