Nga At Luka Veroni
Predikimi në mal, gjendur në Ungjillin sipas Mateut, kapitujt 5-7, është konsideruar si një përmbledhje e mësimeve më të mëdha të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht. Në këtë predikim Krishti nuk shpall thjesht urtësinë shpirtërore, si shumë mësues të tjerë të mëdhenj të etikës përgjatë historisë. Në vend të saj, Jisui shpall ardhjen e Mbretërisë së Perëndisë midis nesh dhe ndryshimin e jetëve tona. Këtu gjendet një mësim themelor mbi atë çfarë duhet të jetë jeta e vërtetë për një të Krishterë.
Kur lexojmë Predikimin në Mal, ne kuptojmë, se përgjegjësitë e ndjekjes së Krishtit janë shumë më të mëdha, sesa çdo gjë, që dikush mund të arrijë. Krishti na bën thirrje “Të jemi të përsosur, sikurse dhe Ati ynë është i përsosur”. Megjithëse, një porosi e tillë tingëllon e pamundur, Krishti na kujton, se “ajo ç’ka është e pamundur për njeriun, është e mundur për Perëndinë.” Më KRISHT ne mund të gjejmë fuqinë dhe forcën për të jetuar jetën e Mbretërisë!
Predikimi në Mal fillon me Lumurimet, të cilat janë një seri e tetë bekimeve, që shpallin të mirat e dishepullimit më Jisu Krishtin. Lumurimet veprojnë si një parathënie inkurajimi pozitiv të një ligjërate kërkesash themelore, të cilat ndryshe do dukeshin, se do kapërcenin mundësitë njerëzore. Jisui i ofron pasuesve të tij të mirat e dishepullimit, para se të paraqesë përgjegjësitë, që kërkon një dhuratë e tillë.
“Lum ata që janë të varfër në shpirt, se e tyre do të jetë mbretëria e qiellit” (v. 3)
Lumurimet fillojnë me fjalën “Lum” (“makarios” në greqisht). Ky term fjalë për fjalë nënkupton “Të qenurit në një pozitë të dëshirueshme, prej së cilës dikush është mjaft fatlum” ose “i lumtur në sensin e një gëzimi të papërshkruar”. Eshtë një thirrje e urimeve, që njeh një gjendje ekzistuese të lumturisë. Kjo është një e qarë gëzimi, sepse mbretëria e Perëndisë ka ardhur brenda nesh!
Këtu, ne shikojmë, që lumurimet nuk janë deklarime të thjeshta, por janë thirrje! Ekziston ngazëllim në faktin, që dikush ka gjetur një të tillë gëzim dhe lumturi të thellë të brendshme. Eshtë e rëndësishme të theksojmë, se kjo lumturi dhe ky gëzim i brendshëm është diçka, që një dishepull mund ta përjetojë TANI. Dhe një gëzim dhe lumturi e tillë e brendshme nuk varet nga situatat e jashtme. Të gjithë njerëzit, përfshirë të krishterët, do të përjetojnë trishtim e dhimbje, humbje dhe hidhërim, mundime dhe vuajtje në jetë. Por, kjo lumturi e Krishterë nuk varet nga situata të tilla. Në mes të mundimeve dhe dhimbjeve më të ashpra, një dishepull i vërtetë do të ketë gëzimin e mbretërisë, që rrezaton nga shpirti i tij.
Pas theksimit të gëzimit të të qenurit pjesë e mbretërisë së Perëndisë, vjen përshkrimi, se cilët janë pjesëtarët e kësaj mbretërie – “Skamësit në Shpirt”. Kjo nënkupton jo thjesht varfëri materiale apo ata, që nuk kanë ndikim në botë. Kjo përshkruan ata, të cilët kuptojnë, se nuk kanë në vetvete asnjë burim fuqie për t’i sjellë vetes përjetësi, lumturi të brendshme dhe si rrjedhim, shpresa e tyre e vetme është më Perëndinë. Këta janë njerëzit që e mbështesin besimin e tyre plotësisht tek Perëndia. Shën Joan Gojarti dhe Shën Agustini i konceptuan “skamësit në shpirt”, si ata, të cilët ishin “të përulur, të devotshëm dhe të ndërgjegjshëm për varësinë e tyre të plotë tek Perëndia”. “Skamësi në shpirt” është ai që kupton pafuqinë e thellë të tij në shpirt dhe si rrjedhim kthehet tek Perëndia, si i VETMI BURIM I TIJ shprese dhe ndihme.
Këtu, ne shikojmë një kontrast të theksuar me mësimet e botës. Bota thekson fuqinë, prestigjin, pasuritë dhe zotërimet. Krishti zhvendos këndvështrimin konvencional njerëzor për kërkimin e përmbushjes. Ai i thërret pasuesit e Tij në përulësi rrënjësore, si udha drejt lumturisë. Tërë zotërimet materiale dhe fuqia janë të përkohshme, por gëzimi i Perëndisë është i përjetshëm. Beso tek Perëndia dhe Ai kurrë nuk do t’ju zhgënjejë!
Shpërblimi për njerëz të tillë, që vendosin besim të plotë tek Perëndia nuk është veçse, “mbretëria e Perëndisë”. Një mbretëri, e cila fillon që këtu, që tani në zemrën e çdonjërit dhe, që arrin përmbushjen në parajsën e përjetshme të Perëndisë.
Këtë lumurim ne mund ta përmbledhim, duke thënë “Sa e mrekullueshme, kur njeriu kuptoi pafuqishmërinë e tij në përftimin e një lumturie të brendshme dhe vendosi besimin e tij të plotë tek Perëndia. Nëpërmjet një bindje të tillë të përsosur, ai do të bëhet një pjesëtar i mbretërisë së qiellit”.
Pasi e kuptojmë domethënien e këtij lumurimi, le ti bëjmë vetes sonë pyetjet që vijojnë dhe të kthehemi tek Perëndia për ndjesë në aspektet, që ne kemi rënë: “A kam qenë unë krenar, arrogant dhe egocentrik? A kam qenë egoist, zotërues dhe kërkues vetëm i të mirave personale? A kam kërkuar nën petkun e pozitës sime, fuqi dhe pasuri si kuptim për lumturi? Apo unë kam njohur me të vërtetë varësinë time të plotë tek Perëndia dhe fillova të përjetoj gëzimin e mbretërisë së tij qiellore!”
“Lum ata, që vajtojnë, se ata do të ngushëllohen” (v. 4).
Vajtimi shpesh është parë si një realitet i pafat, por megjithëkëtë Jisui i habit dëgjuesit, duke shpallur, se ata që vajtojnë mund të përjetojnë një hare gëzimi, si në referimin e mësipërm. Edhe një herë ne shikojmë, se si dishepujt e Krishtit do të jetojnë një jetë të kundërt me mësimet e botës.
Fjala greke “ata që vajtojnë” – i penthountes – është fjala më e fuqishme për vajtimin, sikurse njerëzit bëjnë për të vdekurit. Shën Joan Gojarti dhe Etër të tjerë të Kishës theksojnë, se një vajtim i tillë është i bekuar kur njerëzit vajtojnë për gjendjen e tyre mëkatare e të padenjë para syve të Perëndisë, sikurse vajtojnë për mëkatet dhe vuajtjet e botës. Nëse ne nuk jemi të vetëdijshëm për situatën tonë, për gjendjen e shpirtit tonë, atëherë ne s’mund ta kuptojmë plotësisht mëshirën dhe hirin e madh të Perëndisë, të cilin Ai e vendos me dëshirë mbi ne. Gjithashtu, vajtimi ynë për mëkatet e botës dhe vuajtjet e saj na kujton kujdesin dhe shqetësimin e Perëndisë për të gjithë njerëzit. (Gjithmonë mbani mend, se dëshira e Perëndisë ndaj CILITDO është që të mbërrijmë në një njohje shpëtimi të së vërtetës). Në vend të zemërimit me botën, ne kemi nevojë të ndiejmë keqardhje dhe ta përjetojmë dhimbjen e botës. Ne duam të bëhemi instrumenta, që të ndihmojmë botën të vijë në dritë, të vijë nën një gëzim dhe lumturi të bekuar të pranisë së Perëndisë. Nëpërmjet një vajtimi të tillë, Krishti na premton ngushëllimin e përqafimit dashamirës të Tij.
Ne mund ta përmbledhim këtë, duke thënë “Sa e mrekullueshme, kur një njeri me zemër të thyer ndien trishtim të madh dhe vajton thellësisht për mëkatet e tij dhe për mëkatet dhe vuajtjet e botës”. Nga ky trishtim dhe vajtim ne shikojmë dashurinë e madhërishme të Perëndisë, kujdesin dhe interesimin për secilin prej nesh. Nga ky zbulim ne do të gjejmë gëzimin e Perëndisë.
Le t’i bëjmë pyetje vetes sonë: “A kam analizuar mëkatet e mia dhe a jam trishtuar për to, apo jam munduar t’i justifikoj ato? A kam duruar vështirësitë dhe pikëllimet me besim dhe durim? A kam ndier trishtim dhe përjetim dhimbjeje për vuajtjet e të varfërve, të uriturve, të skllevërve të veseve, të sëmurëve, të vetmuarve? A jam zemëruar me ligësinë e botës apo me të vërtetë kam vajtuar dhe kam thirrur Perëndinë në emër të tyre?”
(Vijon)