Niqifori (=fitimtar) ishte i krishterë nga Antiokia, i cili jetoi në periudhën e perandorit Valerian (v. 253-259). I stolisur me dashurinë më të lartë, ai kishte miqësi të ngushtë me një prift, të quajtur Saprik. Por, papritur, një ditë Sapriku u shndërrua në një armik të betuar të Shenjtit për shkaqe të panjohura. Niqifori i pafajshëm i kërkoi shumë herë të falur, që të pajtoheshin, herë personalisht dhe herë me anë të ndërmjetësve, por pa rezultat. Përpjekja e Tij vazhdoi deri në fillimin e një periudhe përndjekjeje, ku ndër të parët kapën Saprikun, i cili pohoi me vendosmëri Shpëtimtarin e si pasojë iu nënshtrua torturës së frikshme të “bulonave”.
Duke qëndruar i palëkundur, ai u dënua me prerje të kokës. Në vendin e ekzekutimit mbërriti Shenjti dhe i ra ndër këmbë, që sakrifica e Polikarpit të mos njollosej dhe të mos përlyhej. Zoti ka theksuar, se para se të ofrosh flijimin tënd – meqënëse ke prurë “dhuratën tënde mbi therrore” (Matth. 5, 23-24) – është i domosdoshëm pajtimi me vëllanë tënd, që ka diçka kundër teje, qoftë edhe kur tek ty ende ka mbetur shija e hidhërimit të shkaktuar prej tij. Por, Sapriku u tregua i ashpër dhe në çastin e fundit kulmor. Atëherë mendja e tij u errësua. Pyeti, se përse po e vrisnin. Kur i dhanë përgjigjen, ai e mohoi menjëherë Shpërblyesin!
Pasi nuk mundi ta bindte, megjithë lotët dhe lutjet e tij, Niqiforit iu pre koka, duke zënë vendin e Saprikut në shpalljen e Jisuit, në martirizimin dhe në Agjiologjinë e Kishës sonë. Ndaj, me të drejtë apostull Pavli tha: “Nëse jap trupin tim, që të digjet, dhe dashuri të mos kem, nuk më bën fare dobi” (I Korinth. 13, 3). Ndërsa Gojarti: “Asgjë nuk është e barabartë me dashurinë, as vetë martirizimi.”